Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 14

 

Emrat:

El-Melik(المَلِكُ ) [Sunduesi, Zotëruesi]

El-Meliik (المَلِيكُ) [Sunduesi absolut]

 

Emri “el-Melik” është përmendur në Kuranin Fisnik në pesë vende të ndryshme. Një nga ato është fjala e Tij, të Lartësuarit

﴿هُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ الْمَلِكُ الْقُدُّوسُ﴾

“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, Sunduesi, i Pastri nga çdo mangësi.” El-Hashr, 23

Emri “el-Meliik” është përmendur në një vend të vetëm në fjalën e Tij, të Lartësuarit:

﴿إِنَّ الْمُتَّقِينَ فِي جَنَّاتٍ وَنَهَرٍ فِي مَقْعَدِ صِدْقٍ عِنْدَ مَلِيكٍ مُقْتَدِرٍ﴾

“Të devotshmit janë në Xhenete dhe lumenj. Në vendin e të vërtetës, tek Sunduesi i Plotfuqishëm.” El-Kamer, 54-55

Këto dy emra tregojnë se Allahu, i Pastërti nga çdo mangësi, posedon sundimin. Që do të thotë se Ai është Zotërues i të gjitha gjërave dhe Ai është që i drejton ato; askush nuk mund ta pengojë dhe të konkurrojë me Atë.

Është përsëritur në Kuranin Fisnik sqarimi se veçimi i Allahut në sundim, në të cilin Ai nuk ka ortak, dhe ky sqarim është një argument i qartë se është detyrë që vetëm Ai të veçohet me adhurim. I Lartësuari ka thënë:

﴿ ذَلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمْ لَهُ الْمُلْكُ  لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ  فَأَنَّى تُصْرَفُونَ﴾

“Ky është Allahu, Zoti juaj; Atij i përket sundimi; nuk ka të adhuruar tjetër që e meriton adhurimin përveç Tij. Atëherë, si është e mundur që ju largoheni nga Ai?” ez-Zumer, 6

Gjithashtu është argument që vërteton se adhurimi që i dedikohet dikujt tjetër në vend të Allahut, dikujt që nuk posedon për veten e tij as dëm e as dobi, as jetë as vdekje e as ringjallje, mu ky është devijimi më i madh dhe pavërtetësia më e madhe. Në Kur`an kanë ardhur një numër ajetesh që e pohojnë këtë realitet dhe e sqarojnë këtë çështje, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

﴿ ذَلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمْ لَهُ الْمُلْكُ  وَالَّذِينَ تَدْعُونَ مِنْ دُونِهِ مَا يَمْلِكُونَ مِنْ قِطْمِيرٍ ﴾

“Ky është Allahu, Zoti juaj; Atij i përket sundimi, kurse ata që i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as edhe një cipë të bërthamës së hurmës.” Fatir, 13

Po ashtu, ka thënë i Lartësuari:

﴿وَاتَّخَذُوا مِنْ دُونِهِ آلِهَةً لَا يَخْلُقُونَ شَيْئًا وَهُمْ يُخْلَقُونَ وَلَا يَمْلِكُونَ لِأَنْفُسِهِمْ ضَرًّا وَلَا نَفْعًا وَلَا يَمْلِكُونَ مَوْتًا وَلَا حَيَاةً وَلَا نُشُورً﴾

“Ata kanë marrë të adhuruar të tjerë në vend të Tij, të adhuruar që nuk krijojnë asgjë e që vetë ata janë të krijuar,  të cilët nuk zotërojnë për vetet e tyre as dëm e as dobi, nuk zotërojnë as vdekje, as jetë e as ringjallje.” El-Furkan, 3

Ai që nuk zotëron asnjë grimcë në këtë univers, nuk lejohet që t’i dedikohet asnjë formë adhurimi, ngaqë adhurimi është e drejtë vetëm e Sunduesit të Madh, Krijuesit Fisnik, Zotit që drejton çdo gjë në këtë gjithësi, i Cili nuk ka ortak; Ai është i Plotëfuqishmi, i Gjithëpushtetshmi, i Lartmadhëruari, e s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij.

 

Përktheu: Jeton Shasivari