Bismilah...

Prej kur Ebu Bekri e mori emërtimin “Siddik” dhe çfarë do të thotë ky emërtim?

 

Transmetohet nga Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Kur Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, udhëtoi brenda natës për në Mesxhid el-Aksa, njerëzit filluan të flasin për këtë. Disa njerëz që besonin Pejgamberin për të dërguar dhe pohonin se ai e thotë të vërtetën, u lëkundën te kjo çështje dhe shkuan me vrap te Ebu Bekri, radijAllahu anhu, e i thanë: “A e ke dëgjuar shokun tënd se ç’thotë, pretendon se ka udhëtuar brenda natës në Bejtul-Makdis? Ebu Bekri tha: “Kështu thotë ai?” Ata i thanë: “Po!” Ebu Bekri tha: “Nëse ai thotë kështu, atëherë të vërtetën e ka thënë.” Ata i thanë: “A beson ti se ai brenda natës ka shkuar në Bejtul-Makdis dhe është kthyer para se të zbardhet?!” Ebu Bekri tha: “Po! Pa dyshim se unë i besoj edhe për atë që është më larg se kjo! Unë i besoj për lajmet që i vijnë nga qielli në fillim të ditës dhe në fund të ditës.” Për këtë arsye, Ebu Bekri mori nofkën “es-Siddik”. [1]

" لما أسري بالنبي صلى الله عليه وسلم إلى المسجد الأقصى أصبح يتحدث الناس بذلك فارتد ناس ممن كانوا آمنوا به وصدقوه وسعوا بذلك إلى أبي بكر رضي الله عنه فقالوا: هل لك إلى صاحبك يزعم أنه أسري به الليلة إلى بيت المقدس؟ قال:أو قال ذلك؟ قالوا: نعم، قال: لئن كان قال ذلك لقد صدق، قالوا: أو تصدقه أنه ذهب الليلة إلى بيت المقدس وجاء قبل أن يصبح؟ قال: نعم إني لأصدقه فيما هو أبعد من ذلك، أصدقه بخبر السماء في غدوة أو روحة. فلذلك سمي أبو بكر الصديق ".

Shënim i përkthyesit:

Përkufizmi i fjalës "siddik" në terminologjinë fetare

Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Siddik do të thotë: ai që është në kulmin e sinqeritetit dhe dëlirësisë apo në kulmin e vërtetësisë; Siddik do të thotë ai që i realizon fjalët në vepra. Po ashtu fjala siddik do të thotë: “Fisnikët dhe të ndershmit që i ndjekin Pejgamberët të cilët janë të parët që u besojnë atyre, siç ishte Ebu Bekri siddiku.” [2]

Shejkh Sadij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Siddikun janë ata që i kanë plotësuar gradat e imanit, veprat e mira dhe bindjen e thellë dhe të vërtetë.” [3]

Ibën el-Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Grada më e lartë e besnikërisë dhe sinqeritetit (sidk) është grada e siddikije-së, e cila është: nënshtrimi i plotë ndaj të Dërguarit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, bashkë me sinqeritetin e plotë ndaj Atij që e ka dërguar atë.” [4]

________________________

[1] Es-Silsiletu es-Sahihah, nr. 306

[2] Tefsirul-Kurtubij, 5/272

[3] Tefsiru Sadij, fq. 841

[4] Medarixhu Salikin, 2/258

 

Përktheu: Jeton Shasivari