Autor: Shejkh Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

 

 

Allahu është më i Madhi. O vëllezër! Selefët thonë:

“Morali është që të vendosësh gjithçka në vendin që i takon.”

 

Pra, vendos butësinë në vendin e vet dhe e vendos ashpërsinë në vendin e vet, në varësi të gjendjes dhe situatës. Madje, disa prej Selefëve kanë përmendur se:

“Përdorimi i ashpërsisë kur ka nevojë, në realitet është butësi.”

Sepse vetëm nëpërmjet kësaj ashpërsie arrihet qëllimi.                                       

 

Allahu e do faljen dhe ajo është diçka e mirë. Allahu e do edhe butësinë dhe jep nëpërmjet butësisë atë që nuk e jep nëpërmjet ashpërsisë, porse duke e përdorur atë në vendin e vet dhe kjo është baza. Ndonjëherë, Allahu e do ashpërsinë ndaj gabimtarit dhe ajo është gjë që kërkohet, sepse në këtë rast, mirësia nuk arrihet veçse nëpërmjet ashpërsisë.

 

Për shembull: nëse dikush e ngacmon vajzën e fqinjit. Nëse ti e këshillon atë për shtatë ditë, duke i lexuar atij prej Kur'anit dhe Sunetit, duke i thënë: “O vëlla, kjo gjë është turp! O vëlla, ai është fqinji ynë! O vëlla, zinaja me gruan e fqinjit është më e ndyrë se sa me një grua të huaj të largët!” Edhe pse të dyja këto gjëra janë të këqija. Ai nuk frikësohet dhe as nuk largohet. Porse, nëse ti sillesh ashpër me të dhe i thua: “Unë do i tregoj babait të saj dhe ti e di që babai i saj është gjaknxehtë! Mund edhe të të vrasë!” Ndoshta ky i ri do të shpërngulet edhe nga lagja nga frika prej tij.

 

Andaj, ajo që merret në konsideratë është ajo me të cilën arrihet qëllimi. Nëse arrihet synimi përmes faljes dhe si rrjedhojë, nuk vjen ndonjë dëm më i madh, atëherë këtë e do Allahu dhe i Dërguari i Tij – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E nëse qëllimi arrihet përmes ashpërsisë, kurse përmes faljes, butësisë dhe tolerancës nuk arrihet qëllimi, atëherë në këtë rast, ajo që është e ligjësuar, është ashpërsia dhe është nevojë emergjente që njeriu të bëjë dallim midis këtyre dyjave. Sepse shohim disa persona që i trajtojnë njerëzit gjithmonë me butësi dhe tolerancë, saqë edhe mund të bjerë vetë në kundërshtime sheriatike për shkak të përdorimit të butësisë. Madje as që arrihet qëllimi i dëshiruar, u bën dëm njerëzve. Nuk ka aspak dyshim që kjo është e qortuar.

 

Nga ana tjetër, ka disa të tjerë, që i trajtojnë njerëzit gjithmonë me ashpërsi. Ata nuk kanë gjë tjetër pos ashpërsisë. Nuk ka dyshim që kjo i largon njerëzit nga e vërteta dhe është gjë e qortuar. Kurse rruga e saktë në të cilën janë Selefët, dijetarët tanë dhe ata të cilët na kanë edukuar, si dhe ata prej të cilëve kemi marrë dijen, është që të sillesh me njerëzit me butësi dhe durim, nëse kjo është e mundur dhe e realizon qëllimin, si dhe nuk sjell ndonjë dëm më të madh.

Përndryshe, nëse për të hipur nuk ka diçka pos kafshës apo mjetit të vjetër,

atëherë hallexhiu përveç se t’i hip asaj që ka, s’ka zgjidhje tjetër.

 

Dikur ju kam treguar një fjalë të Shejkhul Islam Ibën Tejmijes, e cila është shumë e bukur e cila thotë se:

“Besimtari për besimtarin është si shembulli i duarve të cilat lajnë njëra-tjetrën.”

 

Në fakt, është e vështirë që dora vet, të pastrojë vetveten pa ndihmën e tjetrës. E nëse ajo heq shumicën e papastërtive, prapëseprapë do të mbetet diçka tek-tuk. Prandaj, ajo ka nevojë për dorën tjetër.

 

Prandaj, të gjithë ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, që ta vëmë në dijeni njëri-tjetrin për mangësitë që kemi. Pasha Allahun, kjo është nga dhuratat më të bukura! Dhurata më e bukur që dhuron Muslimani është duke i dhuruar diçka prej dijes ose duke e vënë në dijeni për një të metë që e ka. Kjo është dhuratë madhështore. Pasha Allahun! Kjo është më e mirë se floriri! T’i shkosh vëllait tënd në mënyrën më të mirë e t’i thuash: “O vëlla! Unë kam këtë e këtë vërejtje për ty. Por unë nuk e di, ti ke dije më të madhe se unë dhe ndoshta kjo që bën ti ka ndonjë bazë në Sheriat, ose është neglizhencë dhe je treguar i pakujdesshëm ndaj saj, ose nuk je treguar i vëmendshëm për këtë çështje.” Ose fjalë të ngjashme si këto.

 

Kjo është dhuratë e madhe. Kjo është nga dhuratat më të mëdha. Nga begatitë më të mëdha që të jep Allahu është që të kesh një vëlla i cili është i sinqertë me ty. Nëse të sheh se ke një mirësi, të inkurajon që të vazhdosh me të, e nëse të shikon se je në një rrugë të gabuar, të këshillon dhe të ndihmon që ta lësh atë. Nëse gjen një shok të tillë, mbaje fort atë. Pasha Allahun! Nuk është shok ai që ta bën qejfin për çdo gjë. Nëse takohesh me një shok të këtillë, ai qesh me ty dhe të bën qeshësh, dhe kështu ndaheni. Nuk e çan kokën për gabimet që ke ti. Ky nuk është shok!

 

Andaj, besimtari ka nevojë për vëllanë e tij ashtu sikurse dora që ka nevojë për dorën tjetër, që të lajnë njëra-tjetrën. Në parim, larja kërkon që të përdorësh butësinë, njeriu përdor ujin dhe sapunin dhe i lan ato. Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh  ka thënë:

“Heqja e papastërtive ndonjëherë ka nevojë për fërkim.”

Ndonjëherë papastërtia është yndyrë që nuk hiqet, ka nevojë për fërkim, kërkon të përdorësh diçka të ashpër për ta hequr atë. Po kështu është edhe besimtari me vëllanë e tij: përpiqet që t’ia largojë “papastërtitë” duke e këshilluar atë, porse duke përdorur mëshirën dhe butësinë, përveç nëse ka nevojë për ashpërsi për ta larguar këtë “papastërti”. 

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Muhamed Kallashi