Autor: Shejkh Sulejman Ruhejli

 

 

Ruaju nga martesa me këto pesë lloje të grave:

[1] Annaneh

[2] Hannaneh

[3] Haddakah

[4] Barrakah

[5] Sheddakah

 

(E para) “Annaneh” – është ajo grua që qahet dhe ankohet shumë. Nuk kënaqet me asgjë dhe nuk i pëlqen asgjë! Zor se e sheh atë të gëzuar me burrin e saj. Me këtë lloj gruaje nuk shtyhet jeta. Që prej kur hyn burri në shtëpi e derisa të shtrihet për të fjetur ose për të dalë nga shtëpia, ai vetëm se dëgjon gruan e tij duke u qarë dhe duke rënkuar.

 

(E dyta) “Hannaneh” – kanë thënë dijetarët se është ajo grua e cila vuan për një burrë tjetër. Që do të thotë se ia përkujton burrit të vet “begatinë” e të qenurit gruaja e tij, duke i thënë gjithmonë: “Kush më ngatërroi mua me ty? A jam unë për një tip si ti? Unë jam për një tjetër!” Çdoherë që ajo i drejtohet atij, i thotë: “Unë jam fatzezë! Gratë si unë martohen me atë (burrë) që ka këto e këto cilësi!

 

(E treta) “Haddakah” – kanë thënë dijetarët se është ajo grua që shikon çdo gjë që i kap syri dhe dëshiron ta ketë atë gjë. Kur kthehet në shtëpi, shkon te burri turivarur, duke i thënë: “Filania ka këtë e atë, ka këtë e atë, kurse unë jam e shkretë!” Nëse del në treg, do që të blejë çdo gjë.

 

(E katërta) “Barrakah” – është ajo grua e cila merret me veten e saj duke e anashkaluar burrin dhe shtëpinë e saj. Nuk çan kokën për ndonjë gjë vetëm se për veten e saj. Ajo është gjithmonë e zënë me veten e saj, zbukurimin e vetes dhe punët e saja personale, duke e lënë anash burrin dhe shtëpinë e saj. Mund të themi për të se ajo ka atë që sot quhet “egoizëm.”

 

(E pesta) “Sheddakah” – është ajo grua që llomotit shumë. Pra, ajo flet shumë dhe rrallëherë hesht.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari