Autor: Shejkh Abdur-Rrahman Es-Sa’dij

Burimi: Tejsiru Kerimi Rahman, fq. 1967

 

فَأَمَّا الْإِنسَانُ إِذَا مَا ابْتَلَاهُ رَبُّهُ فَأَكْرَمَهُ وَنَعَّمَهُ فَيَقُولُ رَبِّي أَكْرَمَنِ ﴿١٥﴾

“Ndërsa njeriun, kur Zoti i tij e sprovon, e nderon dhe e begaton atë, ai thotë: Zoti im më nderoi.” El-Fexhr 15

 

Allahu i Lartësuar njofton për natyrën e njeriut ashtu siç është realisht ai. Dhe se ai është injorant dhe i padrejtë, nuk ka dije për fundin e gjërave. Ai mendon se gjendja e mirë në të cilën ai është do të vazhdojë dhe nuk do të zhduket. Ai mendon se nderimi që Allahu i ka bërë atij në dunja dhe begatia që i ka dhënë, tregon se ai është i nderuar dhe i afërt tek Ai.

وَأَمَّا إِذَا مَا ابْتَلَاهُ فَقَدَرَ عَلَيْهِ رِزْقَهُ فَيَقُولُ رَبِّي أَهَانَنِ ﴿١٦﴾

“Ndërsa, kur e sprovon atë dhe ia cakton (ngushton) rrizkun atij, ai thotë: Zoti im më ka poshtëruar.” El-Fexhr 16

Ndërsa, kur Allahu “ia cakton rrizkun atij” – domethënë ia ngushton, atëherë ai fillon duke llogaritur bukën e gojës dhe nuk i tepron gjë nga ushqimi.

 

كَلَّا ۖ بَل لَّا تُكْرِمُونَ الْيَتِيمَ ﴿١٧﴾

“Jo, përkundrazi ju nuk e nderoni jetimin.” El-Fexhr 17

Atëherë, Allahu ia refuzoi atij këtë mendim me Fjalën e Tij: “Jo, përkundrazi” – që do të thotë se jo çdokënd që e kam begatuar në dunja është i nderuar tek Unë, dhe jo çdokujt që ia kam ngushtuar rrizkun është i poshtëruar tek Unë. Porse, pasuria dhe varfëria, mirëqenia dhe ngushtësia janë sprovë nga Allahu, sprovim me të cilën Ai sprovon robërit, me qëllim që të shikojë se cili do të falenderojë dhe do të bëjë durim. Pastaj, e shpërblen atë për falenderimin dhe durimin me shpërblim të mrekullueshëm, ndryshe nga ai që nuk falenderon dhe nuk bën durim, atë Allahu e çon në dënim të rëndë.

Gjithashtu, fokusimi i interesimit të robit vetëm te vetja e tij, është nga interesimi i dobët që ka ai. Për këtë arsye, Allahu i qortoi ata për mosinteresimin e tyre ndaj gjendjes së krijesave në nevojë dhe tha: “Jo, përkundrazi ju nuk e nderoni jetimin” – domethënë: ai që ka humbur babain e tij dhe atë që  kujdeset për të, i cili ka nevojë për qetësimin e shpirtit dhe bamirësi ndaj tij.

Pra, ju nuk e nderoni atë, përkundrazi e poshtëroni. Kjo tregon për mungesën e mëshirës në zemrat tuaja, dhe për mospasjen dëshirë për vepra të mira.

 

وَلَا تَحَاضُّونَ عَلَىٰ طَعَامِ الْمِسْكِينِ ﴿١٨﴾

“Dhe nuk e nxitni njëri-tjetrin për t’i ushqyer të varfrit.” El-Fexhr 18

Domethënë: ju nuk e nxitni njëri tjetrin për ti dhënë ushqim nevojtarëve prej të varfërve dhe të gjorëve. Kjo për shkak të  kujdesit të madh që keni ndaj dunjasë dhe dashurisë së madhe për të, e cila ka pushtuar zemrat.

 

وَتَأْكُلُونَ التُّرَاثَ أَكْلًا لَّمًّا ﴿١٩﴾

“Madje, e hani trashëgiminë në mënyrë të pangopur.” El-Fexhr 19

“Madje, e hani trashëgiminë” – domethënë: pasurinë e trashëguar.

“Në mënyrë të pangopur” – domethënë: plotësisht, duke mos lënë asgjë prej saj.

 

وَتُحِبُّونَ الْمَالَ حُبًّا جَمًّا ﴿٢٠﴾

“Dhe e doni pasurinë me një dashuri të madhe.” El-Fexhr 20

Domethënë: me dashuri tepër të madhe. Kjo është sikurse Fjala e Allahut të  Lartësuar:

بَلْ تُؤْثِرُونَ الْحَيَاةَ الدُّنْيَا ﴿١٦﴾ وَالْآخِرَةُ خَيْرٌ وَأَبْقَىٰ ﴿١٧﴾

“Përkundrazi, ju i jepni përparësi jetës së dunjas, kurse Ahireti është më i mirë dhe i përhershëm.” el-E`ala 16-17

 

كَلَّا بَلْ تُحِبُّونَ الْعَاجِلَةَ ﴿٢٠﴾

“Jo, përkundrazi ju e doni të përkohshmen dhe e lini pas dore Ahiretin.” El-Kijameh 20

 

Përktheu: Altin Dallashi