Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

 

 

Pyetje: Cila është urtësia në puthjen e gurit të zi, me këtë ai shpreson të bëni dobi? Zoti ua shpërbleftë.

 

Përgjigje: Urtësinë e puthjes së gurit e ka sqaruar prijësi i besimtarëve, Umer ibn El-Khatabi – Allahu qoftë i kënaqur me të –, ku ka thënë:

“Me të vërtetë, unë e di se ti je gur, as nuk bën dëm e as nuk bën dobi, dhe sikur  mos ta kisha parë Pejgamberin – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – duke të puthur, nuk do të të kisha puthur.”

Kjo është urtësia, adhurimi i Allahut të Lartmadhëruar duke ndjekur Pejgamberin – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – në puthjen e këtij guri. Vërtet, ai është një gur si gurët e tjerë, nuk bën dëm e as nuk bën dobi. Ashtu sikurse ka thënë prijësi i besimtarëve.

Pra kjo është urtësia. Megjithatë, ai nuk ka ngelur pa u përmendur nga Allahu, se ajo që është e ligjësuar është që njeriu të bëjë tekbir kur të jetë pranë tij. Në këtë mënyrë bashkon midis adhurimit të Allahut me tekbir dhe madhërim, dhe midis adhurimit të Allahut duke puthur këtë gur, duke ndjekur të Dërguarin e Allahut – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të.

Me këtë mësohet se ajo që veprojnë disa njerëz, duke prekur me dorën e tij gurin, pastaj me dorën e tij fërkon fytyrën dhe gjoksin e tij, duke kërkuar bereqetin nëpërmjet tij, padyshim që kjo është gabim, humbje dhe nuk është e saktë. Nuk është për qëllim me prekjen e gurit apo me puthjen e tij, kërkimi i bereqetit nëpërmjet tij. Por ajo që është për qëllim është adhurimi i Allahut duke ndjekur sheriatin e Pejgamberit – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të.

Po ashtu, thuhet se prekja e këndit të djathtë (këndi i Jemenit) bëhet me qëllim për të adhuruar Allahun duke ndjekur Pejgamberin – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të –, i cili e ka pas prekur atë. Për këtë arsye nuk preken të gjitha këndet. Kabeja tani ka katër kënde: guri, këndi i djathtë, këndi perëndimor dhe këndi verior. Pra, është e pëlqyeshme që guri të preket dhe të puthet, nëse kjo nuk mundet atëherë bën me shenjë (duke ngritur dorën drejt tij).

Ndërsa, te këndi i djathtë, suneti është që të preket pa e puthur atë, nëse kjo nuk mundet atëherë nuk bën me shenjë (nuk e ngre dorën drejt tij). Te këndi perëndimor dhe te këndi verior, nuk është sunet prekja, as puthja, e as bërja me shenjë.

Ibën Abbasi ka parë prijësin e besimtarëve Mu’auije ibn Ebi Sufjanin duke bërë tauaf dhe duke prekur katër këndet. Por, ai ia refuzoi këtë gjë atij. Mu’uija i tha se asgjë prej shtëpisë (Kabes) nuk lihet. D.m.th e gjithë shtëpia është e madhëruar. Atëherë, ibën Abbasi i tha atij:

لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّـهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ

“Me të vërtetë, tek i Dërguari i Allahut, ju keni shembullin më të mirë.” El-Ahzab 21

“Vërtet, kam parë Pejgamberin – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – të prekë dy këndet e djathta” – d.m.th gurin e zi dhe këndin e djathtë –, atëherë, Mu’auija u ndal dhe filloi të prekë vetëm dy këndet e djathta, duke ndjekur sunetin e Pejgamberit – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të.

Kjo është obligim për çdo njeri, qoftë i vogël apo i madh. Të gjithë njerëzit para sheriatit janë të barabartë. Këtu del në pah vlera e Ibën Abbasit – radijAllahu anhuma – dhe  e Mu’auijes – radijAllahu anhu.

E lusim Allahun ti japë sukses popullit dhe prijësve tanë në atë që ka hajr (mirësi) dhe përmirësim, si dhe bashkëpunim në vepra të mira dhe largim nga veprat e këqija.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Altin Dallashi