Autor: Shejkh Muhamed ibën Hadij el-Medkhalij

Pyetje:

Ky (pyetës) thotë se ka një fëmijë që ka një moshë të caktuar dhe se tek ai vëren zgjuarsi dhe mendjemprehtësi, pra cila është rruga më shembullore për ta nxitur atë në marrjen e dijes dhe zgjedhjen e kësaj rruge?

Përgjigje:

E lusim Allahun – e Madhëruar dhe të Lartësuar – që ta ruajë këtë fëmijë dhe të të begatojë me të. Nëse e ke në këtë moshë, së pari, ti fillon duke e nxitur atë (për dije). Dhe nxitja ndonjëherë duhet të jetë me ndonjë dhuratë për mësimin përmendësh të një vargu apo dy vargjeve (poezi arabe që flet për akide, moral të mirë, etj. sh.p) dhe për mësimin përmendësh të një apo dy sureve, duke i bërë një dhuratë që i përshtatet moshës së tij: një lodër fëmijësh, i blen një makinë në këtë moshë, nëse s’ka ç’të bëj me të, atëherë i blen një biçikletë me tre rrota për në shtëpi.

Nëse ai mbaron së mësuari përmendësh si p.sh deri tek sureja ed-Duha, do t’i japësh një makinë që është për moshën e shokëve të tij. Nëse mbaron së mësuari përmendësh deri tek sureja el-‘Ala apo xhuzin ‘Amme, apo se deri në suren el-Infitar, i jep si dhuratë biçikletë me tre rrota.

Pra, me gjëra të ngjashme në këtë moshë, i jepet kurajë dhe nxitet për to, dhe nxitet me fjalë të mira, si: “Ti je hero,” “O Allahu im, përmirësoje dhe jepi sukses,” “In sha Allah ti je dijetar,” “In sha Allah, ti je Shejkh,” e kështu me radhë. Sepse fëmija në këtë moshë e do lavdërimin, e do inkurajimin. Kështu që fjala (e mirë që i thua fëmijës), ia ngrit vlerën e tij dhe dhurata i nxit ambiciet e tij.

Me gjëra të ngjashme, me lejen e Allahut të Madhëruar, Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari – do t’ia bëjë të dashur atij atë që është e mirë.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari