Autor: ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Muteneui’ah, vëll.15/fq.440
Pyetje: Çfarë është Itikafi? Nëse njeriu dëshiron të bëjë itikaf, çfarë e ka detyrë që ta bëjë dhe çfarë e ka të ndaluar? A i lejohet gruas që të bëjë itikaf në Xhaminë e Kabes dhe si duhet ta bëjë itikafin?
Përgjigje: Itikafi është ibadet dhe sunet. Më e mira është që të bëhet në muajin e Ramadanit, në çdo xhami ku falet namazi me xhemat, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
﴿وَلاَ تُبَاشِرُوهُنَّ وَأَنتُمْ عَاكِفُونَ فِي الْمَسَاجِدِ﴾
“E mos iu qasni grave kur jeni duke bërë itikaf nëpër xhamia.” [el-Bekarah, 187]
Nuk është e ndaluar që të bëhet itikafi në Xhaminë e Kabes apo në Xhaminë Fisnike të Pejgamberit në Medine, si për burrin ashtu edhe për gruan. Nëse itikafi i tyre nuk i dëmton namazlitë dhe askënd tjetër, atëherë s’ka problem në të. Ai që bën itikaf duhet që t’i përmbahet itikafit, të preokupohet me dhikrin për Allahun dhe me ibadetin, si dhe të mos dalë nga xhamia veçse kur ka nevojë që të kryejë nevojën e tij e për gjëra të ngjashme, ose kur ka nevojë për të ngrënë, atëherë kur nuk ka kush t’i sjellë ushqimin. Pra, i lejohet atij që të dalë kur ka nevojë, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dilte kur kishte nevojë.
Gruas që është në itikaf nuk lejohet që t’i qaset burri i saj, e po ashtu, burrit që është në itikaf nuk i lejohet që t’i qaset gruas së tij, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿وَلاَ تُبَاشِرُوهُنَّ وَأَنتُمْ عَاكِفُونَ فِي الْمَسَاجِدِ﴾
“E mos iu qasni grave kur jeni duke bërë itikaf nëpër xhamia.” [el-Bekarah, 187]
Më e mira për të është që ai të mos flasë shumë me njerëzit, por të preokupohet me ibadet dhe me vepra të mira. Ama nëse i vjen për vizitë ndonjë vëlla i tij, apo kur e viziton gruan në itikaf ndonjë i afërm i saj apo ndonjë motër e saj në Islam, le të flasë me ta apo me to sepse nuk ka problem. Edhe Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e vizitonin gratë e tij kur ishte në itikaf dhe ai fliste me to, pastaj ato largoheshin. Kjo tregon që nuk ka problem te kjo gjë.
Pra, itikafi është qëndrimi në xhami për të bërë vepra të mira për Allahun e Lartësuar, qoftë për një kohë të gjatë apo të shkurtër, sepse me sa dimë ne, nuk ka ardhur ndonjë përcaktim për kohën, as për një ditë, as për dy ditë e as për më shumë se aq. Itikafi është një ibadet i ligjëruar. Ama nëse njeriu zotohet për të bërë itikaf, ai bëhet obligim për të për shkak të zotimit të tij. Itikafi është i njëjtë si për gruan ashtu edhe për burrin. Nuk është kusht që të jesh i agjërueshëm për të hyrë në itikaf, sipas mendimit më të saktë. Nëse burri apo gruaja hyjnë në itikaf pa qenë të agjërueshëm, jashtë muajit të Ramadanit, atëherë s’ka problem.
Përktheu: Alban Malaj