Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:

 

وَقُلِ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكُمْ فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَاراً أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا وَإِنْ يَسْتَغِيثُوا يُغَاثُوا بِمَاءٍ كَالْمُهْلِ يَشْوِي الْوُجُوهَ بِئْسَ الشَّرَابُ وَسَاءَتْ مُرْتَفَقاً

“Thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për zullumqarët zjarr, muret e të cilit do t’i rrethojnë ata. E nëse ata kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë që vlon, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme që është ajo, e sa vendbanim i keq që është ai.” el-Kehf, 29

 

 

 

Taberiu

 

[1] Taberiu – Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet thotë:

 

Ai, Emri i të Cilit është i Lartësuar, i thotë Pejgamberit të Tij Muhamedit – sal-lAllahu alejhi sel-lem –: O Muhamed! Thuaju atyre të cilëve ua kemi shmangur zemrat nga Përmendja Jonë (adhurimi) dhe e ndoqën epshin e tyre: O ju njerëz! E vërteta është nga Zoti juaj dhe Ai posedon suksesin dhe dështimin (për krijesat), në Dorën e Tij është udhëzimi dhe devijimi. Ai përudh atë që do nga ju drejt udhëzimit, kështu ai beson; dhe e devijon atë që do nga udhëzimi, kështu ai mohon. Unë (si Pejgamber) nuk kam në dorë ndonjë gjë prej këtyre (udhëzimin, devijimin, etj.). Unë nuk e përzë për hir të epshit tuaj atë që e pason të vërtetën, beson në Allahun dhe në atë që më ka zbritur Allahu. Kështu që, po deshët, besoni e po nuk deshët, mohoni. Por, nëse ju mohoni, Zoti juaj ka përgatitur zjarr për ju për shkak të kufrit tuaj (mohimit), muret e të cilit kanë për t’ju rrethuar. E nëse besoni në Allahun dhe bëni vepra me të cilat i bindeni Atij, atëherë juve u takon ajo që Allahu e ka përshkruar për njerëzit që i binden Atij.

Është transmetuar nga Ibën Abbasi për këtë që ma ka treguar ‘Alijju, i cili thotë: më ka treguar Abdullahu, na ka treguar Mu’auijeh nga ‘Alijju, nga Ibën Abbasi se Fjala e Tij:

فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” el-Kehf, 29

 

Ibën Abbasi thotë: Atij që Allahu ia dëshiron imanin, beson dhe atij që ia dëshiron kufrin, mohon. Siç qëndron te Fjala e Tij:

وَمَا تَشَاءُونَ إِلَّا أَن يَشَاءَ اللَّـهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ

“Por ju nuk mund të dëshironi vetëm se atë që dëshiron Allahu, Zoti i botëve.” Et-Tekuir, 29

 

Por kjo nuk është liri nga ana e Allahut, që të mohojë ai që do dhe të besojë ai që do, por kjo është kërcënim dhe paralajmërim.

 

Këtë (ajet më sipër) e ka sqaruar Fjala e Tij (ajeti në vazhdim):

إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَاراً أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا

“Ne kemi përgatitur për zullumqarët zjarr, muret e të cilit do t’i rrethojnë ata.” el-Kehf, 29

 

Si dhe ajetet që vijnë pas këtij.

Siç na ka treguar el-Hasen bin Jahja i cili ka thënë: na ka treguar Abdu-Rrezaku, nga Umer bin Habibi, nga Daudi, nga Muxhahidi, i cili për Fjalën e Tij:

فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” el-Kehf, 29

 

Muxhahidi ka thënë: “Ky ajet është kërcënim nga Allahu, e nuk është shpëtim dhe rrugëzgjidhje për ta.”

 

Na ka treguar Junusi, i cili thotë se na ka treguar Ibën Uehbi, i cili ka thënë: na ka treguar Ibën Zejdi, se Fjala e Tij:

فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” el-Kehf, 29

 

Si dhe Fjala tjetër e Tij: 

اعْمَلُوا مَا شِئْتُمْ

“...punoni çfarë të doni...” el-Fusilet, 40

 

Të gjitha këto ajete janë kërcënim, e nuk janë as lajka, as ledha dhe as ofrim i lirisë.

 

Dhe Fjala e Tij:

إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَاراً

“Ne kemi përgatitur për zullumqarët zjarr.” el-Kehf, 29

Ai, Emri i të Cilit është i Lartësuar, thotë: Ne kemi përgatitur zjarr për zullumqarët, të cilët e mohuan Zotin e tyre.

 

 

 

Begauiju

 

[2] Begauiju – Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet thotë:

 

وَقُلِ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكُمْ

“Thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj.” el-Kehf, 29

 

Që do të thotë: ajo që është përmendur në lidhje me Imanin dhe Kuranin.

 

Domethënia e këtij ajeti është: O ti Muhamed! Thuaju atyre të cilëve ua kemi shmangur zemrat nga Përmendja Jonë: O ju njerëz! U ka ardhur e vërteta nga Zoti juaj. Ai posedon suksesin dhe dështimin (për krijesat), në Dorën e Tij është udhëzimi dhe devijimi. Unë (si Pejgamber) nuk kam në dorë ndonjë gjë prej këtyre (udhëzimin, devijimin, etj.).

 

فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” el-Kehf, 29

 

Ky është kërcënim dhe paralajmërim, sikurse Fjala e Tij:

اعْمَلُوا مَا شِئْتُمْ

“...punoni çfarë të doni...” el-Fusilet, 40

 

Është thënë se kuptimi i ajetit është: Thuaj se e vërteta është nga Zoti juaj. Unë nuk i përzë besimtarët për shkak të epshit tuaj. Kështu që, po deshët, besoni, po nuk deshët, mohoni. Por, nëse ju mohoni, Zoti juaj ka përgatitur zjarr, muret e të cilit kanë për t’ju rrethuar. E nëse besoni, atëherë u takon ajo që Allahu e ka përshkruar për njerëzit që i binden Atij.

 

Është transmetuar nga Ibën Abbasi se për kuptimin e këtij ajeti ka thënë: Atij që Allahu ia dëshiroi imanin, beson dhe atij që ia dëshiroi kufrin, mohon. Siç qëndron te Fjala e Tij:

وَمَا تَشَاءُونَ إِلَّا أَن يَشَاءَ اللَّـهُ

“Por ju nuk mund të dëshironi vetëm se atë që dëshiron Allahu, Zoti i botëve.” El-Insan, 30

 

“Ne kemi përgatitur,” pra kemi bërë gati “për zullumqarët,” për qafirat, “zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët.” “Es-Suradik” është dhoma e cila është e rrethuar me mure.

 

 

 

Ibën Kethiri

 

[3] Ibën Kethiri – Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet thotë:

 

Fjala e të Lartësuarit për të Dërguarin e Tij Muhamedin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –: O Muhamed! Thuaju njerëzve se kjo me të cilën kam ardhur nga Zoti juaj, është e vërteta, për të cilën nuk ka diskutim e as dyshim. 

 

فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” el-Kehf, 29

 

Ky është nga aspekti i kërcënimit dhe paralajmërimit të ashpër, për këtë arsye ka thënë: “Ne kemi përgatitur,” pra kemi caktuar. “Për zullumqarët,” e që janë ata që mohojnë Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Librin e Tij. “Zjarr muret e të cilit do t’i rrethojnë ata,” pra muret rrethuese të tij. 

 

 

 

Sadi

 

[4] Shejkh Abdu-Rrahman Sadi – Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet thotë:

 

وَقُلِ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكُمْ فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَاراً أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا

“Thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për zullumqarët zjarr, muret e të cilit do t’i rrethojnë ata.” el-Kehf, 29

 

Që do të thotë: O Muhamed! Thuaju njerëzve se ai është e vërteta nga Zoti juaj, pra është sqaruar udhëzimi nga devijimi, rruga e drejtë nga ajo e humbur, cilësitë e njerëzve të lumturisë dhe cilësitë e njerëzve të mjerimit, gjë që e ka shpjeguar Allahu përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij. Kur një çështje sqarohet dhe bëhet e qartë, nuk ngelet më në të ndonjë dyshim.

 

فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” el-Kehf, 29

 

Që do të thotë: nuk ngelet vetëm se zgjedhja e njërës prej këtyre dyja rrugëve në bazë të suksesit të robit dhe mossuksesit të tij. Allahu i ka dhënë njeriut vullnet (dëshirë) me të cilën mund ta zgjedh imanin apo kufrin, të mirën (khajrin) apo të keqen (sherrin).

Kështu që, ai i cili beson, i është dhënë sukses që të jetë në të vërtetën. Kurse ai që bën kufër (mohon), i është ngritur argumenti dhe ai nuk detyrohet që të besojë. Siç ka thënë i Lartësuari:

لَا إِكْرَاهَ فِي الدِّينِ ۖ قَد تَّبَيَّنَ الرُّشْدُ مِنَ الْغَيِّ

“Në fe nuk ka detyrim. Është sqaruar e vërteta nga e kota.” El-Bekare, 256

 

Dhe në Fjalën e të Lartësuarit: “Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë,” nuk ka leje që të zgjedhësh kë të duash nga këto dyja, porse kjo është kërcënim dhe paralajmërim për atë që zgjedh kufrin pasi që i është bërë plotësisht e qartë e vërteta, ashtu siç nuk gjendet në këtë ajet braktisje e luftimit të kufarëve (braktisjen e xhihadit). Pastaj, i Lartësuari përmend përfundimin e të dyja palëve, e thotë:

إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ

“Ne kemi përgatitur për zullumqarët.” el-Kehf, 29

 

Për shkak të kufrit, mëkateve të mëdha dhe daljes nga bindja ndaj Allahut.

 

نَاراً أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا

“...zjarr, muret e të cilit do t’i rrethojnë ata.” el-Kehf, 29

Mure rrethuese që do t’i rrethojnë. Kështu, ata nuk kanë rrugëdalje dhe as shpëtim prej zjarrit, të cilët do t’i djeg një zjarr përcëllues.

 

 

 

Shenkiti

 

[5] Shejkh Muhamed el-Emin esh-Shenkiti – Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet thotë:

 

فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” el-Kehf, 29

 

Nga ana e jashtme, ky ajet, sipas përbërjes nga ana gjuhësore, përmban ofrimin e zgjedhjes mes kufrit dhe imanit, por qëllimi me këtë ajet fisnik nuk është ofrimi i zgjedhjes, porse është kërcënimi dhe frikësimi. Kërcënimi me këtë kontekst e cila nga pamja e jashtme është ofrimi i zgjedhjes, është një nga mënyrat e shprehjes së gjuhës arabe. Argument nga Kurani Madhështor se qëllimi i këtij ajeti është kërcënimi dhe frikësimi, është se pas këtij ajeti vjen Fjala e Tij:

إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَاراً أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا وَإِنْ يَسْتَغِيثُوا يُغَاثُوا بِمَاءٍ كَالْمُهْلِ يَشْوِي الْوُجُوهَ بِئْسَ الشَّرَابُ وَسَاءَتْ مُرْتَفَقاً

“Ne kemi përgatitur për zullumqarët zjarr, muret e të cilit do t’i rrethojnë ata. E nëse ata kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë që vlon, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme që është ajo e sa vendbanim i keq që është ai.” el-Kehf, 29

 

Ky është argumenti më shkoqitës se qëllimi me këtë ajet, është kërcënimi dhe frikësimi. Sikur të ishte zgjedhja në vete, nuk do ta kërcënonte me këtë dënim të dhimbshëm njërën nga dy palët që u është dhënë mundësia për të zgjedhur midis kufrit dhe imanit. Siç e sheh, kjo është e qartë.

 

Burimi: Aduaul-Bejan, vëll. 3, fq. 266

 

 

 

Ibën Uthejmini

 

[6] Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmini– Allahu e mëshiroftë – për këtë ajet thotë:

 

Fjala e Tij: “Thuaj,” kjo e folur i drejtohet të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që do të thotë: Thuaje atë haptazi se “e vërteta është nga Zoti juaj” e jo nga dikush tjetër. Andaj, mos e kërkoni të vërtetën përmes një rruge tjetër nga ajo e Allahut, sepse e vërteta është prej Allahut.

 

“Le të mohojë,” është për qëllim kërcënimi e nuk është për qëllim lejimi (i kufrit). Përkundrazi është kërcënim, ashtu siç e kërcënon njeriu ndonjë duke i thënë: “Nëse je i sinqertë dhe besnik, bëj kështu.”

Argument për këtë është Fjala e Tij, të Lartësuarit, që vjen pas këtij ajeti:

إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَاراً أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا

“Ne kemi përgatitur për zullumqarët zjarr, muret e të cilit do t’i rrethojnë ata.” el-Kehf, 29

 

Pra, ai që bën kufër, i takon zjarri, i cili i është premtuar.

Fjala e Tij “për zullumqarët,” janë për qëllim kufarët (pabesimtarët). Argument për këtë është Fjala e Tij: “le të mohojë.”

 

Nëse dikush pyet: “A quhet kufri zullum?”

 

Përgjigja është: Po! Siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَالْكَافِرُونَ هُمُ الظَّالِمُونَ

“Pabesimtarët janë zullumqarët.” El-Bekare, 254

 

Nuk ka më zullumqar se ai që e mohon Allahun apo i bën shok Atij në adhurim, kurse Ai është që e ka krijuar, i ka dhënë jetë dhe e ka furnizuar atë.

 

Burimi: Tefsiri i Sures Kehf, 1/62

 

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari