Bismilah...

Mësimi i nëntë

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij, Shokët e tij, Tabi’inët dhe për të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Kijametit.

E më pas:

O ju vëllezër të virtytshëm, vazhdojmë mësimin tonë në shpjegimin e “Tri Parimeve”, të Imamit dhe Muxhedidit, Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab - rahimehullah -. U ndalëm tek fjala e Imamit - rahimehullah -: “E katërta: durimi i dëmtimeve me të cilat përballesh.” Domethënë kjo është një prej katër çështjeve, që robi e ka detyrë që t’i mësojë. Pastaj folëm rreth durimit dhe dobitë e tij. Pastaj tha autori - rahimehullah -: “Dhe argumenti është Fjala e të Lartësuarit:

وَالْعَصْرِ (١) إِنَّ الإنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ (٢) إِلا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ (٣

“Pasha kohën. Me të vërtetë njeriu është në humbje të sigurtë. Me përjashtim të atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, si dhe këshilluan njëri-tjetrin me të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin me durimin.” el-Asr, 1-3

E ke detyrë o robi Allahut që t’i mësosh këto katër çështjet në detaje. Nëse të pyet dikush: Cili është argumenti që ne e kemi detyrë mësimin e tyre? Atëherë thuaji atij: Fjala e Allahut të Lartësuar: وَالْعَصْرِPasha kohën....” sureja el-Asr.

Qëllimi i Fjalës së Allahut të Lartësuar: إِلا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ “Me përjashtim të atyre që besuan dhe bënë vepra të mira”, kjo është çështja e parë dhe çështja e dytë.

Te Fjala e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -: إِلا الَّذِينَ آمَنُواMe përjashtim të atyre që besuan”, është dija, sepse besimi (imani) s’mund të jetë pa dije. Dhe dija është: njohja e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -, njohja e Pejgamberit të Tij - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, dhe njohja e fesë Islame me argumente. Çështja e dytë është punimi me të, që është marrë nga Fjala e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -:وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ “dhe bënë vepra të mira”. Çështja e tretë është thirrja tek dija dhe punimi me të, e cila është marrë nga Fjala e Allahut të Lartësuar: وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّsi dhe këshilluan njëri-tjetrin me të vërtetën”. Kurse çështja e katërt është durimi i dëmtimeve që has gjatë kësaj, që është marrë nga Fjala e Allahut të Lartësuar: وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِdhe këshilluan njëri-tjetrin me durimin.”

Fjala e Allahut - Xhel-le ue ‘Alaa -: وَالْعَصْرUel-asr” Fjala وَUe” këtu është betim, kurseالْعَصْرel-asr” është emri në të cilin betohet Allahut, dhe me të është për qëllim koha dhe zamani. Është betuar Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa - në kohën, e cila është e krijuar. Allahu i Përsosur nga çdo e metë betohet në çdo krijesë që do Ai, kurse krijesa nuk betohet në tjetërkënd pos Allahut. Dhe Allahu i Përsosur nga çdo e metë betohet veçse në gjëra që kanë rëndësi dhe në shenjat treguese të të Përsosurit nga çdo e metë. Tek kjo sure ka argument për Fuqinë e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -. Pastaj, ato që ndodhin në këtë kohë, siç janë incidentet, fatkeqësitë, begatitë, mirësitë dhe çdo gjë që ndodh gjatë kohës, të gjitha këto janë mësime. Po ashtu, nata dhe dita janë koha kur bëhen veprat e mira, sikurse ka thënë Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -:

وَهُوَ الَّذِي جَعَلَ اللَّيْلَ وَالنَّهَارَ خِلْفَةً لِمَنْ أَرَادَ أَنْ يَذَّكَّرَ أَوْ أَرَادَ شُكُورًا (٦٢)

“Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falenderojnë.” el-Furkan, 62

Nga nata dhe dita nxirret përfitim i madh, nga ai i cili i shfrytëzon ato në bindje ndaj Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -. Koha e punës është dita dhe nata. Ajo është koha e përfitimit të mirë dhe punimit për Botën Tjetër. Dhe koha është përmendur tek Fjala e Allahut të Lartësuar:

وَالْعَصْر

“Pasha kohën...”

Pra, u betua Allahu në kohën, në mirësinë e Tij, për ata që e shfrytëzojnë atë në bindje ndaj Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -. Përgjigja e betimit është Fjala e Allahut të Lartësuar:

إِنَّ الإنْسَانَ لَفِي خُسْرٍ

“Me të vërtetë njeriu është në humbje të sigurtë.”

Pra, që të gjithë bijtë e Ademit, asnjë nuk përjashtohet, as mbretërit, as presidentët, as pasanikët, as fukarenjtë, as të lirët as të robëruarit, as meshkujt as femrat.

Nyja “el” tek fjala “el-insan” është gjithëpërfshirëse. Domethënë çdo bir i Ademit është në humbje, në shkatërrim, nëse e humbasin këtë kohë të vyer dhe e shpërdoruan në mosbindje ndaj Allahut, me përjashtim të atyre që i kanë katër cilësi: dija, puna, thirrja tek Allahu dhe durimi gjatë kësaj. Dhe nuk mund të arrihet besimi në Allahun veçse nëpërmjet dijes, e cila është: njohja e Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -; dhe bënë vepra të mira, pra bënë punët e obliguara dhe punët e pëlqyera. Kështu, ata e shfrytëzuan kohën e tyre në bindje ndaj Allahut, këshilluan me të vërtetën, domethënë urdhëruan të mirën dhe ndaluan nga e keqja, thirrën tek Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -, u mësuan të tjerëve dijen e dobishme dhe përhapën dijen dhe mirësinë tek njerëzit; dhe këshilluan njëri-tjetrin për të bërë durim, domethënë bënë durim në dëmet me të cilat u përballën. Dhe durimi është disa llojësh:

Lloji i parë: durimi në bindjen ndaj Allahut, sepse vetja e njeriut e do dembelizmin dhe e do rehatinë, prandaj njeriu duhet medoemos ta shtyjë veten e tij drejt bindjes, drejt namazit, drejt agjërimit dhe ibadeteve të tjera.

Lloji i dytë: durimi në ato që i ka ndaluar Allahu, sepse vetja njeriut i do harramet dhe epshet, prandaj ai duhet patjetër që ta ndalojë veten e tij nga harramet, dhe për këtë ka nevojë për durim.

Lloji i tretë: durimi në sprovat e dhimbshme, në fatkeqësitë që i bien njeriut, siç është vdekja e ndonjë të afërmi, humbja e pasurisë, apo ndonjë sëmundje që i bie njeriut. Prandaj ai duhet me doemos të ketë durim me Vendimin dhe Caktimin e Allahut, dhe nuk duhet të dëshpërohet e të revoltohet, porse duhet ta mbajë veten nga revoltimi, ta mbajë veten nga dëshpërimi, t’i mbajë gjymtyrët e tij nga gjuajtja e vetes dhe grisja e rrobave (nga dëshpërimi i madh).

Kurse për sa i përket gjynaheve, ai nuk duhet të bëjë durim në bërjen e tyre, porse duhet të pendohet tek Allahu dhe të largohet nga ato, sepse gjynahet janë mosbindje ndaj Allahut. Ndërsa në fatkeqësitë tek të cilat t’i nuk mund të ndikosh dot, pasi ato janë nga Allahu - ‘Azze ue Xhel-le - dhe Ai i ka caktuar ato si provim apo testim apo si dënim për ty për gjynahet që i ke bërë, sikurse ka thënë Allahu - ‘Azze ue Xhel-le -:

وَمَا أَصَابَكُمْ مِنْ مُصِيبَةٍ فَبِمَا كَسَبَتْ أَيْدِيكُمْ

“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë...” esh-Shuura, 30

Nëse të bie ndonjë fatkeqësi në veten tënde, në pasurinë tënde apo në fëmijën tënd, atëherë bëj durim dhe shpreso shpërblim për këtë. Prandaj Imam Shafiu - rahimehullah - ka thënë: “Sikur Allahu të mos u kishte zbritur argument tjetër krijesave të Tij pos kësaj sureje, ajo do t’u kishte mjaftuar atyre.” Dhe kanë thënë Selefët: “Sikur njerëzit të meditonin në këtë sure, kjo do t’u kishte mjaftuar atyre.”

Pra, kjo sure është e mjaftueshme në nxitjen për t’u kapur mbas Fesë Islame, për t’u kapur mbas Imanit, veprave të mira, thirrjes drejt tyre dhe durimit gjatë gjithë kësaj. Dhe nuk ishte qëllimi i Imam Shafiut se kjo sure është e mjaftueshme për të gjithë Sheriatin, sepse ka dispozita në Sheriat të cilat nuk janë përmendur tek kjo sure. Mirëpo qëllimi është se kjo sure përmblodhi çështjet më të rëndësishme të Fesë, siç është imani, vepra, thirrja drejt tyre dhe durimi gjatë kësaj. Imani përfshin çështje të shumta: fjala me gjuhë, besimi me zemër dhe vepra me gjymtyrë.

Dhe ka thënë Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh - rahimehullah - për këtë sure: “Ka njoftuar Allahu - ‘Azze ue Xhel-le - se të gjithë njerëzit janë të humbur, me përjashtim të atyre që janë besimtarë, punëmirë, dhe me të tjerët janë këshillues për të vërtetën dhe për durim.”

Dhe ka thënë Imam Ibnul-Kajjim - rahimehullah -: “Selefët kanë ixhma se dijetari nuk meriton që të quhet “rabbanij” (edukator) deri sa të njohë hakun dhe të punojë me të. Dhe kur ta njohë hakun dhe të punojë me të, atëherë ai do të thirret i madh në mbretërinë e qiejve.”

Lus Allahun - Xhel-le ue ‘Alaa - që të na japë neve dhe juve dije të dobishme, vepra të mira dhe sinqeritet në fjalë dhe në vepra.

Po e mbyll me kaq.

Lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj