Bismilah...

Mësimi i dhjetë

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin për më të mirin e të gjitha krijesave, si dhe për Familjen e tij, Shokët e tij, Tabi’inët dhe për të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Kijametit.

E më pas:

O ju vëllezër fisnikë, vazhdojmë mësimin tonë në shpjegimin e “Tri Parimeve”, të Imamit dhe Muxhedidit, Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab - rahimehullah -. U ndalëm tek fjala e Imam Bukharit - rahimehullahu te’ala -:

“Kapitulli: dija vjen para fjalës dhe veprës. Dhe argumenti është Fjala e Allahut:

فَاعْلَمْ أَنَّهُ لا إِلَهَ إِلا اللَّهُ وَاسْتَغْفِرْ لِذَنْبِكَ وَلِلْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ

“Andaj, dije se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut, dhe kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret.” Muhammed, 19

Pra, ai filloi me dijen përpara fjalës dhe veprës.”

Imam Bukhari është Imami Muhamed Ibën Isma’il Ibën Ibrahim el-Bukharij, që i atribohet Bukharasë, një vend në Lindje.

Imam Bukhari është Imami i dijetarëve të hadithit, mali i mësimit përmendësh - rahimehullah -, autori i Sahihut, që është libri më i saktë mbas Librit të Allahut - ‘Azze ue Xhel-le -.

Fjala e Imam Bukharit - rahimehullah -: “Kapitulli: dija vjen para fjalës dhe veprës.” Ai tha kështu sepse vepra nuk të bën dobi, përveç atëherë kur ajo është e bazuar në dije. Ama kur vepra është e bazuar në injorancë, nuk i bën dobi vepruesit të saj, porse do të jetë humbje për të në Ditën e Kijametit. Kështu që, dija duhet të jetë përpara veprës. Fjala dhe vepra e njeriut nuk merret në konsideratë në peshoren e Sheriatit përveç se atëherë kur ato janë të bazuara në dije. Pra, dija është kusht për saktësinë e fjalës dhe veprës. Dhe argumenti gjendet tek ky ajet, tek Fjala e Allahut të Lartësuar: “Andaj, dije se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut, dhe kërko falje për gjynahun tënd.” Sepse Ai filloi me dijen: “Andaj dije”. Kurse “dhe kërko falje”, kjo është vepra. Pra, i Përsosuri nga çdo e metë filloi me dijen përpara veprës, sepse vepra nëse është e bazuar në injorancë nuk i bën dobi vepruesit të saj. Kështu që, njeriu në radhë të parë fillon me dijen, pastaj punon me atë që mësoi. Ky është themeli.

Argumenti tek Fjala e Allahut, tek ajeti, është se Allahu i Lartësuar urdhëroi marrjen e dijes, ngaqë Ai tha: “Andaj dije”. Pastaj Ai urdhëroi fjalën dhe veprën: “dhe kërko falje për gjynahun tënd.” Edhe pse kjo thirrje i drejtohet Pejgamberit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, ajo është edhe për Umetin e tij.

Ka thënë Shejkh Ibën ‘Uthejmini - rahimehullah -: “U argumentua Imam Bukhari me këtë ajet për obligueshmërinë e fillimit me dijen përpara fjalës dhe veprës. Dhe ky është argument etherij, domethënë argument i nxjerrë nga Libri i Allahut, që tregon se njeriu së pari mëson, pastaj vepron. Ka edhe argument logjik, teorik, që tregon se dija vjen përpara fjalës dhe veprës, sepse fjala apo vepra nuk mund të jetë e saktë dhe e pranuar derisa të jetë në përputhje me Sheriatin. Dhe vepra e tij nuk mund të jetë në përputhje me Sheriatin përveç me dije. Ka edhe gjëra që njeriu i di ato me fitran (natyrshmërinë) e tij, siç është dija që Allahu është një i adhuruar i vetëm me hak.” [Mbaroi fjala e Shejkh Ibën ‘Uthejminit.]

Fjala e Allahut të Lartësuar: “Andaj, dije se s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë pos Allahut, dhe kërko falje për gjynahun tënd.” Ai filloi me dijen përpara fjalës dhe veprës. Allahu i Lartësuar urdhëroi dijen dhe Teuhidin së pari, sepse ky është themeli i fjalës dhe veprës. Ky është themeli i fjalës dhe veprës. Pastaj, sa i përket veprës së mirë: sikur njeriu të bëjë istigfar me mijëra herë, të falë rregullisht namazin natën e ditën, të bëjë haxhin çdo vit, të agjërojë gjatë gjithë vitit, mirëpo ai nuk e ka realizuar Teuhidin, nuk e di Fjalën e Teuhidit, nuk e di kuptimin e saj dhe nuk punon me kërkesat e saj, atij nuk do t’i bëjnë dobi ato ibadete. Kjo për arsye se kur Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dërgoi Mu’adhin në Jemen, siç ka ardhur tek dy Sahihët nga Ibën ‘Abbasi - radij-Allahu ‘anhuma -, i tha: “Vërtet, ti po shkon tek një popull që janë prej Ehli-Kitabëve, prandaj gjëja e parë tek e cila do t’i thërrasësh ata duhet të jetë dëshmia La ilahe il-lAllah…” - kurse në një transmetim tjetër “që ta veçojnë Allahun në adhurim” - “…e nëse ata të binden për këtë, atëherë njoftoji se Allahu u ka bërë detyrë atyre pesë namazet që falen në çdo ditë e natë.”

Ka thënë Imam Khattabiu - rahimehullah -: “Nga ky hadith nxirret se duhet të fillohet me atë që është më e rëndësishme e kështu me radhë.”

Dhe ka ardhur tek dy Sahihët, nga hadithi i Ibën ‘Umerit - radij-Allahu ‘anhuma - se Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë: “Është ndërtuar Islami mbi pesë shtylla.” Pastaj ai përmendi të parën dy dëshmitë “La ilahe il-lAllah ue enne Muhammeder Rasul-lUllah”, sepse pa realizimin e këtyre dy dëshmive nuk pranohen shtyllat e tjera. Pra, këtu Allahu filloi me dijen e Teuhidit së pari, sepse ajo është themeli i fjalës dhe veprës. Pastaj vepra është fryti i dijes, sikurse ka thënë Imam Ibnul-Kajjim - rahimehullah -: “Fryti i dijes është vepra.”

Kjo ishte për sa i përket argumentimit të Imam Bukharit, apo kapitullit që vendosi Imam Bukhari: “Kapitulli: dija vjen para fjalës dhe veprës.” Ky është një argumentim i çmuar. Gjithashtu, kjo tregon për rëndësinë e dijes dhe rëndësinë e përkushtimit ndaj dijes, dhe se njerëzit e devijimit, bidatit dhe bestytnive kanë devijuar vetëm se për shkak të injorancës së tyre.

Prandaj ka thënë Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh - rahimehullah - për Khauarixhët: “Me të vërtetë ata janë injorantë që e kundërshtuan Kur`anin dhe Sunetin me injorancën e tyre.”

Ka thënë Imam Maliku - rahimehullah -: “Disa njerëz iu përkushtuan ibadetit dhe e humbën dijen, kështu dolën kundër Umetit të Muhamedit me shpatat e tyre. Sikur ata të kishin ndjekur rrugën e dijes, kjo do t’i kishte ndaluar ata (nga dalja kundër Umetit).”

Ka thënë Imam Ibnul-Kajjim - rahimehullah -: “Çdo fitne që ka ndodhur nga fitnet e shubuhateve (dyshimeve dhe pështjellimeve në Fe), ka ndodhur për shkak të shkurtpamësisë dhe dijes së cekët.”

Gjithashtu, një fjalë të ngjashme e ka thënë Hafidh Ibën Haxheri - rahimehullah - për Khauarixhët: “Ata nuk u ndriçuan me dritën e dijes dhe nuk u kapën mbas litarit të pakëputshëm (të udhëzimit), kështu që devijuan vetë dhe i devijuan edhe të tjerët. Prandaj ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - se ata janë të rinj në moshë dhe mendjelehtë, e lexojnë Kur`anin dhe ai nuk kalon përtej gurrmazeve të tyre…”

Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe merrni dije dhe kuptojeni drejt Fenë e Allahut, që të jetë ibadeti juaj i saktë dhe robi të jetë në dritë nga Allahu. Kijeni frikë Allahun dhe Allahu do t’ju mësojë. Përkujdesuni për marrjen e dijes dhe merreni atë nga njerëzit e dijes, nga dijetarët e Sunetit, dhe ruhuni nga njerëzit e bidatit! Ruhuni nga njerëzit e bidatit dhe devijimit!

Lus Allahun - Xhel-le ue ‘Alaa - që të na japë neve dhe juve dije të dobishme, vepra të mira dhe sinqeritet në fjalë dhe në vepra.

Po e mbyll me kaq.

Lavdërimet, shpëtimi dhe begatitë e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj