Autor: Ismail ibn Umer ibn Kethir (774 h.)

Burimi: 'Umdetut-tefsir 'anil-hafidh ibni Kethir, vëll. 3/ fq. 741

 

 

Komentimi i Sures “Kul ja ejjuhel-Kafirun”

Kjo Sure është Mekase (Mekkijeh) [1]

 

Është vërtetuar në Sahihun e Muslimit nga Xhabiri – radijAllahu anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e ka lexuar këtë Sure dhe Suren “Kul HuAllahu Ehad” në dy rekatet që falen pas Tauafit. [2]

Gjithashtu, ka transmetuar Imam Ahmedi nga Abdullah ibn Umeri – radijAllahu anhuma – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka lexuar në dy sunetet e Sabahut dhe në dy sunetet e Akshamit njëzetë e disa herë (ditë), ose mbi dhjetë herë suren “Kul jaa ejjuhel kaafiruun” dhe suren “Kul HuAllahu Ehad”. [3]

Transmeton Imam Ahmedi nga Abdullah ibn Umer, i cili thotë:

“E kam vëzhguar Pejgamberin – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – njëzetë e katër apo njëzetë e pesë herë duke lexuar në dy sunetet e Sabahut dhe në dy sunetet e Akshamit suren “Kul jaa ejjuhel kaafiruun” dhe suren “Kul HuAllahu Ehad”.” [4]

 

Po ashtu transmeton Imam Ahmed nga Abdullah ibn Umer, i cili thotë:

“E kam vëzhguar Pejgamberin – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – një muaj duke lexuar në dy sunetet e Sabahut dhe në dy sunetet e Akshamit suren “Kul jaa ejjuhel kaafiruun” dhe suren “Kul HuAllahu Ehad.”” Të njëjtën gjë e ka transmetuar edhe Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, dhe ka thënë Tirmidhiu: ky është hadith hasen. [5]

 

Ka transmetuar Ebul Kasim et-Taberanij nga Xhebeleh ibn Haritheh – i cili është vëllai i Zejd ibn Haritheh – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Kur të  shtrihesh për të fjetur lexo Suren “Kul jaa ejjuhel kaafiruun” derisa ta përfundosh atë, pasi ajo të ruan nga shirku!” [6]

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

قُلْ يَا أَيُّهَا الْكَافِرُونَ ﴿١﴾ لَا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُونَ ﴿٢﴾ وَلَا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ ﴿٣﴾ وَلَا أَنَا عَابِدٌ مَّا عَبَدتُّمْ ﴿٤﴾ وَلَا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ ﴿٥﴾ لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِينِ ﴿٦﴾

“Thuaj (o Muhammed): o ju jobesimtarë! Unë nuk i adhuroj ato që ju adhuroni. As ju nuk e adhuroni Atë që unë e adhuroj. Unë nuk adhuroj ashtu siç ju adhuroni. As ju nuk adhuroni ashtu siç unë adhuroj. Ju keni fenë tuaj e unë kam Fenë time.” [Suretul Kafirun, 1-6]

Kjo Sure është Surja e distancimit nga veprat që bënin mushrikunët (politeistët) dhe kjo sure është urdhëruese për ikhlas (sinqeritet)!

Fjala e Tij:

قُلْ يَا أَيُّهَا الْكَافِرُونَ ﴿١﴾

“Thuaj: o ju jobesimtarë!”

Kjo pjesë e ajetit përfshin çdo jobesimtar (kafir) mbi faqen e dheut, por kjo e folur u drejtohet jobesimtarëve Kurejsh!

Gjithashtu është thënë: për shkak të injorancës së tyre, kufarët i kanë kërkuar të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – që të adhuronin idhujt e tyre një vit dhe një vit tjetër të adhuronin të Adhuruarin e Muhamedit. Me këtë rast, Allahu e zbriti këtë Sure, dhe e urdhëroi të Dërguarin e Tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në këtë sure që të distancohet plotësisht prej fesë së tyre. Prandaj thotë:

لَا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُونَ ﴿٢﴾

“Unë nuk i adhuroj ato që ju adhuroni!”

D.m.th. statujat dhe idhujt!

وَلَا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ ﴿٣﴾

“As ju nuk e adhuroni Atë që unë e adhuroj”

D.m.th. Allahun, e Vetëm dhe të Pashoq!

 

Më pas thotë:

وَلَا أَنَا عَابِدٌ مَّا عَبَدتُّمْ ﴿٤﴾ وَلَا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ ﴿٥﴾

“Unë nuk adhuroj ashtu siç ju adhuroni. As ju nuk adhuroni ashtu siç unë adhuroj”

D.m.th. unë nuk i bëj adhurimet tuaja, pra: nuk i ndjek dhe nuk i marr si shembull ato, por adhuroj Allahun ashtu siç dëshiron dhe kënaqet Ai! Prandaj thotë:

وَلَا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ

“As ju nuk e adhuroni Atë që unë e adhuroj”

D.m.th. nuk i ndiqni urdhëresat e Allahut dhe Sheriatin e Tij në adhurimin që i bëni Allahut, përkundrazi keni shpikur diçka prej vetëve tuaja, siç thotë i Lartësuari:

﴿إِن يَتَّبِعُونَ إِلَّا الظَّنَّ وَمَا تَهْوَى الْأَنفُسُ ۖ وَلَقَدْ جَاءَهُم مِّن رَّبِّهِمُ الْهُدَىٰ﴾

“Me të vërtetë që ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe epshet e tyre, kurse atyre u ka ardhur udhëzimi prej Zotit të tyre.” En-Nexhm, 23

 

Pra, distancohet prej tyre dhe prej çdo gjëje që ata ndjekin! Çdo adhurues e ka të adhuruarin e tij dhe mënyrën se si e adhuron atë. Kështu që, i Dërguari dhe pasuesit e tij e adhurojnë Allahun me atë që Ai ua ka ligjësuar; prandaj fjala e Islamit është “La ilahe il-lAllah Muhammedun Resulull-Llah,” d.m.th. nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe nuk ka rrugë për tek Allahu përveç asaj me të cilën erdhi i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ndërsa mushrikunët adhurojnë të tjerë përveç Allahut, adhurim të cilin nuk e ka lejuar Allahu. Prandaj, i Dërguari u tha atyre: “Ju keni fenë tuaj e unë kam Fenë time”, ashtu siç thotë i Lartësuari:

﴿وَإِن كَذَّبُوكَ فَقُل لِّي عَمَلِي وَلَكُمْ عَمَلُكُمْ ۖ أَنتُم بَرِيئُونَ مِمَّا أَعْمَلُ وَأَنَا بَرِيءٌ مِّمَّا تَعْمَلُونَ﴾

“E nëse ata të përgënjeshtrojnë ty, atëherë (distancohu prej tyre dhe) thuaj: unë kam veprat e mia (Fenë time) dhe ju keni veprat tuaja (fenë tuaj). Ju jeni të distancuar nga ajo që unë veproj, dhe unë jam i distancuar prej asaj që ju veproni.” Junus, 41

 

Dhe ka thënë i Lartësuari:

لَنَا أَعْمَالُنَا وَلَكُمْ أَعْمَالُكُمْ

“...ne kemi veprat tona dhe ju keni veprat tuaja...” el-Kasas, 55

 

Ndërsa Imam el-Bukharij – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: në lidhje me shpjegimin e përsëritjes së Ajeteve në këtë Sure kanë thënë: “Thuhet në ajet: “Ju keni fenë tuaj”, d.m.th. kufrin (mosbesimin), dhe në ajetin në vazhdim “E unë kam Fenë time”, d.m.th. Islamin.”

Disa të tjerë kanë thënë: kjo sure me këto ajete do të thotë: unë nuk adhuroj ato që ju po i adhuroni tani, dhe aq jetë sa më ka mbetur unë nuk ju përgjigjem juve, dhe as ju nuk adhuroni Atë që unë e adhuroj. Janë për qëllim ata për të cilët thotë i Lartësuari:

وَلَيَزِيدَنَّ كَثِيرًا مِّنْهُم مَّا أُنزِلَ إِلَيْكَ مِن رَّبِّكَ طُغْيَانًا وَكُفْرًا ۚ

“Ajo që t'u shpall ty (o Muhamed) prej Zotit tënd, do t'ua shtojë shumë prej atyre, zullumin dhe mohimin.”  el-Ma'ideh, 64   [7]

 

Ibën Xheriri ka transmetuar prej disa dijetarëve të gjuhës Arabe se ajetet në këtë Sure (el-Kafirun) përsëriten duke pasur për qëllim përforcimin dhe ritheksimin, siç është Fjala e të Lartësuarit:

فَإِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا ﴿٥﴾ إِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْرًا

“S'ka dyshim që pas vështirësisë vjen lehtësimi. Vërtetë që, pas vështirësisë vjen lehtësimi.” Esh-Sherh, 5-6

 

Apo siç është Fjala tjetër e Tij:

لَتَرَوُنَّ الْجَحِيمَ ﴿٦﴾ ثُمَّ لَتَرَوُنَّهَا عَيْنَ الْيَقِينِ ﴿٧﴾

“Vërtetë që, do ta shikoni Xhehenemin. Me siguri që, do ta shikoni atë me sytë tuaj.” [et-Tekathur, 6-7]

 

Këtë e kanë transmetuar disa prej dijetarëve, si Ibnul Xheuzij dhe të tjerë, nga Ibn Kutejbeh. Allahu e di më së miri.

 

Pra janë tre mendime në shpjegimin e përsëritjes së Ajeteve në këtë Sure:

Së pari: ajo që përmendëm në fillim.

Së dyti: ajo që ka transmetuar Bukhariu dhe disa komentues të Kuranit se me Fjalën e Allahut:

لَا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُونَ ﴿٢﴾ وَلَا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ ﴿٣﴾

“Unë nuk i adhuroj ato që ju adhuroni. As ju nuk e adhuroni Atë që unë e adhuroj.”

Është për qëllim në të shkuarën.

Kurse ajeti tjetër në vazhdim:

وَلَا أَنَا عَابِدٌ مَّا عَبَدتُّمْ ﴿٤﴾ وَلَا أَنتُمْ عَابِدُونَ مَا أَعْبُدُ ﴿٥﴾

“Dhe unë nuk adhuroj ato që ju adhuroni. E as ju nuk adhuroni Atë që unë e adhuroj.”

Është për qëllim në të ardhmen.

Së treti: përsëritja e Ajeteve është vetëm përforcim dhe ritheksim.

 

Dhe së katërti: është mendimi i Ebul Abbas Ibn Tejmijjes – Allahu e mëshiroftë – në disa prej librave të tij i cili thotë: qëllimi i Fjalës së Allahut të Lartësuar:

لَا أَعْبُدُ مَا تَعْبُدُونَ ﴿٢﴾

“Unë nuk i adhuroj ato që ju adhuroni.”

Është mohimi i veprimit, sepse kjo është fjali foljore.

Ndërsa Fjala e Tij:

وَلَا أَنَا عَابِدٌ مَّا عَبَدتُّمْ ﴿٤﴾

“Dhe unë nuk adhuroj ato që ju adhuroni.”

Është mohim kategorik dhe i prerë ndaj adhurimit të tyre. Pasi që, sipas rregullave të gjuhës arabe, mohimi në një fjali emërore është përforcim dhe ritheksim; pra, thuajse është mohim i veprimit të adhurimet te tyre dhe e mohon pranimin e atij adhurimi! Që do të thotë: mohim se s’ka për të ndodhur diçka e tillë dhe gjithashtu mohon se Sheriati nuk lejon dhe nuk toleron një gjë të tillë. Gjithashtu, ky është mendim i Hasen (el-Basriut). Allahu e di më së miri.

 

Imam Ebu Abdil-Lah esh-Shafi'i – Allahu e mëshiroftë – dhe të tjerë, janë argumentuar me Ajetin fisnik:

لَكُمْ دِينُكُمْ وَلِيَ دِينِ ﴿٦﴾

“Ju keni fenë tuaj e unë kam Fenë time.”

Se kufri i gjithi është një fe e vetme! Prandaj, Jehudët kanë trashëguar nga të Krishterët si dhe anasjelltas, nëse ekziston midis tyre ndonjë lidhje farefisnore apo ndonjë shkak për të trashëguar nga njëri-tjetri, ngaqë të gjitha fetë – përveç Fesë Islame – janë një gjë e vetme në pavërtetësinë dhe kotësinë e tyre.

Ndërsa Imam Ahmed ibën Hanbeli dhe ata që kanë pasur të njëjtin mendim me të, kanë thënë se të Krishterët nuk trashëgojnë gjëra në fe prej Jehudëve si dhe anasjelltas, kjo për shkak të hadithit të transmetuar nga 'Amr ibn Shuajb, nga babai i tij, nga gjyshi i tij se i Dërguari i Allahut – sal-lallahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

لا يَتَوارَثُ أهلُ مِلَّتَينِ شَتّى

“Pasuesit e dy feve të ndryshme nuk lejohet të trashëgojnë njëri-tjetrin.” [8]

 

 

Fusnotat:

[1] Sure Mekase (Mekkijeh) quhen ato Sure që janë shpallur para shpërnguljes së Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – për në Medine, ndërsa Sure Medenijjeh quhen ato Sure që janë shpallur pas shpërnguljes së Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në Medine.

[2] Transmeton Muslim, 1218.

[3] Transmeton Ahmed, 4763.

[4] Transmeton Ahmed, 5742.

[5] Transmeton Ahmed (5691), et-Tirmidhij (417), Ibn Maxheh (1149).

[6] Et-Taberanij në "Mu'xhemul Kebir", 2195.

[7] el-Bukharij (8/733 fet’h)

[8] elMusned (6844), Ebu Daudi (2911), Shejkh Ahmed Shakir ka thënë: “Zinxhiri i tij është sahih.”

 

Përktheu: Servet Mata