Autor: Abdur-Rrezak ibën Abdul-Muhsin el-Bedër

 

 

Gjithashtu, në këtë rast, njeriu ka nevojë që të ruhet nga shokët e këqij – të cilët përzihen me vepra të shëmtuara –, dhe nga njerëzit e sherrit. Të ruhet prej tyre, qoftë nga shokët prej njerëzve apo nga shokët prej mjeteve bashkëkohore. Pasi, në kohën tonë, kanë dalë shokë të rinj, që nuk ekzistonin më herët. Këto pajisje (elektronike) që ndodhen në mesin e njerëzve, në duart dhe në shtëpitë e tyre, janë bërë shok për njeriun. Ai nuk i ndahet atij, porse e shoqëron vazhdimisht atë. Sa e sa e kanë dobësuar besimin? Kjo pajisje (celulari), të cilën e mbartin shumë prej njerëzve në duart dhe xhepat e tyre, sa ka ndikuar në dobësimin e besimit dhe të fesë? Kjo për shkak të asaj që transmetohet në të dhe për shkak të asaj që futet në të, prej metodave shkatërruese të fesë, moralit dhe besimit. Saqë i kanë dëmtuar shumë prej të rinjve.

Prandaj që, mbyllja e shtigjeve të cilat e dobësojnë besimin dhe që çojnë në dobësimin e fesë, është kërkesë themelore.

Ama, që të futet njeriu, duke mos e vrarë mendjen fare, në këto faqe të fëlliqura, në vende të dyshimta, në vende të ulëta, dhe njëkohësisht dëshiron që besimi i tij të mbetet i shëndoshë?! Kjo është shumë larg. Ta hedhë në det me duart e lidhura, dhe pastaj t’i thotë: “Kujdes! Kujdes! Mos të lagesh me ujë!”, kjo nuk ndodh. Duhet të merren masat për shpëtim, duke i mbyllur këto shtigje.

Për këtë arsye, ka ardhur në një Hadith madhështor, në Musnedin e Imam Ahmedit dhe në libra të tjerë veç tij, se Pejgamberi ynë – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

“Vërtetë, Allahu solli si shembull një rrugë të drejtë, përbri dy anëve të rrugës ishin disa dyer, kurse dyert kishin perde të lëshuara, ndërsa një thirrës thërret në krye të rrugës, duke thënë: “O robër të Allahut! Hyni në rrugë dhe mos u ktheni”. Ndërsa, një thirrës tjetër thërret në brendësi të rrugës, duke thënë: “O rob i Allahut! Mos e hap derën, sepse nëse ti e hap atë, do të futesh brenda.”

Ai – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha: “Për sa i përket rrugës, ajo është Islami. Kurse, dy muret përbri rrugës, janë kufijtë e Allahut. Ndërsa, dyert që kanë perde të lëshuara, janë ndalesat e Allahut – vendet e haramit –, pra ndalesat e Allahut. Kurse, thirrësi që thërret në krye të rrugës, është Libri i Allahut. Ndërsa, thirrësi që thërret në brendësi të rrugës, është këshilluesi i Allahut në zemrën e çdo muslimani.”

Pra, argumenti dëshmues për temën tonë në këtë hadith është fjala: “Mos e hap derën, sepse nëse ti e hap atë, do të futesh brenda.” Këto dyer të shumta që ia hap njeriu vetes së tij, duke parë dhe shikuar, koha e lirë që i ka dëmtuar shumë prej njerëzve. Pra, mos e hap derën, mos ia hap vetes tënde derën e fitnes dhe të sherrit. Mbylle derën që të mos futet te ty era e fëlliqur dhe mendime të ulëta. Kjo zemër prej së cilës kërkohet pastërtia, kthjelltësia dhe mirëqenia e saj, hyrja e këtyre gjërave dëmtuese tek ajo, bëhet ose nëpërmjet shikimit ose nëpërmjet dëgjimit. Këto janë shtigjet.

Kështu që, ruaje dëgjimin dhe shikimin tënd, që të mos fusësh në zemrën tënde nëpërmjet tyre atë gjë me të cilën do të shkatërrohet dhe do të sëmuret zemra. Për këtë arsye, njeriu e ka detyrë që ti përdorë me kujdes këto pajisje. Dhe të bëjë kujdes që të mos futet në zemrën e tij, ndonjë gjë prej tyre që ia sëmurin zemrën. Kujdesu për këtë, që të mos futet në zemrën tënde, ndonjë gjë prej këtyre pajisjeve, e cila bëhet sebep për sëmundjen e zemrës së tij dhe për dobësimin e fesë së tij.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Altin Dallashi