Autor: Shejkh Salih es-Suhejmi

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=146354

Pyetje: (Pyetësi) thotë: “Allahu ju dhëntë sukses. Kohët e fundit vërehet se Perëndimi ka marr iniciativë me kërcënimet e tij dhe do të ndërhyj në Irak, (pyetësi) thotë se në fillim SHIISH-i (ISIS) vriste dhe kryqëzonte (njerëz). Tani që këta (terroristët e ISIS-it) kanë filluar me të Krishterët duke i vrarë burrat e tyre dhe duke i robëruar gratë e tyre, (pyetësi) thotë: ndërhyri Perëndimi?

Përgjigje: Në rregull! Cili është shkaku?! Ne po pyesim të kundërtën: Kush është ai që ua dha atyre këtë shkas?! A nuk janë Tekfirijunët, të cilët i masakrojnë Muslimanët, përveç kësaj edhe të Krishterët! Ata masakrojnë çdonjërin që i kundërshton ata, i therin si delet. Ata vrasin të voglin, të porsalindurin, plakun, gruan që janë nga Muslimanët.

Pra, kush është ai që u jep arsye pabesimtarëve nga Perëndimi dhe Lindja, gjë që janë mbledhur kundër Muslimanëve për shkak të veprave të tyre (Khauarixhëve).

﴿وَمَا أَصَابَكُمْ مِنْ مُصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ﴾

“Çdo fatkeqësi që ju godet, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija) që keni bërë.” Esh-Shura, 30

Pra, këta Tekfirijun dhe Khauarixh janë po këta që ua kanë mundësuar atyre pabesimtarëve të bëjnë këtë vepër (të ndërhyjnë në Irak, sh.p). Madje ata, tani në Sham, bashkëpunojnë me Nusajrit kundër Ehli Sunnetit, si dhe në Irak e në vende tjera. Ata bashkëpunojnë me armiqtë e Sunnetit, siç janë Rafidijtë dhe të tjerët, kurse ata (ISIS-i) shfaqen duke pretenduar se janë armiq të tyre (Rafidijve).

Por, këta që janë vrarë nga duart e këtyre (Khauarixhëve) janë më shumë se ata që kanë vrarë Rafidijt në Irak. Që të gjithë kanë një medh’heb të prishur, qofshin Rafidijt, apo Khauarixhët, çfarëdo besimi dhe emërtimi qoftë ai. Padyshim se të gjithë ata janë në devijim dhe të gjithë janë të dalë nga feja.

﴿لاَ يَرْقُبُونَ فِي مُؤْمِنٍ إِلاًّ وَلاَ ذِمَّةً﴾

“Ata nuk respektojnë as farefisin dhe as marrëveshjen e besimtarit.” Et-Teubeh, 8

Unë them: kush janë ata që ua kanë mundësuar atyre këtë?! Ua kanë mundësuar atyre ata që japin fetva të devijuara, të cilët i humbën të rinjtë tanë pas këtij iluzioni dhe u kanë dhënë atyre letrën e indulgjencës (faljes së mëkateve) siç janë letrat e të Krishterëve, letrat e priftërinjve, që nëse e shpërthejnë veten e tyre me eksploziv në një vend të caktuar, menjëherë do t’ju vijnë atyre hyritë (bukuroshet e xhennetit).

Është për t’u habitur se nuk e dëgjon prej tyre fjalën “Ngritja e Fjalës së Allahut” dhe as fjalën “Fitorja e Fesë” porse të gjitha këndimet e tyre, ilahijet, këngët dhe brohoritjet e tyre që po i përsërisin, të gjitha këto kufizohen vetëm tek hyritë. Padyshim se hyritë janë prej begative të xhenetit dhe kjo është një e vërtetë që çdo musliman e kërkon atë, porse që të kufizohen gjërat vetëm tek kjo çështje është injorancë.

Njërin prej tyre që e takuam në Komisionin e Këshillimit, unë e pyeta rastësisht: A je i martuar? Më tha: “Pasha Allahun në mes meje dhe martesës më ndau një çast i vetëm, porse u privova prej saj.” I thash: pa si ishte, ma thuaj? Më tha: “pothuajse isha duke u martuar me hyritë (e xhennetit) në vend të hyrive të kësaj bote, porse më privuan kur më arrestuan.” I thashë: Falendero Zotin tënd që të kanë arrestuar, të kanë ndaluar që të jesh vrasës apo i vrarë, agresor apo të kishe mbaruar. Andaj, falendero Allahun – e Madhëruar e të Lavdëruar – i Cili të shpëtoi që mos t’i vrasësh Muslimanët në emër të Xhihadit të rremë, mashtrimit, i cili nuk është Xhihad porse është shkatërrim në fe.

Shikoni këta! Dje kishin vrarë përnjëherë 150 persona nga Ehli Sunneti në Irak, ata Khauarixh. E të mos e përmendim fare metodën e urryer me të cilën i vrasin ata. Para disa ditësh kishin vrarë pesë persona. Ma sha Allah! Ata e “kanë frik Allahun.” Ua diktojnë atyre shehadetin (dëshminë La ilahe il-Allah), pastaj i vrasin. Në rregull! Prej nga erdhët me këtë gjë (parim)?! Nëse ia dikton shehadetin dhe ai e thotë shehadetin, madje edhe sipas terminologjisë suaj, përderisa ai e tha shehadetin dhe hyri në Islam, atëherë përse e vret atë?! Përse e vret atë?! Ata thonë: ne duam që ai të vdes në Islam. Ai e thotë shehadetin kurse ata e therin me thikë.

Ata janë egërsira. Madje me aq sa duket – Allahu e di më së miri – se ata drejtohen nga ana e pabesimtarëve, e kuptojnë këtë apo nuk e kuptojnë.

Dje një grua thërriste: “O shejkhu jonë Bagdadi! Na merr! Fëmijët tanë kanë shkuar! Fëmijët tanë janë nëpër burgje!” Një grua e cila jeton në begati, jeton me mbulesë (hixhab), jeton në një vend ku ka siguri, dhe në një vend të mbulesës, dëshiron t’ju bashkëngjitet atyre budallenjve dhe u thërret atyre përmes faqeve të twitter-it. Ajo do që ta shpëtojnë atë nga një vend Islam që të jetë nën udhëheqjen e tyre që janë të dalë nga feja e Allahut – të Madhëruar e të Lavdëruar.

Kini kujdes! Kini kujdes! Muslimani nuk është dinak, e as që dinaku e mashtron atë. Kthehuni dijetarëve edukatorë, pyesni ata për këto çështje. Hapi sytë o ti vëlla i ri që mos të mashtrohesh!

Pasha Allahun o vëllezër! Sa për këshillë, gjithashtu po ju përmend diçka që më ka rastisur mua. Njëri që u kthye nga vendet e fitneve (Siri dhe Irak), një nga ata që Allahu e begatoi me largpamësi, të cilët u zgjuan dhe erdhën në vete, na ka treguar neve një gjë të çuditshme, tha: “ekziston një bandë që ka tre shefa. Një shef këtu te ne që i rekruton ata, një shef në Sham dhe një shef në Turqi. Kjo është bandë.” Ai tregon dhe thotë: “Më thanë: sa të holla ke me vete?”– pasi që u dha besën atyre dhe shkoi me ta? Ai tha: e shita makinën për 20.000 rijal (afër 4000 euro). Më thanë: “në rregull! Këto 5.000 rijal të ngelën ty që t’i shpenzosh për rrugë, kurse 15.000 ia paguan këtu klientit që është këtu brenda, që t’u dërgohen klientëve të tjerë në mënyrë që të të blejmë me këto armatim e të luftosh me to.”

Ai tregon: “kur mbërrita atje, nuk pashë Xhihad. Pashë njerëz (Muslimanë) që luftojnë njëri-tjetrin. Më thanë mua: shko tek ky vend dhe hidhe veten në erë me eksploziv. Në rregull! Madje edhe në një vend të Sunnetit!” Pra në një vend ku ka njerëz prej Ehli Sunnetit.

Ai tregon: Kur unë polemizoja me ta, më pëshpëriti njëri prej atyre që ishte i paaftë dhe donte të kthehej – që kishte shkuar prej këtu dhe ishte mashtruar nga ata – më tha: “mos i kundërshto ata se do të vrasin e do të likuidojnë. Nëse ke mundësi të arratisesh dhe të kthehesh në vendin tënd, atëherë bëje. Unë po pres dhe përpiqem.” Më thotë mua: “kam dy muaj (që përpiqem të arratisem, sh.p.) porse nuk kam mundur ngase jam kërcënuar që nëse lëviz prej këtu, atëherë fundi im është vrasja.”

O vëllezër! Këto gjëra po përsëriten, andaj kini kujdes dhe hapni sytë. Paralajmëroni bijtë tuaj nga këto fetva të devijuara të cilat i japin ata të devijuar. Urdhëroni ata që t’u kthehen dijetarëve edukatorë të cilët i largojnë nga Libri i Allahut shtrembërimet e ekstremistëve, pretendimet e gënjeshtarëve dhe interpretimet e injorantëve.

Pjesë e një ligjërate të Shejkh Suhejmit e mbajtur në Xhamin e Medines Profetike, më datë 12 Sheual 1435, që përkon me datë 8 gusht 2014.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari