Autor: Muhamed Aman el-Xhamij

 

 

Pyetja: Një pyetës tjetër pyet: Çfarë është Sururizmi? Dhe çfarë ndryshimi ka midis atij dhe el-Ikhuanul-Muslimin?

 

Përgjigje: Kjo pyetje, siç u thashë, është prej pyetjeve që vijnë nga qyteti Kharxh. Dhe për shkak se në qytetin Kharxh janë të paktë ata që mbajnë ligjërata, për ta këto pyetje janë shumë të rëndësishme. Mirëpo këto pyetje e përgjigje janë përsëritur disa herë për ju, prandaj unë po përgjigjem sikur jam në Kharxh dhe jo në Xhiddeh, prandaj them:

Sururizmi i atribuohet “Muhamed Surur Zejnul-Abidin”, i cili është i njohur për armiqësinë e tij ndaj librave të Teuhidit, për armiqësinë e tij ndaj njerëzve të Teuhidit, si dhe është i njohur për largimin e të rinjve nga librat e Teuhidit dhe për luftimin e librave të Teuhidit. Të gjitha këto i keni të sqaruara me detaje në disa prej ligjëratave të mia të mëparshme, dhe ju e dini tashmë qëndrimin e dijetarëve të mëdhenj ndaj librave të tij dhe fetvanë e tyre për të. Ky është Sururizmi.

 

Kurse el-Ikhuan el-Muslimun janë më të vjetër sesa Sururitë, kanë më shumë shtrirje se ata, kanë më shumë propagandë për menhexhin e tyre dhe lëvizjet e tyre. Ata janë të përhapur mes jush, jetojnë me ju dhe shfaqen sikur por thërrasin në Islam, mirëpo ajo është thirrje pa praktikë, pa përmirësim, pa urdhërim të së mirës dhe ndalim të së keqes, pa refuzim të së keqes, pa mësimdhënie, por vetëm grumbullim të njerëzve dhe pastaj i lënë në injorancë.

 

Kam dhënë një shembull për këtë thirrje në një prej ligjëratave të mia: shembulli i tyre është njësoj si shembulli krahasues midis davetit të tyre dhe davetit të selefive. Një njeri selefij hyn në treg dhe u thotë njerëzve: “Çohuni o robër të Allahut, merrni abdes, kurse ai që ka nevojë për gusl të marrë gusl, pastrohuni dhe shkoni në xhami që të falni namazin.” Pra, duhet të fillojnë me pastrimin, pastaj të përgatiten për namaz dhe të falen. Pastaj vjen një njeri tjetër, që është nga ana tjetër e tregut dhe thotë: “Lëreni ça thotë ky, shkoni të gjithë në xhami, pa asnjë kusht e pa asnjë kufizim. Kush është xhunub, kush është me menstruacione apo lehoni e kush është pa abdes, që të gjithë në xhami, ju jeni muslimanë, s’ka nevojë për këto kushte.”

 

Kështu është shembulli i davetit të Sururive, domethënë mblidhini njerëzit nën emrin e Islamit, pa edukim, pa mësim dhe pa udhëzim. Mjafton që je në Islam, mjafton që je musliman!!! Kjo është humbje, është pështjellim dhe mashtrim. Kjo nuk është këshillim.

من غشنا فليس منا

“Kush na mashtron neve, ai nuk është prej nesh!”

 

Ky davet (i Sururive) nuk është davet i përmirësimit, që t’u mësohet njerëzve pastrimi, që njerëzve t’u mësohet akideja, t’u mësohen kushtet e fjalës “La ilahe il-lAllah”, kushtet e abdesit dhe kushtet e namazit.

 

Daveti islamik është davet edukativ. Është e çuditshme çështja që ata e përdorin shumë fjalën “edukim”, ndërsa ata nuk kanë edukim, ata nuk edukojnë kurrë, edhe pse fjala edukim përmendet shumë në librat e tyre.

 

Po ju jap një shembull. Unë kam punuar në një shtet të madh islamik, në të cilin ka një prezencë shumë të madhe të këtij xhemati. Gjithashtu, atje gjendet edhe xhemati “Ehli Hadithi” apo Selefitë, menhexhi i Selefive, të cilët kanë bërë një program mësimor, ndryshe nga programi i qeverisë, me të cilin u mësojnë fëmijëve të tyre, djemve dhe vajzave, nëpër medresetë e tyre private, që nga memorizimi i Kur’anit e deri te studimet universitare. Po të shikosh ndonjërin prej tyre, do ta dallosh nga veshja e tij, nga namazi i tij, nga lëvizjet e tij, që ai njeri është selefij. Atje dallon edukimi mësimor nëpër xhamitë e tyre. Kurse për sa u përket atyre të tjerëve, xhematit të madh, nuk bën dot dallim midis atyre dhe sekteve e grupacioneve të tjera që gjenden në atë shtet, sepse ata nuk kanë xhamitë e tyre dhe nuk kanë program mësimor të veçantë, ngaqë ata përzihen plotësisht me të tjerët. Sektet dhe grupacionet atje janë pa hesap! Prandaj s’bën dot dallim kurrë midis atyre dhe midis këtij xhemati që quhet “Xhemati Islamik”, derisa njeriu të thotë vet që ai është nga “Xhemati Islamik”. Nëse ndodh që të shkosh në ndonjë takim ku marrin pjesë një anëtar nga Deobandit, një anëtar nga Brailuitë dhe një anëtar nga Xhemati Islamik, është e pamundur që të bësh dallim midis tyre, në asnjë lloj mënyre. Kurse xhemati “Ehli Hadithi” janë të qartë. Shumë njerëz që vijnë të falen afër meje, në Xhaminë e Profetit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, unë i dalloj nga namazi i tyre që ata janë prej njerëzve të dijes. Pas namazit unë i pyes ata: “Mos je nga Ehli Hadithi?” Ai thotë: “Po!” Unë i them: “Nga cili vend je?” Ai thotë: “Unë jam nga filan qytet.” Pra, duket qartë që ai është edukuar me edukatën Islame. Ky është Islami dhe ky është edukimi Islam. Nuk është edukimi që të shkruash libra rreth edukimit, ndërkohë që s’ka fare edukatë të bazuar në dije. Ky është dallimi midis davetit të saktë Islamik dhe atribuimit tek Islami dhe daveti.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj