Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-Sadij

Burimi: Tefsiri i shejkh Sadit, shtëpia botuese “Darus-Selam”, fq: 593.

 

 

Thotë Allahu i Lartësuar:

إِنَّهُ مَن يَأْتِ رَبَّهُ مُجْرِمًا فَإِنَّ لَهُ جَهَنَّمَ لَا يَمُوتُ فِيهَا وَلَا يَحْيَىٰ ﴿٧٤﴾ وَمَن يَأْتِهِ مُؤْمِنًا قَدْ عَمِلَ الصَّالِحَاتِ فَأُولَـٰئِكَ لَهُمُ الدَّرَجَاتُ الْعُلَىٰ ﴿٧٥﴾ جَنَّاتُ عَدْنٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا ۚ وَذَٰلِكَ جَزَاءُ مَن تَزَكَّىٰ ﴿٧٦﴾

“Vërtet, kushdo që del përpara Zotit të tij si kriminel, do të hyjë në Xhehenem, e aty ai as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë. Ndërsa, kushdo që del përpara Tij si besimtar dhe ka bërë vepra të mira, atëherë të tillëve u takojnë gradat e larta, Xhenetet e Adnit, poshtë të cilëve rrjedhin lumenj. Aty do të qëndrojnë përgjithmonë, dhe ky është shpërblimi i atyre që janë pastruar.” [Suretu Taha 74-76]

 

Thotë Shejkh Sadij – Allahu e mëshiroftë – në komentimin e këtyre ajeteve:

Allahu i Lartësuar njofton se ai që del përpara Tij, paraqitet tek Ai duke qenë kriminel – d.m.th. e ka përshkruar krimi në çdo aspekt, dhe kjo nënkupton detyrimisht mosbesimin (kufrin) e tij – dhe vazhdon në atë gjendje deri sa vdes, atëherë atij i takon Xhehenemi, i cili ka dënimin e rëndë, përvëlimin e madh, fundin e thellë, dhe nxehtësinë dhe të ftohtin e tij e ka të dhimbshëm. Në të  ka ndëshkim prej të cilit shkrihen mëlçitë dhe zemrat.

 

Prej dënimit të madh, është se ai që dënohet në të, as nuk vdes e as nuk jeton. Nuk vdes që të bjerë rehat, e as nuk bën jetë që ta shijojë atë. Por, jeta e tij është e mbushur me dënimin e zemrës, shpirtit dhe trupit, i cili nuk mund të rigjenerojë fuqitë dhe as të qetësohet prej tij asnjë çast. Ai kërkon ndihmë dhe nuk ndihmohet, lutet dhe nuk gjen përgjigje.

Po! Kur ai kërkon ndihmë, i jepet ujë i nxehtë, sikurse metali i shkrirë i cili përvëlon fytyrat. Dhe kur ai lutet, i thuhet: “Qëndroni aty të poshtëruar, dhe mos më flisni!”

 

Ndërsa ai që shkon te Zoti i tij ndërkohë që ka besuar tek Ai dhe te të Dërguarit e Tij, ka ndjekur librat e Tij, dhe ka vepruar veprat obligative dhe të pëlqyeshmet; “Atëherë të tillëve u takojnë gradat e larta” – d.m.th. pozitat e larta në dhoma të zbukuruara, kënaqësi të përhershme, lumenj të qetë, qëndrim të përhershëm, dhe lumturi të madhe. Gjëra që syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar, e as zemra e njeriut nuk e ka ndjerë.

Fjala e Tij: “Dhe ky” – d.m.th. ky shpërblim.

Fjala e Tij: “Është shpërblimi i atij që pastrohet” – d.m.th. që është pastruar nga shirku, kufri, shthurja dhe mëkatet. Që do të thotë: ose duke mos i vepruar fare, ose duke u penduar nga ato që ka bërë prej tyre.

 

Gjithashtu, e ka pastruar veten e tij dhe e ka rritur atë me besim dhe vepra të mira, ngase pastrimi ka dy kuptime:

1. Kullimi dhe heqja e papastërtisë.

2. Shtimi, me arritjen e së mirës.

 

Andaj dhe zekati është quajtur pastrim për shkak të këtyre dy gjërave.

 

 

Përktheu: Altin Dallashi