Text Size
Tuesday, September 23, 2014

Shejkh Hammad Ibn Muhamed el-Ensari

Burimi: Fatwa-Online.com


Emri i tij ishte: Ebu ‘Abdul-Latijf Hammad Ibn Muhamed Ibn Muhamed Ibn Hinneh Ibn Mukhtar Ibn Muhamed el-Beshir, me prejardhje nga Kajs Ibn Sa’d Ibn ‘Ubade el-Khazraxhi el-Ensari. Ai ka lindur në vitin 1343 Hixhrij (1924) në një qytet të quajtur Taad Mekka në Mali, Afrika Perëndimore. Emri Taad Mekka do të thotë “Kjo është Mekka” pasi qyteti është i rrethuar nga katër male, sikurse edhe Mekka. Familja e tij ishte mjaft e njohur në Timbuktu, që ishte kryeqyteti i zonës lindore të Malit. Prejardhja e tij përfundon tek Beni Nasir el-Ensarijin, të cilët ishin të fundit që sunduan në Granata (Granada, Andaluzi - Spanjë). Familja e tij ishte e njohur për diturinë, fetvatë dhe dhënien e dënimeve (hudud) para dhe pas kolonializimit të Malit nga Franca.

Edukimi i tij, kërkimi i diturisë dhe Shejkhat me të cilët studioi:

 

Shejkhu u edukua në një familje me vlera e dituri, ngase Shejkat me të cilët studjoi ai në fillimet e tij ishin:

1) Xhaxhai i tij, Shejkh el-Mukri, Muhamed Ibn Ahmed Ibn Takij el-Ensari, i cili njihej me nofkën “Mësuesi i Fëmijëve” për shkak të kohës që kaloi në mësimin e fëmijëve që të lexonin Kur'anin. Kështu, Shejkh Hammad filloi të mësonte përmendësh Kur'anin kur ishte dhjetë vjeç, derisa e mësoi atë të gjithë bashkë me rregullat e texhuidit në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare. Gjithashtu, ai studioi me të gramatikën dhe morfologjinë.

2) Djali i Xhaxhait, Dijetari i madh i kohës së tij, Shejkh Musa Ibn el-Kisa’i el-Ensari.

3) Daja i tij, Muhamed Ibn Ahmed Ibn Muhamed, të cilin e quanin “el-Bahr” (Deti) për shkak të dijes së madhe që posedonte. Shejkh Hammadi studjoi nën kujdesin e tij usulul-fik’h dhe tefsir. Studioi gjithashtu Muwettan e Imam Malikut, Sahihun e Bukharit dhe atë të Muslimit, Sunenin e Ebu Davudit, Mukhtesir Khalil dhe vepra e libra të tjerë të fik’hut Maliki.

4) Shejkh esh-Sherif el-Idrizi el-Husejni Hamud Ibn Muhamed, nën mbikqyrjen e të cilit studjoi filozofi, usulul-fik’h dhe tefsir.

Pastaj, Shejkh Hammadi vazhdoi të studjonte libra më të mëdhenj dhe gjithashtu nisi të jepte mësim në qytetin Manakah, derisa bëri hixhret pas kolonializimit të Malit nga Franca.

Kur Shejkhu mbërriti në Mekke, ai iu bashkangjit mexhliseve të Ulemave, mes të cilëve përmendim:

1) Shejkh Muhamed ‘Abdur-Rrazzak Hamzah, i cili jepte mësim Tefsirin e Ibn Kethirit;

2) Shejkh Ebu Muhamed ‘Abdul-Hak el-‘Amri el-Hashimi el-Hindi, i cili jepte mësim Sahihun e Imam Bukharit;

3) Shejkh Hasen el-Meshat, i cili i jepte mësim Sunenin e Tirmidhiut;

4) Shejkh Muhamed Emin el-Hanefi, i cili i jepte mësim Sahihun e Imam Bukharit;

5) Shejkh el-‘Arabi et-Tabani;

6) Shejkh Muhamed Emin el-Halebi, i cili i jepte mësim Gramatikën (Nahw);

7) Shejkh Hamid el-Fikij;

...dhe shumë nga dijetarët e tjerë të Mesxhidil-Haramit në Mekke.

