Autor: Ibën Kajjim el-Xheuzij

Burimi: El-Feuaid, 59

 

Një dobi në Fjalën e të Lartësuarit:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا

“Ata që përpiqen (bëjnë xhihad) në çështjen Tonë, Ne do t’i udhëzojmë në rrugën Tonë .” el-‘Ankebut, 69.

 

Allahu - i Pastri nga çdo mangësi - e ka lidhur udhëzimin me xhihadin. Pra, njerëzit më të plotë në udhëzim janë ata që më së shumti bëjnë xhihad. Xhihadi më i obliguar është xhihadi me shpirtin, xhihadi me epshin, xhihadi me shejtanin dhe xhihadi me dynjanë. Ai që bën xhihad për hir të Allahut kundër këtyre katër gjërave, Allahu e udhëzon në rrugën e kënaqësisë së Tij, e cila rrugë të shpie në xhenetin e Tij. Dhe ai që e len xhihadin, humb nga udhëzimi aq sa neglizhon ndaj xhihadit.

El-Xhunejdi ka thënë (duke e komentuar këtë ajet): “Ata të cilët bëjnë xhihad kundër epsheve të tyre për hir Tonin duke u penduar, pa dyshim se Ne do t’i udhëzojmë në rrugën e sinqeritetit. Nuk ka mundësi të bëjë xhihad kundër armikut të tij jashtëm vetëm se ai që bën xhihad kundër këtyre armiqve të brendshëm.

Ai që i mposht këto (armiqtë e brendshëm), e ka mposhtur armikun e tij (të jashtëm), ndërsa atë që e mposhtin këto (armiqtë e brendshëm) është mposhtur nga armiku i tij (i jashtëm).

 

Përktheu: Jeton Shasivari