Shejkh Salih el-Feuzan 

 


Pyetje: Pyetësi pyet për këtë grup që i kanë lënë Muslimanët dhe po i kundërshtojnë ata. Ata kryejnë shpërthime me bomba dhe i terrorizojnë njerëzit të cilët më përpara kanë qenë të qetë. A janë me të vërtetë këta njerëz prej Khaurixhëve apo janë Qafira?

Përgjigje: “Ky grup i cili i ka lënë Muslimanët dhe është rebeluar kundër tyre - kjo ka ardhur si rezultat i braktisjes së Dijetarëve. Unë i përmenda pasojat e kësaj gjatë pjesës së fundit të ligjëratës (së mëparëshme). Ata u larguan nga Dijetarët, u larguan nga Prijësat e Muslimanëve dhe kështu kufarët me munafikët ua futën në mendje këtë ideologji.

Në këtë mënyrë ata dolën fare nga shoqëritë e Muslimanëve.

Ata janë Khauarixhë, nuk ka asnjë dyshim! Veprimet e tyre janë veprime të Khauarixhëve. Madje, ata janë më të dhunshëm dhe më ekstremistë sesa Khauarixhët (e hershëm). Khauarixhët nuk i shkatërronin ndërtesat dhe vendbanimet. Khauarixhët dilnin ballëpërballë në betejë. Ata luftonin në shesh të betejës megjithëse ishin injorantë. Por ata nuk i rrënonin shtëpitë megjithë njerëzit që ishin brenda tyre: gra, fëmijë, të pafajshëm, njerëz të cilët ishin në paqe me Muslimanët, ata të cilët kishin marrëveshje me Muslimanët dhe ata njerëz të cilëve u ishte garantuar siguria. Khauarixhët nuk e bënin këtë. Kjo është akoma më e keqe dhe më mizore sesa veprimet e Khauarixhëve. Kjo ngjan më shumë me veprimet e Keramitëve. Ata ngjajnë më shumë me Keramitët sepse veprimet e Keramitëve janë të fshehta e tinëzake, të bazuara në sekrete dhe njësoj, ajo çfarë bëjnë këta njerëz sot është e bazuar mbi sekrete. Veprimet që ndërmerrnin Khauarixhët nuk ishin të fshehta e sekrete; ata i nxirrnin në shesh vetet dhe veprimet e tyre duke i deklaruar ato. Kështu që, këta njerëz janë më të këqinj sesa Khauarixhët.”

 

Përktheu Alban Malaj