Bismilah...

Autor: Imam Abdul-Aziz ibën Baz

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalaat Muteneu’uiah, vëll. 2, fq. 123

 

 

Kam lexuar një artikull që është publikuar në disa gazeta, i cili përmban lavdërim, mburrje dhe thirrje për në disa vepra të xhahilijetit (injorancës – periudhës para ardhjes së Islamit), siç është ndikimi i yjeve (tek njerëzit), shenjat zodiake, falli dhe leximi i fatit. Për këtë arsye, e pash të udhës se është detyrë që të njoftoj se çfarë të pavërtetash përmban ky artikull. Andaj, unë them:

Ajo që quhet astrologji, fall dhe lexim i fatit, janë vepra të xhahilijetit, të cilat Islami i ka anuluar dhe ka sqaruar se këto janë shirk, ngase në to ka lidhje me dikë tjetër pos Allahut të Lartësuar dhe besohet se dëmi dhe dobia vjen prej dikujt tjetër përveç Atij. Po ashtu, u besohet magjistarëve dhe fallxhorëve të cilët pretendojnë padrejtësisht dhe shpifin se kanë dije për të fshehtën (gajbin) duke u tallur me mentalitetin e njerëzve naiv dhe mendjelehtë, me qëllim që t’i rrjepin xhepat e tyre dhe të ndryshojnë besimin e tyre.

 

Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë siç ka transmetuar Abdullah ibën Abbasi – radijAllahu ‘anhuma:

‏ مَنِ اقْتَبَسَ عِلْمًا مِنَ النُّجُومِ اقْتَبَسَ شُعْبَةً مِنَ السِّحْرِ زَادَ مَا زَادَ ‏

“Kush mëson një pjesë të astrologjisë, ai ka mësuar një pjesë të magjisë, sa më shumë që e shton mësimin e saj (e astrologjisë) aq më shumë e shton magjinë.”

Transmeton Ebu Daudi dhe zinxhiri i tij është i saktë.

 

Po ashtu, transmeton Nesaiu nga Ebu Hurejra – radijAllahu ‘anhu –:

‏ مَنْ عَقَدَ عُقْدَةً ثُمَّ نَفَثَ فِيهَا فَقَدْ سَحَرَ وَمَنْ سَحَرَ فَقَدْ أَشْرَكَ وَمَنْ تَعَلَّقَ شَيْئًا وُكِّلَ إِلَيْهِ

Ai që lidh një nyje dhe pastaj pështyn në të, ka bërë magji. Ndërsa ai që bën magji ka bërë shirk. Ai që var diçka (hajmali, etj.), i është mbështetur asaj.”

 

Kjo tregon se magjia është shirk ndaj Allahut të Lartësuar dhe ai që lidhet me ndonjë gjë prej fjalëve të magjistarëve dhe fallxhorëve, ai u është mbështetur atyre dhe është privuar nga ndihma e Allahut dhe shpëtimi i Tij.

Muslimi në Sahihun e tij ka përmendur një transmetim nga disa prej grave të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ai ka thënë:

‏من أتي عرافًا فسأله عن شيء، فصدقه، لم تقبل له صلاة أربعين يومًا‏‏

“Ai që shkon tek një magjistar (parashikues fati) dhe e pyet atë për ndonjë gjë, nuk do t’i pranohet namazi për dyzet ditë.”

 

Transmetohet nga Ebu Hurejra – radijAllahu ‘anhu – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

مَنْ أَتَى كَاهِنًا، فَصَدَّقَهُ بِمَا يَقُولُ، فَقَدْ كَفَرَ بِمَا أُنْزِلَ عَلَى مُحَمَّدٍ

“Ai që shkon tek një fallxhor dhe i beson asaj që ai e thotë, e ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –.”

Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibën Maxheh dhe Nesaiu.

 

Transmetohet nga ‘Imran bin Husejn se e ka dëgjuar Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – të thotë:

لَيْسَ مِنَّا مَنْ تَطَيَّرَ أَوْ تُطُيِّرَ لَهُ ، أَوْ تَكَهَّنَ أَوْ تُكُهِّنَ لَهُ ، أَوْ سَحَرَ أَوْ سُحِرَ لَهُ ، وَمَنْ أَتَى كَاهِنًا ، فَصَدَّقَهُ بِمَا يَقُولُ ، فَقَدْ كَفَرَ بِمَا أُنْزِلَ عَلَى مُحَمَّدٍ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ

“Nuk është prej nesh ai që parashikon (mbarësinë apo fatkeqësinë) për të tjerët apo të tjerët që parashikojnë për të; ai që nxjerr fall për veten e tij apo të tjerët nxjerrin fall për të; ai që bën magji për të tjerët apo të tjerët që bëjnë magji për të. Ai që shkon te fallxhori (magjistari) dhe i beson asaj që thotë ai, e ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –.”

Transmeton el-Bezzar me zinxhir të mirë.

 

Ibën Kajimi – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Ai që njihej në mesin e njerëzve se pretendonte parashikimin (e mbarësisë apo fatkeqësisë) e quanin fallxhor. Qëllimi i kësaj është të mësojmë se ai që pretendon se ka diçka prej dijes për të fshehtën (gajbin), ai hyn tek ai që quhet fallxhor, ose hyn tek ky kontekst dhe kështu merr gjykimin e tij. Kështu që, fallxhori ndonjëherë ia qëllon për disa gjëra të fshehta, dhe kjo është për shkak se shejtani ia zbulon atë atij. Metodat e parashikimit janë: parashikimi i mbarësisë dhe fatkeqësisë, parashikimi përmes hedhjes së guralecëve, heqjes së vizave në tokë, astrologjisë, fallit, magjisë si dhe gjëra të këtilla që janë nga njohuritë e xhahilijetit. Me fjalën xhahilijet kemi për qëllim çdo gjë që nuk vjen nga pasuesit e të Dërguarve – ‘alejhim selam – siç janë filozofët, fallxhorët, astrologët, ateistët Arabë të cilët ishin para dërgimit të Pejgamberit – alejhi salatu ue selam –. Këto njohuri i përkasin një populli që nuk ka dije për atë me të cilën erdhën të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhim ue sel-lem –. Ai që i vepron të gjitha këto gjëra quhet fallxhor apo parashikues fati apo diçka me këtë kuptim. Andaj, ai i cili shkon tek ata apo i beson asaj që thonë ata, i është bashkangjitur kërcënimit. Këto njohuri i kanë trashëguar nga disa popuj të cilët pretendonin se përmes këtyre njohurive, e mësonin të fshehtën (gajbin) të cilën gjë e di vetëm Allahu e askush tjetër. Ata po ashtu pretenduan se janë njerëz të mirë të Allahut dhe se kjo është nder për ta.”

Mbaroi me kaq ajo që kishim për qëllim me përcjelljen e fjalëve të Ibën Kajimit – Allahu e mëshiroftë.

 

Nga fjalët e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe nga aprovimet e imamëve nga mesi i dijetarëve dhe fukahave (juristëve Islam) të këtij ummeti, na bëhet e qartë se astrologjia apo ajo që quhet lexim fati, leximi i shuplakës së dorës, leximi i filxhanit dhe parashikimi i fatit, që të gjitha këto janë njohuri të xhahilijetit si dhe prej gjërave të urryera e të qortuara të cilat i ka ndalur rreptësisht Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe se kjo është nga veprat e xhahilijetit dhe shkencë e kotë për të cilat Islami ka ardhur me anulimin dhe paralajmërim për veprimin e kësaj apo shkuarjes tek ai që merret me të dhe ta pyesësh atë për diçka apo t’i besosh atij për atë që të tregon, ngase ajo është prej dijes së fshehtë të cilën e di vetëm Allahu.

 

Allahu i Lartësuar ka thënë:

قُل لَّا يَعْلَمُ مَن فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ الْغَيْبَ إِلَّا اللَّـهُ

“Thuaj: “Askush që është në qiej dhe në tokë nuk e di të fshehtën përveç Allahut.” En-Neml, 65.  

 

Këshilla ime për çdonjërin që është i lidhur me këto gjëra është që të pendohet tek Allahu dhe të kërkojë falje prej Tij dhe të ketë besim tek Allahu i Vetmi dhe të mbështetet tek Ai për çdo gjë, duke i bërë shkaqet sheriatike dhe konkrete e të lejuara; të heq dorë nga këto gjëra të xhahilijetit dhe të largohet prej tyre dhe të ketë kujdes e të mos i pyesë njerëzit e xhahilijetit apo t’u besojë atyre. Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është mbrojtje për fenë dhe besimin e tij. Prej Allahut kërkohet që të na furnizojë neve dhe Muslimanëve me kuptim të drejtë të fesë së Tij dhe të punojmë me sheriatin e Tij dhe të mos na i devijojë zemrat tonë pasi që na ka udhëzuar.

Lëvdata, shpëtimi dhe bekimi i Allahut qoftë për Pejgamberin – vulën e të dërguarve të Tij Muhamedin –, familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e tij deri në Ditën e Gjykimit.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari