Autor: Shejkh Muhammed ibn Salih el-Uthejmin

Burimi: Sherh Rijadus-salihijn, 6/488

 

 

 

Kapitulli: Ndalesa e përshkrimit të bukurisë së një gruaje për një burrë, përveç nëse ka nevojë për këtë gjë për ndonjë arsye sheriatike, siç është martesa apo diçka e ngjashme.

 

 

Transmeton ibn Mes'ud – radijAllahu anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

 

لَا تُبَاشِرْ الْمَرْأَةُ الْمَرْأَةَ فَتَصِفُهَا كَأَنَّهُ يَنْظُرُ إِلَيْهَا

“Nuk i lejohet gruas ta prek apo ta shikojë një grua tjetër (në auretin e saj), dhe pastaj t’ia përshkruajë dikujt tjetër sikur ai të jetë duke e parë atë.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

 

Autori – Allahu e mëshiroftë – thotë: Kapitulli, ndalesa e përshkrimit të bukurive të një gruaje për një burrë, përveç se për ndonjë arsye sheriatike, siç është martesa me të.

 

Që do të thotë: Nuk i lejohet njeriut që t’ia përshkruajë një grua një burri duke i thënë se ajo duket kështu, duke e përshkruar gjatësinë, bukurinë, bardhësinë apo të ngjashme me to, vetëm nëse ka ndonjë arsye sheriatike. P.sh. një burrë dëshiron të martohet me një grua dhe vëllai i saj, ia përshkruan atij atë, me qëllim që ta propozojë për martesë apo ta lë. Nuk ka asgjë të keqe për këtë! Ashtu sikurse i lejohet atij që propozon për martesë një grua, ta shikojë atë, me qëllim që kjo të jetë më nxitëse për pranimin apo refuzimin e tij.

 

Për këtë arsye, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ia ka ndaluar femrës që t’ia përshkruajë një femër tjetër burrit të saj, deri në atë pikë sikur ai e shikon atë! Kjo, ashtu sikurse është haram, është edhe e dëmshme për gruan e këtij burri. Sepse, nëse gruaja ia përshkruan burrit të saj një grua tjetër, ai mund ta dëshirojë atë grua dhe të martohet me të, dhe si rrjedhojë, do të ndodhin probleme mes tyre, siç është ditur.

 

Kjo nuk do të thotë që njeriu ta lë poligaminë nga frika e kësaj gjëje, pasi poligamia është e ligjëruar me Sheriat. Nëse njeriu ka mundësi fizike, materiale dhe tregohet i drejtë, atëherë i lejohet atij që të martohet me disa gra, në mënyrë që t’i shtojë pasardhësit dhe ta shtojë umetin Islam. Por, nëse frikësohet se mund të mos mbajë drejtësi, atëherë ka thënë Allahu i Lartësuar:

 

﴿فَإِنْ خِفْتُمْ أَلَّا تَعْدِلُوا فَوَاحِدَةً أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُمْ ذَلِكَ أَدْنَى أَلَّا تَعُولُوا﴾

“E nëse frikësoheni se mund të tregoheni të padrejtë, atëherë mjaftohuni me një grua, ose me ato që janë nën pushtetin tuaj (robëreshat). Kjo është më afër asaj që ju ndalon prej padrejtësisë.” [En-Nisa, 3]

 

Si përfundim themi: nuk i lejohet njeriut t’ia përshkruajë një grua një burri që është i huaj për gruan, përveç nëse ekziston ndonjë arsye sheriatike.

 

Një ndër këto gabime është ajo që veprojnë disa mendjelehtë, të cilët mburren te shokët dhe kolegët e tyre, duke thënë: “Gruaja ime është e bukur!” Pra, mburret me bukurinë e gruas së tij, e thotë: Gruaja ime është e bukur! Fytyrën e ka kështu, sytë i ka kështu, gojën e ka kështu, si dhe përshkrime të tjera. Kjo është haram, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka ndaluar këtë. 

 

Allahu është Dhënësi i suksesit.

 

Përktheu: Servet Mata