Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Bazmul

Burimi: “er-Reddu ‘ala Kutubi Meshbuuha,” fq. 164.

Dikush nga njerëzit bën tekfir mbi këtë shtet (Arabinë Saudite) për shkak të hyrjes së tij në marrëveshje me Kombet e Bashkuara dhe e sqaron këtë duke thënë:

“Karta e Kombeve të Bashkuara përfshin klauzola të kufrit që bien ndesh me Sheriatin. Të pajtohesh me to është kufër (mohim) ndaj Islamit dhe hyrja në marrëveshje me ta, e anulon Islamin. Kurse, nga një këndvështrim tjetër, nuk lejohet marrëveshja e përhershme me qafirin sepse ummeti është i fuqishëm dhe i aftë të bëjë xhihad, e që është xhihad i kërkuar (xhihadu taleb) dhe xhihad i thirrjes (xhihadu d’aueh), kurse marrëveshja e përhershme do të thotë anulim i xhihadit të kërkuar dhe kjo është anulim i asaj që ka ligjësuar Allahu i Lartësuar.”

________________________________________

Unë (Shejkh Muhamed Bazmul) them:

Përgjithësimi i fjalëve në këtë formë dhe marrja e tyre si shkas për të bërë tekfir, nuk është i saktë. Për të ta sqaruar të vërtetën – in sha Allahu Te’ala – që të meditosh rreth asaj që do vij në vijim:

1 – Atë që e kanë sqaruar fukahatë (juristët Islam) – Allahu i mëshiroftë – në lidhje me marrëveshjen nga këndvështrimi i kohëzgjatjes, është në tri gjendje:

Gjendja e parë: Marrëveshje e kushtëzuar, që është përcaktuar brenda një periudhe kohore, siç ndodhi me të Dërguarin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur bëri pakt me kufarët e Kurejshëve për një periudhë prej dhjetë vitesh.

Gjendja e dytë: Marrëveshja e pakushtëzuar, në të cilën nuk përcaktohet periudhë kohore, porse nuk është e përhershme. Siç ndodhi me të Dërguarin – sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem – kur lidhi marrëveshje me Jehudët në Khajber, që t’i lënë të banojnë në Hajber aq sa donin ata (Muslimanët). [1]

Gjendja e tretë: Marrëveshje e përhershme, në të cilën thuhet tekstualisht se marrëveshja është e përhershme.

Marrëveshja e gjendjes së tretë është e pabazë dhe nuk lejohet, sepse baza është që Muslimanët e kanë obligim xhihadin e thirrjes dhe xhihadin e kërkuar kur kanë fuqi dhe aftësi. Kështu që, në këtë rast, nuk lidhet marrëveshje me qafirin, porse ai thirret që të hyjë në Islam, e nëse nuk e pranon Islamin, ai e ka detyrë që ta paguajë xhizjen. Nëse refuzon ta paguajë xhizjen, ai luftohet.

Ibën Tejmijeh (vdiq në vitin 728 H.) – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Lejohet marrëveshja (d.m.th. armëpushimi) të pakushtëzuar dhe e përkohshme. Marrëveshja e përkohshme kërkohet dhe duhet që të bëhet me pajtimin e të dyja palëve, përderisa armiku nuk e shkel atë. Kjo marrëveshje – sipas mendimeve më të njohura të dijetarëve – nuk shkelet për shkak të frikës së tradhtisë nga ana e tyre, kurse marrëveshja e pakushtëzuar është një pakt i lejuar të cilin e bën udhëheqësi për shkak të ndonjë interesi.” [2]

2 – Marrëveshja e tanishme me Organizatën e Kombeve të Bashkuara është marrëveshje e pakushtëzuar, nuk është përcaktuar ndonjë periudhë kohore, andaj kjo marrëveshje është e lejuar, të cilën e bën udhëheqësi i Muslimanëve sipas interesit që ai e shikon si më të qëlluar.

Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – ka thënë:

“Lejohet armëpushimi i pakushtëzuar apo i përkohshëm me armiqtë, nëse udhëheqësi e shikon se në këtë ka dobi (për Muslimanët), për shkak të Fjalës së Lartësuarit:

وَإِن جَنَحُوا لِلسَّلْمِ فَاجْنَحْ لَهَا وَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّـهِ ۚ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ ﴿٦١﴾

“Nëse ata anojnë nga paqja (marrëveshja), atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse, vërtet, Ai dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshmi.” El-Enfal, 61

Po ashtu, për shkak të asaj se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i ka bërë të dyja këto. Siç bëri marrëveshje me banorët e Mekkes për mosluftim dhjetë vite me radhë me të cilën njerëzit kishin siguri dhe nuk e sulmonin njëri-tjetrin, dhe ai bëri shumë marrëveshje të pakushtëzuar me fiset Arabe. Kur Allahu e çliroi Mekken, ai i refuzoi marrëveshjet me ta dhe ata që nuk kishin marrëveshje, u dha afat prej katër muajsh, siç qëndron tek Fjala e Tij, të Përsosurit nga çdo mangësi:

رَاءَةٌ مِّنَ اللَّـهِ وَرَسُولِهِ إِلَى الَّذِينَ عَاهَدتُّم مِّنَ الْمُشْرِكِينَ ﴿١﴾ فَسِيحُوا فِي الْأَرْضِ أَرْبَعَةَ أَشْهُرٍ وَاعْلَمُوا أَنَّكُمْ غَيْرُ مُعْجِزِي اللَّـهِ ۙ وَأَنَّ اللَّـهَ مُخْزِي الْكَافِرِينَ ﴿٢﴾

“Lirim (i deklaruar) nga ana e Allahut dhe të Dërguarit të Tij prej çdo obligimi ndaj idhujtarëve me të cilët kishit bërë marrëveshje. Andaj, udhëtoni (o ju idhujtarë) për katër muaj nëpër tokë, por dijeni se ju nuk mund t’i shpëtoni (dënimit) të Allahut dhe se Allahu pa dyshim do t’i poshtërojë pabesimtarët.” Et-Teubeh, 1 – 2

Dhe ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dërgoi lajmëtarë për ta kumtuar këtë lajm në vitin e nëntë të Hixhretit pas çlirimit të Mekkes bashkë me siddikun (Ebu Bekrin) kur e bëri haxhin – radijAllahu anhu. Sepse nevoja dhe interesi për Islamin e kërkonte armëpushimin e pakushtëzuar, pastaj e ndërpreu atë kur nuk kishte nevojë. Siç e ka bërë këtë Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Këtë mendim e ka shtjelluar Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – në librin e tij “Ahkamu Ehli Dhimmeh,” dhe këtë mendim e ka zgjedhur shejkhu i tij Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh dhe një grup nga njerëzit e dijes. Allahu është Dhënësi i suksesit. [3]

3 – Çështja e përfshirjes së një marrëveshjeje mbi klauzola të cilat e kundërshtojnë Sheriatin, kjo nuk e bën obligim kufrin, ngase shteti siç është Mbretëria e Arabisë Saudite është ruajtur nga çdo klauzolë e marrëveshjes me Organizatën e Kombeve të Bashkuara që e kundërshton Islamin. Vazhdojmë të lexojmë çdo vit se Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e përmend emrin e Mbretërisë në mesin e atyre shteteve të cilat nuk i zbatojnë të drejtat e njerëzve për shkak të zbatimit të ndëshkimeve të Sheriatit.

Nëpër media qarkullojnë vazhdimisht fjalë kundër Mbretërisë për shkak të mospranimit të parimeve të Kombeve të Bashkuara që kanë të bëjnë me gruan. Po ashtu është e njëjta gjë në lidhje me lirinë e feve (lirin e besimit). E njëjta është edhe me organizatat ekonomike. Çdo gjë që e kundërshton Sheriatin në këtë marrëveshje, Mbretëria e Arabisë Saudite është ruajtur nga ato.

Madje, ka disa klauzola që nuk janë obligative, siç është çështja e kthimit te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për zgjidhjen e zënkave, kështu Mbretëria nuk i është kthyer kësaj gjykate, porse ajo i ka zgjidhur problemet kufitare me fqinjët e saj me atë dashuri dhe besim që Allahu e ka futur me shtetet fqinje të saj.

“Mbretëria e Arabisë Saudite nuk pajtohet me nenin 16 për të drejtat e njeriut, që thotë: “Burri dhe gruaja, kur arrijnë moshën madhore për martesë, kanë të drejtë të lidhin martesë pa mos qenë kusht përkatësia fetare.” Shteti i Teuhidit ia ktheu me një memorandum që ia dërgoi Kombeve të Bashkuara: “Martesa e një Muslimani me një grua idhujtare apo që nuk beson në ekzistencën e Allahut është çështje që Islami e ka ndaluar kategorikisht. Martesa e Muslimanit me një ithtare të Librave – Jehude apo e Krishtere – Islami e ka lejuar këtë, ndërsa martesa e një jo-muslimani me një Muslimane është e ndaluar kategorikisht.” [4]

4 – Shteti i Teuhidit nuk është pajtuar gjithashtu me nenin 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, e cila deklaratë i jep të drejtën e lirisë së ndërrimit të fesë çdo individi. [5]

“Mbretëria nuk bashkohet tek këto dy traktate ndërkombëtare:

E para: ajo që ka të bëjë në mënyrë specifike me të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

E dyta: ajo që ka të bëjë me të drejtat politike dhe civile, për shkak të asaj që përmban çdonjëri nga këto dy traktate, e që bazohen në nene, të cilat nuk përputhen me mësimet e lehtësuara të Sheriatit Islam. [6]

5 – Ky shkrim rithekson se tekfiri mbi Mbretërinë e Arabisë Saudite për shkak të kësaj gjëje, është thjesht hamendësim dhe futje dyshimesh, kurse ajo që është me bindje të sigurt (jekin) nuk e largohet me atë që është e dyshimtë. Andaj ne qëndrojmë tek bindja e sigurt se Mbretëria e Arabisë Saudite është një shtet Musliman (Islam), si në qeverisje po ashtu edhe në popull.

Allahu është Dhënësi i suksesit.

Vërejtje:

Përderisa kjo është situata e Mbretërisë së Arabisë Saudite me hyrjen e saj në Kartën e Kombeve të Bashkuara, atëherë është akoma më parësore që ajo të hyjë në Kartën e Ligës Arabe dhe në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit Persik.

Fundnota

[1] Transmetohet nga Nafi’, e ky nga Ibën Umer se: “Umer bin Khattab – Allahu qoftë i kënaqur me të – i dëboi Jehudët dhe të Krishterët nga toka e Hixhazit (territori i Mekkes dhe Medines). Kur i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e mori Khajber-in, deshi që t’i nxjerrë Jehudët prej aty. Kur ai e mori atë, toka i takonte Allahut, të Dërguarit të Tij dhe Muslimanëve (ngaqë ishte nën pushtetin e Muslimanëve), ai deshi t’i nxirrte Jehudët prej aty. Kështu Jehudët i kërkuan të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që t’i lejojë të qëndrojnë në atë tokë që ata ta punojnë dhe të marrin gjysmën e frutave. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha: “T’i lëmë të qëndrojnë sipas këtij kushti, aq sa të dëshirojmë ne.” Kështu Jehudët ngelën në atë tokë derisa Umeri i dëboi në Tejma’a dhe Eriha (dy fshatra në Arabinë Saudite jashtë territorit të Hixhazit).

Këtë hadith e ka nxjerrë Buhariu në “Kitabul-Muzare’ah,” kapitulli “Nëse pronari i tokës të lejon të qëndrosh në atë vend aq sa Allahu ta ka lejuar të qëndrosh.” Nr. i hadithit (2338).

[2] el-Ikhtijaraatu el-Fikhijeh, fq. 315.

[3] Koleksioni “Mexhmu’u Fetaua ue Mekalaat Muteneu’iah,” i Shejkh Abdul-Aziz ibën Bazit, vëll. 8, fq. 212 – 213.

[4] Memorandum i qeverisë së Saudisë drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth zbatimit të të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Arabisë Saudite, i cili memorandum është në përputhje me Sheriatin Islamik. Është botuar në numrin e parë të revistës “el-Arabijeh” fq. 182. Po ashtu, shiko librin “Meukiful-Memleketi el-Arabijeti es-Su’udijeh min Kadaja el-Alemijjeh fi Hejjetil-Umemi el-Muttehideh,” fq. 98.

[5] Memorandum i qeverisë së Saudisë drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara rreth zbatimit të të drejtave të njeriut në Mbretërinë e Arabisë Saudite, i cili memorandum është në përputhje me Sheriatin Islamik. Është botuar në numrin e parë të revistës “el-Arabijeh” fq. 182. Po ashtu, shiko librin “Meukiful-Memleketi el-Arabijeti es-Su’udijeh min Kadaja el-Alemijjeh fi Hejjetil-Umemi el-Muttehideh,” fq. 98.

[6] “Meukiful-Memleketi el-Arabijeti es-Su’udijeh min Kadaja el-Alemijjeh fi Hejjetil-Umemi el-Muttehideh,” fq. 98.

Përktheu: Jeton Shasivari

26 Korrik 2015