Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Aman el-Xhamij

 

 

Agjërimi e përmirëson moralin dhe ndalon nga moralet e mbrapshta: ngritja e zërit, sharja dhe ofendimi i njerëzve, këto janë prej fjalëve të kota. Përgjigjen për sharjen e ka sqaruar Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, që t’i përgjigjesh atij që të shan, por jo me sharje. Ai e urdhëroi atë që sprovohet nga dikush që e shau, që t’i thotë atij: “Unë jam me agjërim.” Dijetarët kanë mospajtim se a duhet ta thotë ai këtë me gjuhë apo me zemër. Disa prej tyre janë të mendimit se ai duhet ta thotë me gjuhë, ngaqë këtë e tregon fjala (unë jam me agjërim). Kurse disa prej tyre janë të mendimit se ai e thotë atë me zemrën e tij, sepse fjala përfshin fjalën e gjuhës dhe fjalën e zemrës. Kurse disa të tjerë kanë bërë një shpjegim tek kjo: nëse agjërimi i tij është obligim (Farz), le ta thotë me gjuhën e tij, sepse ai nuk ka frikë nga syefaqësia (err-rijaa`) dhe të gjithë njerëzit në Ramadan – për shembull – agjërojnë. Nëse i thotë atij që e shan: “Unë jam me agjërim!” – nuk ka frikë për të se mund të bjerë në syefaqësi.

Ama nëse është në agjërim vullnetar (Nafile), dhe shumicën e rasteve agjërimi vullnetar është i fshehtë, midis robit dhe Zotit të tij, askush nuk është në dijeni për të, përveç nëse ai i njofton. Prandaj, ai duhet ta thotë atë fjalë (unë jam me agjërim) me zemrën e tij, nga frika e syefaqësisë, e të mos e thotë me gjuhë, se nëse e thotë me gjuhë, ndoshta i vijnë vesveset e syefaqësisë. Dhe kjo është në vend të lajmërimit që ai po agjëron. Nëse ka frikë, le të bëjë durim dhe ta thotë atë me zemrën e tij, që ta kujtojë zemrën e tij dhe të mos ndikohet nga sharja, dhe të durojë për çdo gjë më tepër.

 

 

Përktheu: Alban Malaj