Bismilah...

Autor: Shejkh Rabij Ibn Hadij el-Medkhalij

 

 

Kurse dijetarët dhe pasuesit e udhëzimit, ata – betohem në Allahun – gëzohen me daljen e hakut në shesh. Nëse ndonjëri prej tyre kritikohet për ndonjë gabim që ka bërë dhe u sqarohet njerëzve se ky Imam ka gabuar, ai gëzohet. Për këtë arsye ne kemi parë se nxënësit e atyre Imamëve, nuk hezitonin që ta sqaronin gabimin e Imamëve të tyre dhe as nuk druheshin nga kundërshtimi që ua bënin për fjalët e tyre që kishin gabuar ata.

 

Dhe ata besonin plotësisht se Imamët e duan këtë gjë dhe nuk donin që njerëzit të bënin adhurime me gabimet e tyre dhe nuk kënaqeshin assesi që njerëzit t'ia atribuonin  gabimet e tyre Allahut – Tebareke ue Te'ala. Nuk e donin këtë kurrë. Ngase ne e kemi kuptuar besnikërinë, sinqeritetin dhe këshillën e tyre (të gjitha këto i bënin) për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Librit të tij, udhëheqësve të Muslimanëve dhe njerëzve në përgjithësi, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

 

Kurse pasuesit e epsheve, qoftë për të gjallët apo për të vdekurit, nuk duan që të thuhet për ta: “Filani ka gabuar,” sa do që të ketë devijuar apo të jetë zhytur në devijim, nuk e duron dot kritikën. Për këtë arsye, sheh se ata janë kokëfortë.

 

Ndryshe nga Ehli Sunneti dhe njerëzit e hakut, gjithmonë u sqarojnë atyre se ata vërtetë kanë gabuar dhe kanë devijuar në një çështje të caktuar si dhe në një tjetër, ua ngrenë atyre argumentet, ndërsa ata këmbëngulin në batilin (të kotën) e tyre duke i mbledhur njerëzit rreth vetes dhe ata i përkrahin në këto mendime të lajthitura e të devijuara dhe nuk frikësohen nga dënimet e rënda të cilat vijnë si rrjedhojë e veprave të tyre dhe nuk kanë frikë nga llogaria e ashpër e Allahut, duke pasur parasysh se ata i thërrasin njerëzit në devijim dhe i largojnë ata nga rruga e udhëzimit.

 

 

Zemrat e tyre i kaploi sëmundja – Allahu na ruajtë –, dhe ata i pushtuan epshet. Pra, ata janë ashtu siç i ka përshkruar i Dërguari i Allahut – 'alejhi salatu ue selam –:

تتجارى بهم الأهواء كما يتجارى الكلب بصاحبه

“Do t’i pushtojnë epshet ashtu sikurse pushtohet qeni nga sëmundja e tërbimit.”

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari