Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 79-80

 

 

Emri: El-Muhsin (المُحْسِنُ) [Bamirësi]

 

Ky emër nuk është përmendur në Kur'an si emër por është përmendur si folje, siç është fjala e të Lartësuarit:

وَأَحْسِن كَمَآ أَحْسَنَ ٱللَّهُ إِلَيْكَ

"Bëj mirë siç të ka bërë mirë Allahu ty."  [El-Kasas, 77]

Dhe Fjala e Tij:

وَقَدْ أَحْسَنَ بِىٓ إِذْ أَخْرَجَنِى مِنَ ٱلسِّجْنِ وَجَآءَ بِكُم مِّنَ ٱلْبَدْوِ

"Vërtetë Ai më bëri mirësi mua kur më nxori nga burgu e juve ju solli këtu nga shkretëtira." [Jusuf, 100]

Ndërsa në sunet ka ardhur pohimi i këtij emri për Allahun e Plotfuqishëm e të Lartëmadhërishëm, siç është fjala e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

إذا حكمتم فاعدلوا، و إذا قتلتم فأحسنوا، فإن الله محسن يحب المحسنين

"Kur të gjykoni tregohuni të drejtë, e kur ta vrisni prenë, vriteni në mënyrën më të mirë. Me të vërtetë që Allahu është i Mirë dhe i do të mirët."

Këtë hadith e transmetojnë et-Taberanij dhe Ebu Nu'ajm me rrugë të mirë transmetimi.

Kuptimi i Emrit të Allahut "El-Muhsin" ka origjinën te mirësia, begatimi, bujaria, nderimi, mirënjohja, dhënia dhe dhurimi. Bamirësia është cilësi e pandashme e Tij, të Pastrit prej të metave. Çdo gjë që ekziston nuk mund të ketë pavarësi nga Mirësia e Tij as sa një përpëlitje syri, duke i krijuar, furnizuar dhe ndihmuar ato. Thotë i Lartësuari:

ٱلَّذِىٓ أَحْسَنَ كُلَّ شَىْءٍ خَلَقَهُۥ ۖ وَبَدَأَ خَلْقَ ٱلْإِنسَٰنِ مِن طِينٍۢ

"Ai është i Cili e përsosi çdo gjë që krijoi, ndërsa njeriun e krijoi nga balta." [Es-Sexhdeh, 7]

Thotë i Lartësuari:

وَصَوَّرَكُمْ فَأَحْسَنَ صُوَرَكُمْ ۖ وَإِلَيْهِ ٱلْمَصِيرُ

"Ai (Allahu) ju formoi juve në formën më të përkryer dhe tek Ai do të ktheheni." [Et-Tegabun, 3]

Mirësia dhe begatia më e madhe është udhëzimi në këtë Fe, hapja e krahërorit për të qenë i qëndrueshëm ndaj bindjes së Zotit të botëve, qëndrueshmëria në të vërtetën dhe në udhëzim deri në vdekje derisa kjo të kurorëzohet me nderimin më të madh, bamirësinë më të shtrenjtë, e që është hyrja në Xhenet Ditën e Gjykimit dhe t’i mundësohet ta shikojë Bujarin, të Gjithëmëshirshmin, Bamirësin, Dhënësin e të gjitha mirësive. I lutemi Atij, të Pastrit nga çdo e metë, që të na japë nga bujaria e  Tij e madhe dhe mirësia e Tij e pashtershme.

Allahu, i Pastri prej të metave, dëshiron prej robërve të Tij që të afrohen tek Ai duke iu përmbajtur kuptimeve të Emrave të Tij. Ai është i Gjithëmëshirshmi, i do të mëshirshmit; Ai është më Bujari dhe i do bujarët; Ai është më Bamirësi dhe i do vepërmirët. Thotë i Lartësuari:

وَأَحْسِنُوٓاْ ۛإِنَّ ٱللَّهَ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

"Bëni mirë sepse vërtetë Allahu i do vepërmirët." [El-Bekareh, 195]

Gjithashtu prej mirësisë është edhe mirësia që u bën robërve të Allahut, duke u sjellë mirë me prindërit, duke i mbajtur lidhjet farefisnore, duke i përmbushur të drejtat e të tjerëve, duke i ndihmuar nevojtarët, duke mos i dëmtuar njerëzit, duke u përpjekur për t'u bërë mirë atyre si dhe mirësi të tjera që mund të bësh me robërit e Allahut.

Në lidhje me këtë, Allahu ka premtuar shpërblim të madh në këtë botë dhe në botën tjetër në shumë ajete Kur'anore. Ndërsa në Fjalën e Tij, të Pastrit prej të metave, ka bashkuar mes këtyre dy shpërblimeve, ku thotë:

فَـَٔاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ ثَوَابَ ٱلدُّنْيَا وَحُسْنَ ثَوَابِ الآخِرَةِ ۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلْمُحْسِنِينَ

"Kështu Allahu ua dha atyre shpërblimin në këtë botë dhe shpërblim më të mirë në botën tjetër. Me të vërtetë që Allahu i do vepërmirët." [Al-'Imran, 148]

Allahun na bëftë neve prej tyre me Mirësinë dhe Bujarinë e Tij.

 

Përktheu: Servet Mata