Autori: Ibën Kudameh El-Makdisi

Burimi: Muhteser Minhaxhu El-Kasidin, shtëpia botuese: El-Mektebu El-Islami, botimi i nëntë, faqe: 487.

 

 

Dije se, sikur para njeriut të gjorë, të mos kishte asnjë ankth dhe as një tmerr tjetër veç vdekjes, kjo do të mjaftonte për t’ia trazuar jetën dhe gëzimin e tij dhe ta fuste në mendime të thella për të. E çuditshme është se, sikur njeriu të ishte duke përjetuar kënaqësitë më të mëdha, pastaj të qëndronte në pritje se mos futet tek ai ndonjë ushtar për ta goditur atë me pesë goditje radhazi, atëherë do t’i trazohej jeta dhe kënaqësia e tij.

Mirëpo, ai në çdo frymëmarrje të tij rrezikon që ti vijë Meleku i vdekjes me agoninë e daljes së shpirtit, ndërkohë që ai është i shkujdesur ndaj përkujtimit të saj. Dhe shkaku i kësaj pakujdesie nuk është gjë tjetër vetëm se injoranca dhe vetëmashtrimi.

Dije se, vdekja është më e rëndë se goditja e shpatës. Njeriu që goditet ulërin dhe kërkon ndihmë për shkak se i ka mbetur akoma fuqi. Ndërsa, të vdekurit në momentet e vdekjes së tij i ndërpritet zëri për shkak të dhimbjeve të forta, për shkak se ankthi e ka zënë atë në maksimum, ia ka pushtuar zemrën dhe çdo pjesë të saj, si dhe i është dobësuar çdo plagë në të, kështu që nuk ka mbetur në të fuqi për të kërkuar ndihmë. Nëse do mundej ai do dëshironte që të qetësohej duke rënkuar, duke ulëritur dhe duke kërkuar ndihmë.

Pastaj i tërhiqet shpirti nga të gjithë damarët, dhe vdes çdo gjymtyrë prej gjymtyrëve të tij në mënyrë graduale. Fillimisht i ftohen këmbët, pastaj kërcinjtë, pastaj kofshët, deri sa arrin te fyti, atëherë aty i ndërpritet shikimi i dunjas dhe i banorëve të saj, si dhe i mbyllet dera e pendimit.

Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

إِنَّ اللَّهَ يَقْبَلُ تَوْبَةَ الْعَبْدِ مَالَمْ يُغَرْغِرْ

 “Me të vërtetë, Allahu e pranon pendimin e robit përderisa nuk i ka dalë fryma (gargara) e fundit.”

 

Përktheu: Altin Dallashi