Burimi: Fetaua Lexhneti Daimeh, 3/12

Nr. i fetvasë [1122]

 

 

Pyetja: Ka njerëz që lexojnë Mevludin, suren Jasin dhe suren el-Fatiha për dëshmorët e Bedrit në ditën e 17 të muajit të Ramazanit ku mblidhen në një xhami hanefije (që i përkatësohen medh’hebit hanefij), pastaj luten për këta dëshmorë. Po ashtu, ata lexojnë Mevludin, suren Jasin dhe suren el-Fatiha, pastaj lexojnë lutje. A është e lejuar kjo gjë në Sheriat apo jo? Sqarojeni këtë me argumente që të shpërbleheni tek Allahu.

 

Përgjigje: Tekstet Sheriatike tregojnë për gradën e dalluar të Pejgamberit tonë Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe pozitën e tij të lartë; dhe se ai është mik i Allahut dhe i dashuri i Tij; se ai është vula e të Dërguarve të Tij dhe krijesa më e mirë e Tij; dhe askush nuk ka besuar derisa ta dojë Pejgamberin më shumë se veten, prindin dhe fëmijën e tij, si dhe njerëzit në përgjithësi. Nuk ka legjislacion (sheriat) tjetër vetëm se me atë që erdhi ai dhe ia përcolli atë umetit; dhe se Allahu nuk ia mori shpirtin atij vetëm se atëherë kur Ai e përsosi fenë e Tij dhe përmes tij ua plotësoi robërve dhuntinë e Tij.

 

Tekstet Sheriatike tregojnë për vlerën e dëshmorëve të betejës së Bedrit dhe betejave tjera, dhe Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam – jetoi disa vite pas betejës së Bedrit dhe nuk dihet qe ai të ketë lexuar Mevlud për veten e tij ditën e 17 të Ramazanit, qoftë ta ketë lexuar atë vetëm apo së bashku me tjerët. Ai nuk lexonte suren Jasin, suren el-Fatiha për dëshmorët e Bedrit apo për të tjerët. Nuk e bënte këtë as në ditën e 17 të Ramazanit e as ndonjë ditë tjetër, qoftë vetëm apo bashkë me njerëzit. Nuk është vërtetuar ndonjë gjë nga ai dhe as nga ndonjëri prej Sahabëve (shokëve) të tij për këtë gjë.

Sikur kjo të ishte e ligjëruar me Sheriat, do të ishte transmetuar nga ai dhe do të ishte praktikuar në kohën e Sahabëve të tij. Sepse nuk ka mbetur ndonjë mirësi, vetëm se ai na e ka treguar atë. Dhe, origjina në të gjitha adhurimet është: të mjaftohesh dhe të kufizohesh me atë që ka ardhur nga i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.

 

Ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i vizitonte varrezat, ndër to edhe varrezat e dëshmorëve dhe lutej për ta. Nuk është vërtetuar nga ai se lexonte Mevludin, suren Jasin apo ndonjë sure apo ndonjë ajet tjetër të Kuranit, kur i vizitonte varrezat.

 

Përderisa nuk është vërtetuar diçka e tillë nga ai dhe Sahabët nuk e praktikuan diçka të tillë, kjo tregon se leximi i Mevludit, sures Jasin dhe sures el-Fatiha për dëshmorët e Bedrit ditën e 17, është bidat në vete. Po ashtu është caktimi i një dite për këtë gjë, është një bidat tjetër; si dhe mbledhja për të praktikuar një bidat, është bidat në mesin e bidateve që janë grumbulluar. Gjithashtu, grumbullimi dhe pastaj bërja e lutjeve, është bidat.

 

Andaj, Muslimani e ka detyrë që të bëjë përpjekje në kërkimin e asaj që është vërtetuar nga Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe të punojë me të, sepse nuk ka legjislacion (sheriat) vetëm se atë që e ka ligjëruar ai; çdo legjislacion tjetër përveç legjislacionit të tij nga ato që i kanë shpikur njerëzit siç janë adhurimet që nuk i ka ligjëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, të gjitha janë bidate. E ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - ka thënë:

مَنْ أَحْدَثَ فِي أَمْرِنَا هَذَا مَا لَيْسَ مِنْهُ فَهُوَ رَدٌّ

“Kush shpik në çështjen tonë (fenë tonë) atë që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.”

 

Suksesi vjen prej Allahut.

Lëvdata dhe shpëtimi qoftë për Pejgamberin tonë Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij.

 

Komisioni i Përhershëm për Kërkime Shkencore dhe Fetva:

 

Anëtar: ‘Abdullah bin Muni’

Anëtar: ‘Abdullah bin Gudejan

Zëvendëskryetar: Abdur-Rezak el-‘Afifi

Kryetar: ‘Abdul-‘Aziz bin ‘Abdullah bin Baz

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari