Autor: Shejkh Abdur-Rrazzak el-Bedër

 

 

Ka ardhur në el-Hilijeh të Ebu Nu’ajm: se Hasan el Basri – Allahu e mëshiroftë – takoi një burrë, dhe ky burrë kishte neglizhencë në fe.

 

Kështu që, Hasan el-Basri i tha atij: “Sa vjeç je?”

 

Ai i tha: “60 vjeç”

 

Hasan el-Basri tha: “A nuk e di që je në një rrugë dhe po të vjen fundi?”

 

Burri tha:

إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّـا إِلَيْهِ رَاجِعونَ

(inna lil-lahi ue inna ilejhi raxhi`uun)

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.”

 

Hasen el-Basri i tha atij: “A e di shpjegimin e kësaj?”

 

Domethënë, a e di kuptimin e kësaj fjale: Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!

 

Burri tha: “Çfarë shpjegimi ka?”

 

Në realitet, shumë prej njerëzve ndoshta bëjnë dhikër të ligjësuar dhe e përsërisin atë, mirëpo nuk e dinë kuptimin dhe domethënien e tij.

 

Hasen el-Basri i tha atij: “A e di shpjegimin e kësaj.”

 

Burri tha: “Çfarë shpjegimi ka?”

 

Hasen el-Basri tha:Të Allahut jemi – do të thotë – unë jam rob i Allahut, dhe tek Ai do të kthehemi – do të thotë – unë tek Ai do të kthehem.

Kështu që, përderisa ti e di që ti je rob i Allahut dhe se tek Ai do të kthehesh, atëherë dije se Ai do të të pyesë ty. Dhe përderisa ti e di që Ai do të të pyesë ty, atëherë përgatit përgjigje për pyetjen.”

 

Këtu burri u ndërgjegjësua dhe e ndjeu se ai duhej që ta korrigjojë veten, dhe tha duke iu drejtuar Hasen el-Basrit: “Çfarë të veproj?”

Domethënë, më jep rrugëzgjidhjen.

 

(Burri tha): “Çfarë të veproj?”

 

Hasan el-Basri tha: “Zgjidhja është e lehtë, zgjidhja është e lehtë. Bëj mirë në pjesën e jetës që të ka mbetur, që të të falet ty ajo që ka kaluar. Bëj mirë në pjesën e jetës që të ka mbetur, që të të falet ty ajo që ka kaluar, sepse nëse ti bën keq në pjesën e jetës që të ka mbetur, atëherë do të ndëshkohesh për atë çfarë do veprosh në të ardhmen dhe për atë që ke vepruar më përpara.”

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Altin Dallashi