Autor: Xhemal ibën Furejhan el-Harithi

Burimi: http://www.ajurry.com/vb/showthread.php?t=25094

 

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

Ai që shikon në biografinë e Pejgamberit – alejhi salatu ue selam –, historinë e Udhëheqësve të Drejtë, Sahabëve (shokëve të Pejgamberit), Tabi’in-ëve (ata që i mbërritën Sahabët), ata që i mbërritën Tabi’inët (Etba’au Tabi’in-ët), si dhe ata që erdhën pas këtyre, e deri në fund të qindvjeçarit të tretë sipas Hixhrit, nuk do të gjejë ndonjë dijetar të ketë folur për Mevludin (ditëlindjen) e Pejgamberit apo ta ketë përmendur në shkrimet e tij, sepse nuk ishte shpikur ky bidat, as nga ana e udhëheqësve e as nga ana njerëzve të thjeshtë.

 

Të parët që shpikën bidatin e Mevludit janë Benu Ubejd-ët – Ubejdijunët, në Egjipt. Po ashtu quhen edhe Fatimijun. Tekijuddin Ahmed bin Alij el-Makrizij në librin “el-Meua’idh ue el-‘Itibaar bi Dhikri el-Khutati ue el-Athaar,” [1/490], thotë:

“Përkujtimi i ditëve që udhëheqësit Fatimijun i shndërruan në festa dhe kremtime, përmes të cilave përmirësohej gjendja e popullit dhe shtoheshin të mirat e tyre.”

Ai thotë: “Gjatë gjithë vitit udhëheqësit Fatimij kishin festa dhe kremtime. Ato ishin: Kremtimi i “Fundvitit,” “Kremtimi i Fillimit të Vitit,” “Dita e Ashuras,” “Mevludi (ditëlindja) i Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem,” “Ditëlindja e Alij ibën Ebi Talib – radijAllahu anhu,” “Ditëlindja e Hasenit dhe Husejnit – alejhima selam,” “Ditëlindja e Fatimes – ‘alejha selam,” “Ditëlindja e Udhëheqësit aktual,” “Nata e parë e (muajit) Rexheb,” “Nata e mesme e muajit Rexheb,” “Kremtimi i natës së Ramazanit,” “Fillimi i Ramazanit,” “Sofra e Ramazanit,” “Nata e fundit (e Ramazanit),” “Kremtimi i festës së Fitrit,” “Kremtimi i festës së therjes,” “Festa e Gadir-it,” “Ashpërsia e Dimrit,” “Ashpërsia e Verës,” “Kremtimi i çlirimit të Gjirit (Persik),” “Dita e Nevruzit,” “Dita e Epifanisë,” “Ditëlindja,” “Enjtja e Shenjtë,” “Ditët e Lëmoshës.”

 

Shejkh Muhamed Bekhit el-Muti’ij el-Hanefij, ish-muftiu i vatrave të Egjiptit, në librin e tij “Ahsenul-Kelami fima jete’al-lak bi Sunneti ue el-Bid’ati min el-Ahkam,” (44-45), thotë:

“Ndër gjërat për të cilat flitet dhe janë shpeshtuar pyetjet, është Mevludi. Andaj, ne themi: të parët që e shpikën atë në Kajro, ishin udhëheqësit Fatimij. I pari i tyre që e shpiku ishte el-Mu’iz li DiniLah, i cili erdhi nga Maroku në Egjipt në muajin Sheu’ual të vitit 361 Hixhrij. Ai mbërriti në portin e Aleksandrisë në muajin Sh’aban, të vitit 362 Hixhrij dhe hyri në Kajro më 7 Ramazan, dhe kështu shpikën shtatë ditëlindje: “Ditëlindjen e Pejgamberit – alejhi salatu ue selam, ditëlindjen e prijësit të besimtarëve Alij ibën Ebi Talib,...” Benu Ubejdët mbanin nofkën “Fatimijun” me të cilën donin që t’i përkatësoheshin kësaj prejardhje fisnike, kurse ata (në realitet) kthehen te prejardhja më e fëlliqur.”

 

Imami, historiani, Ebu Shameh (vdiq në vitin 665 hixhrij), autori i librit “er-Reudatejni fi Akhbari ed-Deuletejni,” (fq. 200-202), thotë për Ubejdijunët:

“Ata iu shfaqën njerëzve si Shurefa (pasardhës së familjes se Pejgamberit – alejhi salatu ue selam), Fatimijun (që kishin prejardhje prej bijës së Pejgamberit – Fatimes). Ata sunduan disa vende dhe i shtypnin robërit (njerëzit). Një grup dijetarësh të mëdhenj kanë përmendur se: ata nuk ishin të zotët për të sunduar dhe as që ishte e vërtetë prejardhja e tyre, por ajo që dihej për ata është se, ata ishin “Benu Ubejd,” dhe babai i këtij Ubejdit kishte prejardhje nga pasardhësit e Kaddahut, i cili ishte ateist dhe mexhus. Po ashtu, është thënë se babai i këtij Ubejdit ishte Jehud nga banorët e Selemijes nga vendet e Shamit (Sirisë), dhe ai ishte farkëtar.

Ky Ubejdi quhej “Se’id” dhe kur hyri në Marok, u quajti veten Ubejdullah dhe pretendonte se është Aleuij (Alevitë ose Nusajri), Fatimij, duke pandehur një origjinë që nuk ishte e vërtetë. Asnjë nga gjenealogët nuk i kanë përmendur Aleuijt, përkundrazi, një grup dijetarësh kanë përmendur të kundërtën e kësaj origjine.  Pastaj, ai filloi të madhërohej, derisa erdhi në sundim dhe u quajt el-Mehdij, kurse fisi Beni Mehdijeh ishin nga Maroku, dhe (madhëronte) veten se ka prejardhjen e tyre. Ai ishte zindik (heretik) i fëlliqur, armik i Islamit, shfaqte gjoja teshejuë (ata që pretendojnë se Aliu është më i mirë se Uthmani) dhe fshihej me këtë. Ai ishte i zellshëm që t’i shfaroste Muslimanët dhe vrau një numër të madh të fukahave (juristëve Islam) dhe muhadithinëve. Ai synonte që t’i zhdukte dijetarët, në mënyrë që njerëzit të mbeteshin si bagëtitë, kështu t’i jepej mundësia për t’ua prishur besimin e tyre dhe t’i devijonte. Kurse Allahu e plotëson Dritën e Tij, edhe në qoftë se këtë e urrejnë pabesimtarët.

 

Pasardhësit e tij u rritën me këtë ideologji, duke e mbajtur të fshehtë atë. Ata e shfaqnin këtë ideologji nëse u jepej mundësia, përndryshe e fshihnin atë. Thirrësit e tyre, kishin propaganduesit e tyre në shtet që devijonin atë që mundnin nga robërit, dhe kjo fatkeqësi i ngeli Islamit që prej shteti të parë të tyre (Fatimijunëve) e deri në fundin e tij, që nga muaji Dhul-Hixheh të vitit 299 e deri në vitin 567. Gjatë kohës së tyre, u shtuan Rafidijt dhe u forcuan. Kishte 14 halife të cilët pretendonin se ishin pasardhës të familjes së Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam –, ndërsa ata kishin prejardhje prej Mexhusëve osë Jehudëve, saqë kjo gjë u bë e njohur edhe te njerëzit e thjeshtë. Kështu, ata filluan të thonë: “Shteti Fatimij dhe shteti ‘Aleuij (Alevit) në realitet është shtet mexhusij apo shtet Jehudij batinij (batinij – që shfaq Islam por fsheh përbrenda kufrin) ateist. 

 

Po ashtu, nga fëlliqësia e tyre ishte se, i urdhëronin me këtë ata që mbanin hutbe në mimbere, të thonë se ata janë Alauijun, Fatimijun. Ata e shkruanin këtë nëpër muret e xhamive dhe në vendet tjera. Komandanti i Aleuijunëve, Xheuheri – i cili ua pushtoi tokat e Egjiptit duke ua dhënë Fatimijve dhe vet ai ua ndërtoi qytetin “el-Kahiretu el-Mu’izijeh” – u mbajti një hutbe duke u thënë: “O Allah dërgo lëvdata mbi robin tënd dhe udhëheqësin tënd, frytin e Pejgamberisë dhe pasardhësit udhëzues e të udhëzuar, Me’ad Ebi Temim, Imamin el-Mu’izz Lidinilah, prijësin e besimtarëve, ashtu siç dërgove lëvdata për etërit e tij të pastër dhe për pararendësit e tyre të zgjedhur, imamëve të drejtë.”

 

Gënjeu ky armik i mallkuar i Allahut. Nuk ka mirësi tek ai dhe as te të gjithë  paraardhësit e tij, e as te pasardhësit e tij që kanë ngelur. Pasardhësit e pastër të Pejgamberit janë larg tyre – Allahu i mëshiroftë ata dhe të ngjashmit e tyre të gjeneratës së parë.

 

“Ai që mbart nofkën el-Mehdij – Allahu e mallkoftë –, merrte injorantë dhe i lëshonte kundër njerëzve që kishin pozitë, siç ishin: fukahatë dhe dijetarët, kështu, i thernin ata në shtretërit e tyre. Ai u shkroi Romakëve (të Krishterëve) dhe i bëri ata që të vërsulen kundër Muslimanëve. Ai i shtoi krimet, uzurpimin e pasurisë dhe vrasjen e njerëzve; kishte thirrës që devijonin njerëzit në bazë të nivelit të tyre. Disave u thonin: ‘Ai është Mehdiju, djali i të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe argumenti i Allahut për krijesat e tij.’ Kurse disa të tjerëve u thonin: ‘Ai është i Dërguari i Allahut dhe argumenti i Tij.’ Disa tjerëve u thonin: ‘Ai (Mehdiju) është Allahu, krijuesi, furnizuesi.”

 

Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit, të Pashok, i Madhëruar është Ai dhe i Pastër nga çdo e metë dhe i Lartësuar nga ajo që thonë zullumqarët.

 

“Kur ai vdiq, e zëvendësoi atë djali i tij që quhej el-Kaim. Ai e shtoi të keqen shumë më tepër se babai i tij, doli haptazi e shante Pejgamberët, dhe thërriste nëpër tregjet e Mehdias (qytet në Tunizi) dhe vendet tjera, duke thënë: “Mallkoni Aishen dhe babanë e saj, mallkoni shpellën (në të cilën qëndroi Ebu Bekri me Pejgamberin) dhe atë që përmbante ajo.”

 

Sharje e imamëve të Bagdadit dhe dijetarëve të tyre ndaj origjinës së Fatimijunëve (mbretërve të Egjiptit).

 

Në fund të muajit Rabij el-Akhër, nga ajo që ata kishin shkruar në Bagdad, ishin disa raporte që përmbanin sharje dhe fyerje ndaj prejardhjes së Fatimijve, mbretërve të Egjiptit, të cilët nuk janë të tillë (për prejardhjen që pandehin), por prejardhja e tyre e vërtetë kthehet tek Ubejd bin S’ad el-Xhurmij. Për këtë shkruan një grup njerëzish nga dijetarët, gjykatësit, fisnikët, të drejtët, të devotshmit, fukahatë, muhadithinët dhe të gjithë dëshmuan se: sunduesi i Egjiptit, Mensur bin Nezar, i cili quhej sundues – Allahu e gjykoftë kundër tij me shkatërrim dhe poshtërim – djali i M’ad bin Ismail bin Abdullah bin Se’id – Allahu kurrë mos e lumturoftë – i cili kur shkoi në Marok, e quajti veten si Ubejdullah dhe mbante ofiqin el-Mehdij; dhe paraardhësit e tij ishin pretendues të kësaj prejardhjeje dhe ishin Khauarixh, që nuk kishin prejardhje nga biri i Alij ibën Ebi Talib dhe as që kishin lidhje me prejardhjen e tij; dhe se ai (Aliju) ishte i pastër prej kotësisë së tyre, dhe ajo që pretendonin për të, ishte e pabazë dhe e trilluar. Ata (dijetarë) nuk njihnin që ndonjëri prej tyre të kishte një prejardhje të tillë fisnike. Ky sundues që ishte në Egjipt dhe pararendësit e tij, ishin pabesimtarë, njerëz që bënin mëkate të mëdha (fusak), të shthurur, ateistë, zindikë (heretikë), që mohonin Islamin dhe nga ana tjetër, besonin në medh’hebin e mexhusëve idhujtarë. Ata i mohuan ndëshkimet e Sheriatit, i lejuan marrëdhëniet jashtëmartesore, e lejuan alkoolin, e derdhën gjakun, i shanë Pejgamberët, mallkuan Selefët dhe pretenduan se kanë zota.”

El-Bidajeh ue en-Nihajeh, 11/245-246.

 

Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“... që të merret për festë ajo që nuk e ka ligjëruar Allahu, siç janë disa net të muajit Rabij el-Eu’uel, të cilave u thonë se janë nata e Mevludit, apo disa net të muajit Rexheb, apo dita e 18 e Dhul-Hixhes, apo xhumaja e parë e muajit Rexheb, apo dita e tetë e Sheualit që e quajnë të paditurit “Festa e të Devotshmëve - ‘Idul-Ebrar,’ kjo festë është prej bidateve të cilat Selefët nuk i donin dhe nuk i vepronin. Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari – është më i Dituri.

Mexhmu’ul-Fetaua (25/298), el-Fetaua el-Kubra (1/372).

 

Po ashtu, Ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Ajo që shpikin disa njerëz, ose si përngjasim me të Krishterët për ditëlindjen e Isait – alejhi selam, ose si dashuri ndaj Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe madhërim për të, ndoshta Allahu mund t’i shpërblejë ata për këtë dashuri dhe mund, e jo për bidatet, siç është marrja për festë të ditëlindjes së Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – me gjithë mospajtimet e njerëzve që kanë për ditëlindjen e tij (datën e saktë). Këtë nuk e kanë bërë Selefët – radijAllahju ‘anhu – edhe pse kanë ekzistuar rrethanat për atë dhe nuk ka pasur ndonjë ndalesë për atë. Sikur në festimin e mevludit të kishte ndonjë mirësi të madhe dhe të ishte i saktë, Selefët do ta kishin bërë para nesh, sepse ata ishin ata që e donin dhe e madhëronin të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – më shumë se ne, dhe ata ishin më të zellshëm për atë mirësi. Por dashuria dhe madhërimi i plotë qëndron te pasimi i tij, bindja ndaj tij, pasimi i urdhrave të tij, ringjallja e sunetit të tij, haptazi dhe fshehurazi, përhapja e asaj me të cilën u dërgua, xhihadi në të me zemër, dorë dhe gjuhë. Kjo është rruga e të parëve nga Muhaxhirët dhe Ensarët dhe ata që i ndoqën këta me përpikëri.

Ata që më së shumti kanë zell për bidate të këtilla – me gjithë pasuritë që i shpenzojnë për këto bidate dhe kanë qëllim të mirë dhe për mundin (ixhtihad) që e bëjnë për të cilën shpresohet se kanë shpërblim – i sheh  se kanë mangësi në përmbushjen e urdhrave të të Dërguarit për të cilat janë urdhëruar që të kenë gjallëri, ndërsa ata janë si në gradën e atij që e zbukuron mus’hafin dhe nuk e lexon, apo e lexon por nuk e pason atë. Po ashtu, ai është në gradën e atij që e zbukuron xhaminë dhe nuk falet në të apo se falet pak në të.“

Iktidau Siratil-Mustekim, 1/ 294-296

 

Me kaq po e mbaroj, lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij në përgjithësi.

 

Shkroi: Xhemal ibën Furejhan el-Harithi

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari