Autor: Muhadithi Muhammed Nasiruddin el-Albani (1419 h. – 1999 g.)

 

Atë që e quajnë “lajmërim për të vdekurin,” kurse ne e quajmë "lajmërim i Xhahilijetit" (periudha e injorancës para ardhjes së Pejgamberit, alejhi salatu ue selam) të cilin e ka ndaluar i Dërguari, alejhi salatu ue selam, dhe Selefët e ndershëm kanë paralajmëruar kundër këtij lajmërimi, saqë njëri nga ata insistoi shumë kundër kësaj dhe tha, siç është Hudhejfeja i cili i tha familjes së tij: “Kur të vdes unë, mos lajmëroni askënd.” [1]

Këtë e tha nga frika se Muslimanët pas vdekjes së tij të mos bëjnë atë që bënin njerëzit e Xhahilijetit para se të vinte i Dërguari i Allahut në mesin e tyre, i cili lajmërim i asaj kohe thuajse nuk është asgjë në krahasim me lajmërimin që bën kënduesi sot në këtë kohë, për arsye se lajmërimi i tyre ishte sipas metodës që kishte tellalli, gjë e cila ka qenë e njohur pak kohë më parë në këtë vend; ose nëse ndonjëri nuk e dinte rrugën, një person qëndronte në udhëkryq apo në vendet publike dhe thërriste me zë të lartë. Kështu vepronin në Xhahiljet, lajmëronin duke thirrur me zë të lartë për të vdekurin e tyre sikur tani që i përdorin këto altoparlantët.

Kurse tani, merr për shembull çfarë të duash nga metodat e lajmërimit: lajmërimi i të vdekurit në faqet e gazetave, lajmërimi për të vdekurit në vendet publike, madje edhe lajmërimi përmes minareve. Lajmërimi përmes minareve të xhamive është lajmërimi më i keq; xhamitë të cilat janë ndërtuar për adhurimin e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit i cili është i Vetëm dhe nuk ka ortak, të merren për lajmërimin e të vdekurve, ky është lajmërimi që bënin në Xhahilijet.

Është vërtetuar nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem, se ai dëgjoi një njeri brenda në xhami duke e bërë atë që është shumë më e lehtë se ky lajmërimi i Xhahilijetit, ai dëgjoi një njeri që kërkonte gjënë e tij që e kishte humbur në xhami. Në këtë rast, Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, i tha atij: “Mos e gjetsh kurrë!” [2] Ai u lut kundër tij, duke i thënë: “Mos e gjetsh kurrë!” kurse ai thoshte: “Kush e ka gjetur këtë që kam humbur unë?” Por, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, u lut kundër tij duke i thënë: “Mos e gjetsh kurrë!” kurse në një hadith tjetër të ngjashëm, ka thënë: Xhamitë nuk janë ndërtuar për këtë gjë!” [3]

Kurse në kohën tonë, prej xhamive tona thirren lajmërimet e Xhahilijetit, madje edhe në xhaminë më të madhe, xhaminë “Beni Umejje” prej ku dalin ulërima dhe britma që bëhen me lajmërimet. Nuk është e hijshme që aty ku përmendet emri i Allahut dhe aty ku thotë muezini “Allahu Ekber -  Allahu është më i Madhi,” që të lajmërohet se filani ka vdekur. Sikur të ishte ky lajmërim një lajmërim i thjeshtë, që mos të thuhej bashkë me atë lajmërim ndonjë fjalë tjetër, e që është lavdërimi për këtë të vdekur [4]; sikur të ishte kështu kjo çështje, e keqja do të ishte më e vogël dhe më e lehtë.

Porse ata e kanë bërë traditë që të thonë një fjali që ne e quajmë “kleshe” – pasha Allahun, nuk e mbaj mend si është – porse më kujtohet një fjalë e saj që na hyn në punë tani për temën që jemi duke folur, e ajo fjalë është: “dhe për paraardhësin e devotshmëve, filani i biri i filanit.” Pra, ky i vdekur na u bë një nga paraardhësit e devotshëm, kurse ky i vdekur mund të ishte nga njerëzit e devijuar, nga më të devijuarit e të devijuarve. Kjo ndodh për shkak se njerëzit pasojnë tradita, rituale dhe adete, dhe për këtë lajmërim ndoshta paguhen me të holla dhe dinarë, në këtë rast ai që thërret lajmërimin nuk i intereson se ky që vdiq se a ishte nga paraardhësit e devotshëm.

Shkaku i gjithë kësaj është mospasimi i udhëzimit të të Dërguarit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe mosndjekja e Sunnetit të tij, i cili Sunnet gjithmonë i ka thirrur njerëzit dhe i ka përkujtuar në fillim dhe në fund të librave, siç na dëgjoni neve këtu duke u thënë: “Fjala më e mirë është fjala e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Pejgamberit, sa-lAllahu ‘alehi ue sel-lem; gjërat më të këqija janë shpikjet në fe; çdo shpikje në fe është bidat, çdo bidat është devijim dhe çdo devijim e ka përfundimin në Zjarr.”

____________________

 [1] Shënim i përkthyesit:

Shejkh Albani, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Ahkamul-Xhenaiz – dispozitat e xhenazes,” në kapitullin “Gjërat që i kanë haram të afërmit e të vdekurit,” fq. 44, thotë:

“Të afërmit e kanë të ndaluar të lajmërojnë për vdekjen e të afërmit të tyre nga minaret e xhamive, apo diçka të ngjashme, sepse kjo është prej lajmërimit të ndaluar. Është vërtetuar nga Hudhejfe Ibën el-Jemani se ai:

 كان إذا مات له الميت قال: لا تؤذنوا به أحدا، إني أخاف أن يكون نعيا، إني سمعت رسول الله صلى الله عليه وسلم ينهى عن النعي "

“Nëse Hudhejfes i vdiste dikush prej të afërmve, ai thoshte: “Mos lajmëroni askënd për këtë! Unë kam frikë se mos është n’ajun. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, se ai e ndalonte n’ajun.”

E kanë nxjerrë Tirmidhiu (2/169) dhe e ka bërë hasen, Ibën Maxheh (1/450), Ahmedi 5/406 dhe ky formulim i këtij hadithi është i Ahmedit, Bejhakiu (4/74). Këtë hadith e ka nxjerrë ‘merfu’ nga ai Ibën Ebi Shejbeh në “el-Musannef” (4/97) dhe zinxhiri i tij është hasen siç ka thënë Hafidh iben Haxheri në “Fet’hul-Barij.

En-N’aju nga ana gjuhësore do të thotë “lajmërimi për vdekjen e dikujt” dhe sipas këtij hadithi, përfshin çdo lloj lajmërimi, porse kanë ardhur hadithe të sakta që tregojnë se lejohet njëfarëlloj lajmërimi  dhe përmes këtij hadithi dijetarët e kanë kufizuar se cili është lajmërimi i ndaluar dhe kanë thënë: “Lajmërimi i ndaluar (en-n’aju) është lajmërimi që i përngjan asaj që bënin njerëzit në kohën xhahilijetit, të cilët bërtisnin me zë të lartë nga dyert e shtëpive, në tregje.”

[2] Transmeton Nesaiu, nr. 717, hadithi është sahih.

[3] Transmeton Muslimi, nr. 568.

[4] Shënim i përkthyesit: Shejkh Albani tregon për lajmërimet për të vdekurit që bëheshin nga minaret e xhamive në Siri, të cilat lajmërime në fillim përmbanin lavdërime për të vdekurin, pastaj në fund thuhej se ka vdekur filani.

 

Përktheu: Jeton Shasivari