Autor: Shejkh Sulejman Rruhajli

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=155031

Kjo o vëllezër i ngarkon njerëzit e Teuhidit me një përgjegjësi madhështore. Kujt i jep Allahu Teuhidin, të bazuar në Kur`an dhe Sunet, e ka detyrë që t’i mësojë njerëzit, e ka detyrë që t’ua mësojë njerëzve Teuhidin. Nëse ai shkon në vendin e tij ose vijnë njerëz në vendin e tij ose në Haxh ose në Umre ose për vizitë, ai u mëson atyre Teuhidin. Ama kur vjen dikush dhe thotë: “Jo, mos u mëso atyre Teuhidin derisa të të japin tezkije dijetarët”, kështu njerëzit mbeten në shirk. Kjo është injorancë!

Kush e mëson Teuhidin e ka detyrë me sheriat që t’ua mësojë njerëzve Teuhidin. Ama nëse ai i shikon ata në shirk dhe thotë: Unë do vazhdoj (të mësoj) derisa të marr diplomën e lartë ose të marr dëshmi nga ndonjë shejkh, ndërkohë që babain tim e shoh duke bërë shirk, mamaja bën shirk, motra ime bën shirk, kurse unë rri e shoh popullin tim duke bërë shirk, dhe të them do t’i mësoj ata kur të marr tezkije?! Jo pasha Allahun, nuk lejohet kjo! Përkundrazi, është obligim që njeriu të thërrasë në Teuhid dhe t’ua mësojë njerëzve Teuhidin aq sa di ai dhe të mos shtojë mbi të.

Detyra jonë është shumë e madhe o vëllezër. Njerëzit e të keqes bëjnë çmos, natën dhe ditën, duke u mësuar njerëzve shirkun, duke u mësuar njerëzve bidatin, kurse neve duam që njerëzit e Sunetit ta marrin me avash, derisa të thinjen mjekrat e tyre, pastaj të thonë: E morëm dijen!

Ne jemi mesatarë, u mësojmë të tjerëve atë që kemi mësuar, i ndalojmë të tjerët nga e keqja aq sa kemi mësuar dhe nuk kalojmë përtej saj.

Kjo është detyrë, o ju nxënësa të dijes, o ju njerëz të mirësisë, o ju që keni ardhur për të kryer Haxhin dhe që keni mësuar Teuhidin! Nëse ktheheni në vendin tuaj, bëhuni dritë, përhapeni Teuhidin, mësojuni njerëzve Teuhidin, ndalojini nga e keqja, ndalojini nga shirku, gjëja më e madhe nga e cila do t’i ndaloni është shirku. Njerëzit janë në gjendje të mjerë, shumë prej atyre nuk u ka mbërritur tjetër pos dijes së shtrembër. Atyre u thonë: “Shkoni te të vdekurit në varreza që t’ju ngrihet pozita tek Allahu. Ju jeni të mbytur me gjynahe, kurse shejhu (brenda në varr) është i pastër, prandaj shkoni tek ai që t’ju ngrihet lart duaja.” Njerëzit janë në gjendje të mjerë, kurse nxënësat e dijes, të cilët e mësuan dijen,të vazhdojnë të rrinë të shkujdesur?! Të mos ua mësojnë njerëzve Teuhidin?!

Pasha Allahun o vëllezër, ky është obligim individual (fard ‘ajn) për këdo që mori dije, dhe kjo hyn më së pari tek fjala e Pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –:

"مَن تعلَّم عِلمًا فكتمهُ أُلجِمَ بلِجامٍ مِن نارٍ يوم القيامة"

“Kush e mëson një dije dhe pastaj e mban të fshehur, do të lidhet me frerë prej Zjarri, Ditën e Kijametit.”

Prandaj, kijeni frikë Allahun, kijeni frikë Allahun – o vëllezër – për këtë amanet! Pasha Allahun, sikur të rrish duke bërë da’uet në Teuhid dhe beson me ty vetëm një njeri dhe ai e braktis shirkun dhe kapet në Teuhid, ti do të jesh prej fitimtarëve, edhe në qoftë se nuk fiton në dunja përveç kësaj. Madje unë them: pasha Allahun, nëse ti e thërret një Musliman në Teuhid, kjo është më e mirë për ty sesa të lexosh shumë libra, mirëpo bashkimi midis këtyre të dyjave dobive është i kërkuar (nga Sheriati).

Pra, njeriu bën da’uet dhe mëson për vete, sqaron të tjerët dhe lexon për vete, sidomos në këtë temë madhështore, që është thirrja e njerëzve në Islam, thirrja e Muslimanëve të mashtruar në Teuhid, madje thirrja në Teuhid është për të gjithë, edhe për ata që janë në tokën e Teuhidit, edhe për dy Xhamitë e Shenjta e të nderuara, edhe aty duhet të mësohet Teuhidi dhe duhet të jetë lëndë mësimore, sepse shejtani nuk është i shkujdesur në këtë temë, as shejtanët xhind e as shejtanët njerëz. E nëse ne tregohemi të shkujdesur, atëherë na ka ardhur fundi. Shejtanët xhind e njerëz thërrasin në shirk dhe gërmojnë gjithandej. Prandaj ne e kemi detyrë që të mos jemi të shkujdesur – o vëllezër – në këtë temë madhështore.

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj