Burimi: Tefsiru Xhuzi el-Amme, mësimi i 12-të, Suretu el-Inshikak.

 

Pyetje: A ka ndonjë hadith të saktë për namazin e tesbihut? Falja e këtij namazi, a është sunet apo bidat? 

Përgjigje: Hadithet që flasin për namazin e tesbihut janë të dobëta si në zinxhire po ashtu edhe në tekste. Zinxhiri i tyre është i dobët edhe në qoftë se dikush nga dijetarët e ka shpallur të fortë. Edhe në qoftë se do të ishte i saktë zinxhiri i hadithit, teksti i tij është i refuzuar, sepse përmbajtja e hadithit ka papërshtatshmëri dhe Sheriati nuk ka sjellë një namaz të përafërt me këtë apo ndonjë namaz tjetër të njëjtë si ky. Andaj, ky lloj namazi me këtë hadith, nuk është i vërtetë as nga ana e zinxhirit dhe as nga ana e përmbajtjes së tekstit.

Për këtë arsye, ne mendojmë se falja e këtij namazi është bidat. Por nëse një njeri beson se ky hadith është i vërtetë, ose ai ka studiuar dhe është i aftë për të bërë studime, ose e ka dëgjuar një dijetar me peshë që është nga dijetarët e hadithit, dhe ky njeri thotë se hadithi është i vërtetë dhe nuk shikon se në tekstin e hadithit ka diçka që duhet të refuzohet dhe kështu punon me këtë hadith. Ne nuk i themi atij se ka bërë bidat dhe nuk themi për të se është bidatxhi, sepse ai ndjek një besim që e ka ndërtuar mbi një rrugë të saktë. Megjithatë, ne i themi atij se je gabim për sa i përket rezultatit dhe rrjedhojës.

Por, ai që na pyet dhe na thotë: “A është bidat namazi i tesbihut?” Ne i themi: “Po! Namazi i tesbihut është bidat!” Ky namaz, aq sa kemi dije ne, nuk është vërtetuar nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

 

Përktheu: Jeton Shasivari