Autor: AbdulAziz bin Abdullah bin Baz (1420 h.)

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 14/fq. 361

 

Pyetje: Disa njerëz të thjeshtë Muslimanë, dyzet ditë pas vdekjes së ndonjë të afërmi të tyre, organizojnë atë që njihet si “të dyzetat.”  Për “të dyzetat”, ata ftojnë njerëz dhe disa nga të ftuarit lexojnë disa lutje dhe pas ngrënies së ushqimit ata recitojnë Kuranin Fisnik pastaj luten që sevapi i leximit të Kuranit t’i shkojë të vdekurit. Çfarë gjykimi ka në Sheriatit për këtë vepër, a është kjo e lejuar apo e ndaluar?

Përgjigje:Kjo nuk lejohet! Kjo është prej tubimeve të ndaluara dhe veprave të injorancës (Xhahilijetit). Kjo nuk lejohet as të bëhet në të dyzetat, as në ditën e parë, as për javën e dytë, as në krye të vitit; të gjitha këto janë vepra të shpikura (bidat), besëtytni dhe janë vepra të Xhahilijetit. Nuk lejohet të bëhet kjo vepër, porse lutesh për të vdekurin, jepet sadaka për të. Kjo është gjë e mirë. Ndërsa tubimi i njerëzve për të dyzetat, apo në krye të javës, apo në krye të muajit, apo në krye të vitit, për të gjitha këto gjëra nuk kaargument.

Xherir bin Abdullah el-Bexhelij – Allahu qoftë i kënaqur me të – thotë: “Ne e konsideronim pjesë të vajtimit të ndaluar (nijaha) tubimin në shtëpinë e të vdekurit dhe gatimin pas varrosjes së tij.” [1]

Kur vdiq Xhafer bin Ebi Talibi duke rënë dëshmor në rrugë të Allahut, dhe arriti ky lajm te Pejgamberi – sal-la Allahu alejhi ue sel-lem –  ai nuk i tuboi njerëzit, as në krye të javës, as në ditën e parë, as në krye të dyzet ditëve. Po ashtu edhe Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta – nuk e bënë këtë për vdekjen e të Dërguarit të tyre – sal-la Allahu alejhi ue sel-lem, as për Ebu Bekër es-Sidikun, as për Umerin, as për Uthmanin, as për Aliun e as për ndonjë tjetër. Andaj, është obligim lënia e kësaj vepre, ngase është nga veprat e kohës së injorancës.

____________________

[1] E ka nxjerrë Ahmedi në Musnedin e tij, nga hadithi i Abdullah bin Amër, nr. 6866

 

Përktheu: Muhamed Kallashi

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org