Udhëtimi i tij për në Medine:

Shejkh Hammadi udhëtoi drejt Medines, ku studjoi në Dar el-’Ulum esh-Sher’ije më 1371 Hixhrij (1952 E.K.) në fakultetin e Hadithit. Ndërsa ishte në Medine, ai studjoi me shumë dijetarë aty, mes të cilëve:

1) Shejkh Muhamed 'Abdullah ibn Mahmud el-Medeni, i cili ishte imami i Xhamisë së Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem). Shejkh Hammadi përfitoi jashtëzakonisht shumë nga Shejkh el-Medeni, saqë ai shkroi një libër në dedikim të tij;

2) Shejkh Muhamed ibn Turki en-Nexhdi, nën mbikqyrjen e të cilit studjoi el-Muwetta të Imam Malikut dhe el-Mugni të Ibn Kudames;

3) Shejkh Muhamed el-Hafidh ibn Musa Hamid, nën mbikqyrjen e të cilit studjoi Sunenin e Nesaiut dhe pastaj iu dha ixhaze (leje) për ta dhënë mësim atë;

4) Shejkh 'Umer Barij;

5) Shejkh 'Amar el-Magribi;

6) Shejkh 'Abduh Khudai'.

Kthimi i tij në Meke:

Pasi u diplomua në Darul-‘Ulum esh-Sher’ijje në vitin 1371 Hixhrij (1952 E.K), ai u kthye në Mekke ku punoi si mësues në përputhje me atë që i kishte shkruajtur djali i xhaxhait të tij – Shejkh Isma’il el-Ensari – sepse edhe ai poashtu punonte si mësues në Meke.

Pra, Shejkh Hammadi u kthye në Mekke për të dhënë mësim në një shkollë fillore dhe në shkollë të mesme. Aty ai u takua me Shejkh ‘Abdul-Latijf Ibn Ibrahim Ali-Shejkh dhe vëllain e tij, Shejkh Muhamed Ibn Ibrahim Ali-Shejkh. Kur u  bëri vizitë, ai i gjeti ata në shoqërinë e vëllait të tyre, Shejkh ‘Abdul-Melik Ibn Ibrahim Ali-Shejkh, dhe u prezantua mes tyre.

Më pas, Shejkh ‘Abdul-Latijf i sugjeroi Shejkh Hammadit që të shkonte në Rijad dhe ai urdhëroi sekretarin e tij që të telefononte ‘Abdul-‘Azijz el-Lexhaui, i cili ishte përgjegjës për stafin mësimor në të gjitha universitetet.

Me pranimin e kërkesës së Shejkh ‘Abdul-Latijfit, Shejkh Hammadi bëri haxhin dhe pastaj u nis për në Rijad, ku filloi të jepte mësim në Fakultetin e Sheriatit. Ai dha mësim poashtu në Institutin Imam ed-Da’ue në Rijad i cili ishte themeluar atëkohë dhe qëndroi atje nga viti 1375 Hixhrij (1956 E.K) deri në vitin 1378 Hixhrij (1959 E.K). Pastaj u kthye në Fakultetin e Sheriatit, ku qëndroi nga viti 1959 Hixhrij (1960 E.K) deri në vitin 1384 Hixhrij (1965 E.K).

Në vitin 1384 Hixhrij (1965 E.K) ai udhëtoi për në Medine, ku u transferua në Universitetin Islamik derisa sa doli në pension në vitin 1410 Hixhrij (1991 E.K). Megjithatë, ai i mbajti lidhjet me Universitetin Islamik, ku mbikqyrte përgatitjen e studentëve për tezat e magjitstraturës dhe doktoraturës.

Dijetarët që i dhanë ixhaze (leje transmetimi):

1) Shejkh ‘Ubejdur-Rrahman el-Mubarakfuri; i cili ishte autori i veprës Mir’atul-Mefatih Sherh Mishkatul-Mesabij;

2) Shejkh 'Abdul-Hafidh el-Filistini;

3) Shejkh Kasim ibn 'Abdul-Xhebar el-Andixhani;

4) Shejkh Hamud et-Tuvejxhiri;

5) Shejkh Ebu Muhamed ‘Abdul-Hakk el-Hashimi.

Udhëtimet e tij:

Shejkh Hammadi kishte një dëshirë të madhe për të udhëtuar në vende të ndryshme, dëshirë të cilën arriti ta realizonte. Në një rast ai ka thënë: “Jam përpjekur që të udhëtoj në të gjithë botën, madje deri në Kinë, por gjithsesi mosha ime më pengoi nga kjo gjë.”

Disa nga vendet ku Shejkhu udhëtoi përmendim: Egjipti, Siria, Maroku, India dhe shtete të tjera nga Evropa, Afrika dhe Azia. Shejkhu i ka mbajtur shënim këto udhëtime në librin e tij er-Rihlat el-Ensarije.

Mësimet e tij:

Përveç angazhimit të tij në mësimdhënie në Universitetin Islamik, Shejkh Hammadi ishte mjaft i preokupuar në dhënien mësim të librave të Sunetit dhe Teuhidit. Mes atyre librave që ka dhënë mësim përmendim: Sahih Muslim, Sahih el-Bukhari, Sunen et-Tirmidhi të cilin e ka mbajtur në Xhaminë e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), et-Teuhid ue Ithbat Sifatur-Rabb të Imam Ibn Khuzejmes, Sherh el-‘Akijdetu et-Tahauijje dhe libra të tjerë.

Pjesëmarrja e tij në komisionet e dijes:

Shejkh Hammadi ishte anëtar i Komisionit të Qendrës për Kërkime në Sunetin dhe Siran e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) në Medine. Gjithashtu, ai ishte anëtar i komisionit mbikqyrës për çështjet administrative të Xhamisë së Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), komision i cili mblidhej dy herë në javë.

Libraria e tij:

Shejkh Hammadi e filloi librarinë e tij në vitin 1367 Hixhrij (1948 E.K) dhe në fillim aty kishte libra që mbulonin çdo aspekt të dijes. Më vonë, në vitin 1373 Hixhrij (1954 E.K) ai ia dhuroi librarinë xhaxhait të tij dhe pastaj filloi të ngrinte librarinë e tij nga e para, por kësaj here duke u përqëndruar vetëm në fushën e hadithit.

Libraria e tij rritej dita-ditës, në të cilën kishte libra të hadithit, ‘ilmur-rrixhal (shkenca e transmetuesve të hadithit), mustalah (shkenca e terminologjisë së hadithit) dhe çdo aspekt tjetër të hadithit dhe akijdes, përveç kërkimeve studimore nga Universiteti Islamik dhe universitetet e tjera brenda Arabisë Saudite. Me të vërtetë, në ngritjen e këtij koleksioni të jashtëzakonshëm me libra, Shejkh Hammad el-Ensari nuk u kursye aspak duke shpenzuar nga xhepi i tij për të patur ato libra që i interesonin.

Ai bleu librin Tarijkh Dimeshk të Ibn ‘Asakirit i cili i kushtoi Shejkhut shtatëmijë rijalë (rreth 1200 paund ose 2000 dollarë). Poashtu, ai bleu librin el-Kamil të Ibn ‘Adij, të cilin e solli nga Turqia dhe që i kushtoi njëmijë rijalë (rreth 300 dollarë), ndërkohë që paga e tij mujore ishte vetëm njëmijë rijalë.

Shejkhu e mbante hapur librarinë në mëngjes dhe herët në mbrëmje për studentët e dijes dhe ata që bënin hulumtime. Derisa pas vdekjes së tij, bijtë e tij ranë dakort që të merrnin përsipër vazhdimin e traditës së babait të tyre duke e mbajtur të hapur atë për studentët e dijes dhe ata që bënin hulumtime, ashtu siç do kishte bërë bababi i tyre po të kishte qenë gjallë. Allahu e shpërbleftë Shejkh Hammadin dhe bijtë e tij për përfitimin që nxirret nga libraria e tij e madhe.

Shejkh Hammadi ishte i përkushtuar në mbledhjen e librave, në veçanti librat e hadithit dhe akijdes. Sa herë që dilte në botim ndonjë libër i ri, ai ishte nga të parët që do të merrte një kopje, qoftë ne Medine apo jashtë Medines. Nëse do t’i vinte lajmi se është botuar një libër i ri, ai do të telefononte botuesin dhe do t’i kërkonte një kopje për librarinë e tij që ishte në zgjerim e sipër.

Njohuria e tij rreth librave ishte aqe gjerë saqë ai thuajse ishte një pikë referimi për studentët, të cilët sa herë që e takonin e pyesnin për ndonjë botim të ri apo nëse kishte sjellë ndonjë dorëshkrim të ri.

Publikimet e tij:

Shejkh Hammadi ka shkruajtur një numër të madh librash, disa prej të cilëve janë botuar kurse disa të tjerë kanë mbetur në dorëshkrime.

Poezia e tij:

Shejkh Hammadi ishte i famshëm për zotësinë e tij në vargjet poetike.

Dijetarët që e kanë lavdëruar:

Të shumtë janë Dijetarët që dëshmuan për dijen e tij të gjerë, mes të cilëve ishin:

1) Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibn Baz;

2) Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani;

3) Shejkh 'Abdul-'Azijz Ibn 'Abdullah Ali-Shejkh - aktualisht myftiu i përgjithshëm i Arabisë Saudite;

4) Shejkh Salih Ibn Muhamed el-Luhejdan - kryetari i këshillit të gjykatësve në Arabinë Saudite;

5) Shejkh 'Abdul-Muhsin Ibn Hamad al-'Abbad - ish-rektor i Universitetit Islamik të Medines;

6) Shaykh Muhamed esh-Shatili en-Nejfar - i cili ishte një nga Dijetarët më të mëdhenj të Tunizisë;

7) Shaykh Muhamed Ebu Khubzah - i cili ishte nga Dijetarët e Marokut;

8) Shejkh Muhamed 'Ataullah Hanif - i cili ishte një nga dijetarët e mëdhenj të Pakistanit;

... dhe dijetarë të tjerë të botës Islame.

Studentët e tij:

Shejkh Hammadi kishte shumë studentë të tij, mes atyre që morën ixhaze prej tij ishin:

1) 'Attije Muhamed Salim - i cili studjoi me të el-Axhrumije dhe er-Rahabije;

2) Shejkh Dr. Salih Ibn Sa'd es-Suhajmi;

3) Shejkh Dr. Merzuk Ibn Hijas ez-Zahrani;

4) Shejkh Dr. 'Umer Ibn Hasen Fallatah;

5) Shejkh Dr. Uasiullah 'Abbas;

6) Shejkh Dr. 'Abdul-'Alim 'Abdul-'Adhim;

7) Shaykh Dr. Mahfudh er-Rrahman Zejn;

8) Shejkh Dr. Zejnul-'Abidin Bila Furajxh;

9) Shejkh Dr. Sagir Ahmed;

10) Shejkh Dr. Shemsudin el-Afgani;

11) Shejkh Dr. Salih Ibn Hamid er-Rifa'i;

12) Shejkh Dr. Musa'id er-Rashid;

13) Shejkh Dr. 'Abdur-Rrahman Ibn 'Abdul-Xhebbar al-Firjuva’i;

14) Shejkh Dr. 'Ali Ibn Husejn Ibn 'Ali;

...dhe studentë të tjerë që studjuan me të.

Shtëpia e tij:

Shejkh Hammadi jetonte në Harah el-Mesani’ në Medine dhe atëkohë shtëpia e tij ishte e mbushur plot me studentë të dijes dhe studjues. Më vonë, ai ndërtoi një shtëpi më të madhe në Harah esh-Sherkije. Disa kohë më pas, libraria i tejkaloi përmasat e shtëpisë së tij dhe Princi Sultan Ibn ‘Abdul-‘Azijz i dhuroi atij një shtëpi shumë herë më të madhe në Hajj el-Fejzalije, pranë Universitetit Islamik. Shejkhu qëndroi tek kjo shtëpi ashtu siç qëndroi në shtëpitë e tjera, me të njëjtin model, duke i hapur dyert e librarisë për ata që donin të përfitonin nga koleksioni i gjerë me libra.

Sëmundja dhe vdekja e tij:

Shejkh Hammadi u sëmur në natën e 23 të Ramadanit në vitin 1417 (1998 E.K) kur ishte duke falur namaz nate në Xhaminë e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem). Sëmundja e tij u rëndua akoma më shumë dhe ai vdiq mëngjesin e ditës së Enjte më 21 Xhumade Euel 1418 Hixhrij pasi kaloi thuajse tetë muaj në spital.

Xhenazja e tij u fal pas namazit të Ikindisë në Xhaminë e Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe pastaj ai u varros në varrezat Bekij’. Vërtet, në të mori pjesë një turrmë e madhe njerëzish, gjë që të sillte ndërmend thënien e Imam Ahmedit, “Thojuni bidatçijve: Mes jush dhe neve janë Xhenazet!” duke patur për qëllim numrin e madh të pjesëmarrësve në xhenazet e Ehli-Sunetit dhe numrin e vogël të atyre që marrin pjesë në Xhenazet e Bidatçijve.

Të shumtë ishin pjesëmarrësit nga rradhët e dijetarëve, gjykatësve, hatibëve dhe mësuesve nga universitetet, krahas numrit të madh të studentëve.

Fëmijët e tij:

Shejkh Hammadi vdiq duke lënë pas një grua dhe njëmbëdhjetë fëmijë, mes tyre tetë djem, përfshi dy djemtë e tij të njohur, ‘Abdul-Barij dhe ‘Abdul-Euel që janë diplomuar të dy në Fakultetin e Hadithit (në Universitetin Islamik të Medines). ‘Abdul-Barij ka marrë magjistraturën dhe aktualisht jep mësim në Fakultetin e Hadithit. Kurse ‘Abdul-Euel punon si hulumtues në Qendrën për Studime të Sunetit dhe Siras së Pejgamberit në Medine.

Shejkh Hammadi la pas edhe tri vajza.

Allahu Subhanehu ue Te’ala pastë mëshirë për shpirtin e tij, Amin.

 

Përktheu Alban Malaj