Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz (1420 h.)

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalat Muteneuui’ah, vëll.8/fq.281

 

Ju bëj me dije se Shejkh ‘Abdurr-Rrahman Ibën Hasen – Allahu e mëshiroftë – ka qartësuar në librin e tij “Fet`ul-Mexhijd Sherh Kitab et-Teuhijd” llojet e frikës, te shpjegimi i temës:

“Fjala e Allahut të Lartësuar:

إِنَّمَا ذَلِكُمُ الشَّيْطَانُ يُخَوِّفُ أَوْلِيَاءَهُ فَلا تَخَافُوهُمْ وَخَافُونِ إِنْ كُنْتُمْ مُؤْمِنِينَ

“Në të vërtetë ai është Shejtani që frikëson me miqtë e tij, prandaj ju mos iu frikësoni atyre porse m’u frikësoni Mua, nëse jeni besimtarë.” [Aal Imran, 175]

Ai sqaroi se llojet e frikës janë tre:

Lloji i parë është shirk i madh.

Lloji i dytë është gjynah dhe nuk është shirk.

Kurse lloji i tretë është i lejuar, madje i ligjshëm, për të bërë sebepet të cilat i ka ligjëruar Allahu.

Sa i përket llojit të parë, ai është kur ke frikë nga idhulli apo nga të vdekurit në varre apo nga pemët apo nga gurët apo nga xhinët apo nga gjëra të tjera që nuk janë prezente, se mos ata të dëmtojnë ty, ngaqë ti beson se ata mund të dëmtojnë ty, pa patur asnjë sebep konkret, por nëpërmjet fuqisë së tyre të veçantë. Pra, kjo lloj frike është shirku i madh.

Lloji i dytë është që të frikësohesh nga armiqtë apo nga disa të afërm apo nga njerëz të tjerë, se mos ata të dëmtojnë ty sipas mundësisë që kanë, duke qenë të gjallë dhe të fuqishëm. Rrjedhimisht, kjo frikë të shtyn që ti të bësh disa gjynahe apo të lësh disa obligime. Për këtë lloj frike zbriti ajeti fisnik i cili u përmend më herët, që është Fjala e Allahut të Lartësuar:

إِنَّمَا ذَلِكُمُ الشَّيْطَانُ يُخَوِّفُ أَوْلِيَاءَهُ فَلا تَخَافُوهُمْ وَخَافُونِ إِنْ كُنْتُمْ مُؤْمِنِينَ

Në të vërtetë ai është Shejtani që frikëson me miqtë e tij, prandaj ju mos iu frikësoni atyre porse m’u frikësoni Mua, nëse jeni besimtarë.” [Aal Imran, 175]

Sepse kuptimi i këtij ajeti është: që Allahu, i Përsosuri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari, i ndaloi besimtarët që të frikësohen nga idhujtarët, frikë e cila do t’i shtynte ata që ta linin xhihadin e obliguar.

Kurse për sa i përket llojit të tretë, ai lidhet me frikën e natyrshme, për shkak se shkaqet e saj janë prezente, siç është frika që ka njeriu nga hajdutët, prandaj ai e mbyll derën që të ruajë plaçkat e tij, ose frika nga egërsirat, gjarpërinjtë dhe akrepat, prandaj njeriu bën sebepet e ligjshme e të lejuara për t’u ruajtur nga ato; gjithashtu kur njeriu ka frikë nga uria, ai ha, kur ka frikë nga etja, ai pi, e kështu me radhë.

 

Përktheu: Alban Malaj