Bismilah...

Autor: Muhamed Ibn Salih el-‘Uthejmin

Burimi: Shkëputur nga libri “Uuxhub Ta’atus-Sultan fij gajri Me’asijetir-Rrahman” (fq. 51-52) të Shejkh Muhamed el-‘Urajni.

 

 

Disa njerëz sot janë sprovuar me përgojimin dhe përfoljen e disa grupeve të Umetit Islam, siç janë udhëheqësit e çështjeve të Umetit, dijetarët dhe nënpunësit e qeverive. Këta njerëz i lëshojnë gjuhët e tyre nëpër mexhlise duke folur për dijetarët, për thirrësit, për autoritetet vendore dhe qeveritë në përgjithësi, të cilat kanë pozitë më të lartë sesa autoritetet vendore në përgjithësi. Përgojimi i këtyre njerëzve është një gjynah akoma më i madh dhe pasojat e tij janë akoma më të këqija pasi shkakton konflikt dhe përçarje mes Umetit Musliman.

 

O vëllezër, nuk ka dyshim se të përgojosh ata që janë në krye, si për shembull prijësit dhe dijetarët, ky nuk është vetëm përgojim i tyre, por është gjithashtu përgojim dhe shkatërrim i përgjegjësive që mbajnë ata. Dhe kur njerëzit flasin keq për dijetarët, pozita dhe rëndësia e dijetarëve zvogëlohet në sytë e njerëzve. Përveç kësaj, ajo që mund të thotë apo këshillojë dijetari nga Ligji i Allahut e humbet peshën e saj. Për rrjedhojë njerëzit nuk do të veprojnë në përputhje me Sheriatin dhe e gjithë kjo u shkaktua nga ai përgojim që filloi (nga këta njerëz). Kjo gjë shkakton dobësimin e Fesë së Allahut mes njerëzve të thjeshtë.

Prandaj, njerëzit që flasin keq për ata që janë në pushtet, siç janë prijësit e shteteve dhe qeverive, ata dëmtojnë kështu të gjithë shoqërinë. Ata nuk dëmtojnë vetëm qeverinë, por të gjithë shoqërinë. Kjo sjell si pasojë prishjen e qetësisë dhe sigurisë në shoqëri, qëndrueshmërisë dhe rendit publik.

Kur njerëzit i shajnë prijësit dhe qeveritë e tyre, pozita dhe reputacioni i tyre bie mes njerëzve të thjeshtë. Ata fillojnë ta braktisin besëlidhjen që u kanë dhënë atyre, nuk u binden më urdhrave dhe e shpërfillin çdo gjë që ata mund t’u ndalojnë. Dhe në këtë kohë, anarkia zë vend në shoqëri, çdo individ bëhet prijës i vetvetes. Pastaj, bëhet shkatërrim dhe njerëzit jetojnë në kaos dhe rrëmujë, duke mos pasur as drejtim e as udhëheqje. Prandaj, përgojimi është një gjynah i madh e jo diçka që mund të shpërfillet.

 

 

Përktheu Alban Malaj