Autor: Imam Muhamed Nasiruddin el-Albani

Burimi: Silsiletul-Huda ue Nur, kaseta 317, minutat 37:01

 

 

Pyetje: Në lidhje me ata që e lejojnë nxjerrjen e zekatul-fitrit në të holla, thonë se Imam Ebu Hanife – Allahu e mëshiroftë – e ka lejuar këtë, duke e ditur se kjo i kundërshton hadithet e sakta të Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam. Andaj, çfarë ju thuhet atyre? Ata thonë se: Imami – normalisht – argumenti i Imam Ebu Hanifes është argument dhe kjo merret prej tij”. Çfarë t’u themi atyre?

 

Shejkh Albani: Atyre u themi:

فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا

“Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë (të fesë), drejtojuni Allahut (Librit të Allahut, Kuranit) dhe të Dërguarit (Sunnetit të tij), nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit. Kjo për ju është më e mira dhe përfundimi më i mirë.” En-Nisa, 59

 

Problemi me këta njerëz është se nuk e dijnë vlerën e Kuranit dhe Sunnetit. E pakta që mund ta them është: nuk ia dijnë pozitën (vlerën) e Kuranit dhe Sunnetit ashtu siç e dijnë këtë pozitë Imamët (e mëdhenj të Fesë). Pastaj, këta, i shikojnë medh’hebet e katër imamëve sikur të jenë katër Sheriate, dhe kështu ia lejojnë Muslimanit që të marrë nga njëri nga këto katër sheriate ose nga cilido medh’heb qoftë nga këto katër medh’hebet.

Andaj, të ngjashmit si këta, kanë nevojë për një ligjëratë, që njeriu t’ua mbajë atyre dhe tua bëjë të qartë se çfarë është feja. A është feja tha filani e fisteku? Apo se feja është ashtu siç ka thënë Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë:

 

العلم قال الله قال رسوله *** قال الصحابة ليس بالتّمويه

Dituria është: ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Tij, kanë thënë Sahabët, e nuk është me zbukurim (fjalësh).

ما العلم نصبك للخلاف سفاهة *** بين الرّسول وبين رأي فقيه

Dija nuk është hise e jotja që t’i hysh përciptazi kundërshtimit (hilaf-it) midis të Dërguarit dhe mendimit të një fekihi.

كلّا ولا جحد الصّفات ونفيها *** حذرا من التّعطيل والتّشبيه

Kurrsesi, nuk ka mospranim të Cilësive (të Allahut) dhe mohim të tyre, duke u ruajtur nga mohimi (t’atil) dhe përngjasimi (teshbih).

 

Thelbi i gjithë kësaj është se, atyre duhet t’ju bëhet e qartë se për çdo çështje që kanë mospajtime dijetarët, duhet që të kthehet tek ajo që ka thënë Allahu dhe tek ajo që ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

Dhe pas kësaj themi se ka hadithe që thonë se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alibi ue sel-lem – e bëri obligim sadakatul-fitrin duke dhënë një sa’a me elb, ose një sa’a me hurma, ose një sa’a me djathë ose një sa’a me rrush të thatë. Dhe një hadith tjetër nga hadithi i Ibën Abbasit se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – ka thënë:

Pejgamberi e bëri obligim sadakanë (e fitrit) si pastrim për agjëruesin dhe si ushqim për të varfërit.”

 

Qëllimi me këtë sadaka (zekatul-fitrin) është ushqyerja duke u bazuar në vet tekstin e këtij hadithi. Atëherë, le ta shikojnë ata këtë hadith dhe atë tjetrin (sipër). Hadithi i parë e shtjellon llojin e ushqimit për të cilin është bërë obligim sadakatul-fitri, kurse hadithi i dytë të kthen tek urtësia e ligjësimit të sadakatul-fitrit. Kjo urtësi ka dy degë: njëra ka të bëjë me atë që jep sadakanë dhe tjetra ka të bëjë me të varfrin.

Sa i përket urtësisë së parë thotë se është pastrim për agjëruesin. Kjo sadaka është pastrim për agjëruesin dhe për tjetrën (thotë) se është ushqyerje e të varfërve. Kur ti e jep atë (sadakatul-fitrin) në të holla, nuk e ke ushqyer atë. Siç mendojnë shumë njerëz – dhe tani së afërmi ndodhi një diskutim midis meje dhe njërit prej tyre i cili fliste duke e konsideruar atë gjë të mirë dhe duke i dhënë përparësi mendimit dhe logjikës para transmetimit (haditheve) – ai tha: “Nëse ne e japim në të holla, ai ka hapësirë në këtë gjë që të blejë rroba për familjen e tij, fëmijët e tij, e kështu me radhë...”

Ne i thamë atij: “O vëlla! Synimi i kësaj sadakaje nuk është si synimi i sadakasë nga zekati vjetor, i cili është obligim me kushtet e tija që janë të njohura, dhe një nga ato kushte është nisabi (sasia e caktuar për zekat), siç e kemi përmendur më herët. Kështu që, ai duhet të nxirret ose flori ose argjend.

Ndërsa këtu (te zekatul-fitri) çështja nuk qëndron ashtu, sepse nuk është qëllimi bollëku i përgjithshëm për çdo gjë në lidhje me të varfërin, porse është për qëllim një bollëk i veçantë, dhe ai është në ushqim. Dhe ky bollëk i veçantë nuk është në ditën e Bajramit sepse është një ditë e vetme, porse bollëku është për ditët që do vijnë pas Bajramit. Kjo është ajo që ndodh realisht, kur u plotësohen fukarenjve dhe skamnorëve sasitë me një sa’a që u jepen me ushqim të cilin e ka bërë obligim Zoti i botëve përmes gjuhës së Pejgamberit të Tij fisnik. Kështu, ai (i varfëri) bëhet i pasur në njëfarë mënyrë për muaj të tërë apo për më shumë, nga ajo që i është dhënë, në bazë të sadakasë që Zoti ynë – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – ka dërguar.

Andaj, qëllimi me këtë sadaka nuk është tjetër vetëm se bollëku ndaj fukarenjve në ushqimin e tyre, kaq. Kështu, nëse u sqarojmë atyre (që e lejojnë dhënien e zekatul-fitrit në të holla) dhe janë të përgatitur që t’i lënësh anash dy gjëra:

E para: Fanatizmin medh’hebor.

Sepse ai vjen e të thotë se: “Medh’hebi im është hanefij; imami im thotë kështu; imami im është dijetar (‘alim),” e kështu me radhë... këtë e kemi të vështirë që ta largojmë nga fanatzimi medh’hebor, vetëm se duke e ndjekur dhe vëzhguar (çështjen e tij) dhe duke polemizuar me të në mënyrën më të mirë.

(E dyta): po ashtu që të largohet nga pasimi i epshit.

Ngase shumë njerëz nuk janë me medh’heb Hanefij, por me mendimin dhe logjikën e tyre mendojnë se medh’hebi i Ebu Hanifes është më i përshtatshëm për këtë kohë. Kështu e lënë medh’hebin e tyre për një medh’heb të cilin e kundërshtojnë në 99 për qind përveç se në këtë çështje (zekatul-fitrin), dhe kështu marrin mendimin e Ebu Hanifes, sepse epshin që ka, e ka gjetur tek ata (që japin fetva të tillë).

Andaj, ne e kemi detyrë që t’i edukojmë njerëzit, që së pari: të largohen nga fanatzimi medh’hebor. Dhe së dyti: të largohen nga pasimi i epshit, sepse pasimi i epshit është devijim. Po.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari

23 Qershor 2015