Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz ibn Baz


Pyetje: Unë kam nënën time dhe ndonjëhërë zihem me të sepse nuk arrij ta përmbaj veten. Pra, çfarë duhet të bëjë? Më jepni dobi (me anë të përgjigjes tuaj) Allahu u dhëntë dobi edhe juve po ashtu.

Përgjigje: Ti e ke detyrë të jesh i butë dhe të sillesh mirë me të dhe të mos grindesh me të. E drejta e nënës është shumë e madhe dhe poashtu e drejta e babait është shumë e madhe.

Allahu
- Xhele-le ue ‘Ala - në shumë vende në Librin e Tij Madhështor thotë:


وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا

...silluni mirë me prindërit... [el-Bekare - 83, en-Nisa - 36, el-En’am - 152, el-Israa - 23]

Dhe Allahu i Pastër nga çdo e metë, thotë:

اشْكُرْ لِي وَلِوَالِدَيْكَ إِلَيَّ الْمَصِيرُ

Bëhu falenderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë. [Lukman, 14]

Poashtu, Allahu i Pastër nga çdo e metë, thotë:

وَقَضَىٰ رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا ۚ إِمَّا يَبْلُغَنَّ عِندَكَ الْكِبَرَ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلَاهُمَا فَلَا تَقُل لَّهُمَا أُفٍّ وَلَا تَنْهَرْهُمَا وَقُل لَّهُمَا قَوْلًا كَرِيمًا ﴿٢٣ وَاخْفِضْ لَهُمَا جَنَاحَ الذُّلِّ مِنَ الرَّحْمَةِ وَقُل رَّبِّ ارْحَمْهُمَا كَمَا رَبَّيَانِي صَغِيرًا ﴿٢٤

Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe që të silleni mrë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh”, mos i kundërshto, por drejtohu atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur mua, kur unë isha i vogël!” [el-Isra, 23-24]

Pra, detyra e të birit është që të ketë frikë Allahun, të sillet butë me prindërit dhe të mos grindet me ta, por të heshtë apo t’u flasë në mënyrën më të mirë. E nëse babi i flet ashpër apo e ofendon, ai duhet t’i thotë: Allahu të udhëzoftë, Allahu qoftë i kënaqur me ty, Allahu të shpërbleftë me të mira, e jo t’i përgjigjet me ashpërsi apo me fjalë të këqija.

Edhe nëse e shan babai apo nëna, ai thotë: Allahu të shpërbleftë me të mira, Allahu qoftë i kënaqur me ty, Allahu të udhëzoftë o nëna ime, dhe të tjera fjalë të mira si këto. Ai kurrë nuk duhet t’u drejtohet atyre me sjellje të keqe. Atij nuk i lejohet që tu drejtohet atyre me sjellje të keqe, të grindet me ta apo të ngrejë zërin para babait apo nënës së tij.

E lusim Allahun të na udhëzojë të gjithëve.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Umm ‘Akil