Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-S'adij

Burimi: Tefsiri Shejkh S’adit, shtëpia botuese “Darus-Selam, faqe 487”

 

 

Thotë Allahu në Kuran:

الر ۚ كِتَابٌ أَنزَلْنَاهُ إِلَيْكَ لِتُخْرِجَ النَّاسَ مِنَ الظُّلُمَاتِ إِلَى النُّورِ بِإِذْنِ رَبِّهِمْ إِلَىٰ صِرَاطِ الْعَزِيزِ الْحَمِيدِ ﴿١﴾

“Elif Lam Ra. Ky është libër që ta zbritëm ty, që t'i nxjerrësh njerëzit prej errësirave për në dritë, me lejen e Zotit të tyre, për në rrugën e të Gjithëfuqishmit, të Lavdëruarit.”  [Ibrahim 1]

 

 

Komentimi i Shejkh Sa'dit – Allahu e mëshiroftë –:                                                             

Allahu i Lartësuar njofton se Ai ia zbriti librin e Tij të Dërguarit të Tij, Muhamedit – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – me qëllim që t’i bëjë dobi krijesave, që t’i nxjerrë njerëzit prej errësirave të injorancës, kufrit, moralit të keq dhe llojeve të ndryshme të gjynaheve për në dritën e dijes, besimit dhe moralit të mirë.

 

Ndërsa fjala e Tij: “Me lejen e Zotit të tyre.” – d.m.th ata nuk e arrijnë dot atë që kërkohet dhe që është e dashur për Allahun përveç se me dëshirën dhe ndihmën e Allahut. Pra, këtu nxiten robërit që ti kërkojnë ndihmë Zotit të tyre.

 

Pastaj e sqaroi dritën tek e cila i udhëzon ata ky Libër. Duke thënë: “Për në rrugën e të Gjithëfuqishmit, të Lavdëruarit.” – d.m.th rruga që i çon tek Allahu dhe te vendi i shpërblimit të Tij, që përfshin dijen e së vërtetës dhe të vepruarit me të.

 

Ndërsa, kur përmenden në ajet fjalët “Të Gjithëfuqishmit, të Lavdëruarit.” pasi që është përmendur "Rruga - es-Sirat" që të çon tek Ai, kjo tregon se kush ecën në këtë rrugë, ai do të jetë i fuqishëm dhe ngadhënjyes për shkak të fuqisë dhe ndihmës së Allahut, edhe nëse ai nuk ka ndihmëtarë të tjerë përveç Allahut, si dhe do të jetë i lavdëruar në punët e tij dhe do të ketë përfundim të mirë.

 

Përktheu: Altin Dallashi