Burimi: Fikhu ‘Auaaridi ez-Zeuxhijeh, fq. 9-15

 

Katër problemet kryesore në jetën bashkëshortore dhe zgjidhja e tyre

 

🛑 Problemi i parë: Humbja ose zbehja e lidhjes midis bashkëshortëve

Një ndër problemet shoqërore më kryesore në jetën e bashkëshortëve është humbja apo zbehja e lidhjes bashkëshortore. Ky është bërë problemi më i madh dhe më i spikatur në kohën tonë, si pasojë e rrjeteve sociale që ekzistojnë në këtë kohë, të cilat i kanë shtuar barrierat midis burrit dhe gruas. Ky problem është shumë i rrezikshëm dhe me kalimin e kohës po përkeqësohet aq shumë, saqë të dyja palët bëhen të rëndë për njëri-tjetrin dhe çdonjëri dëshiron të qëndrojë sa më larg tjetrit.

Rreziku mund të rritet ende më shumë, atëherë kur njëra palë përpiqet që të gjejë një lidhje tjetër me dikë për të plotësuar boshllëkun e lidhjes bashkëshortore. Kështu, gruaja fillon të lidhet me një burrë tjetër dhe kjo lidhje në fillim mund të jetë për qëllime të mira, pastaj shejtani ua zbukuron këtë lidhje dhe fillon të joshë gruan dhe burrin, derisa ata të përfundojnë në punë të pahijshme.

Ka të ngjarë që një grua të lidhet me një nxënës dije apo një Shejkh dhe të kërkojë fetva sheriatike, apo të thërrasë një konsulent që të kërkojë zgjidhje për problemet e saj, më pas shejtani e shtyn njeriun të hapet më shumë në muhabete dhe kjo mund të nxisë gruan që të kontaktojë këtë burrë edhe për gjëra që ajo s’ka nevojë t’i kërkojë nga ai dhe burri e konsideron gjë të vogël që të kontaktojë me atë grua. [1]

Sa i përket kontaktit që gratë kanë me komentuesit e ëndrrave duke u argumentuar se po pyesin vetëm për shpjegimin e ëndrrave, kjo është shumë e rrezikshme. Ne i këshillojmë gratë që mos të kontaktojnë me atë person që komenton ëndrrat, sepse ne e dimë se ëndrrat bëhen shkak që personi i cili i komenton ato, të zbulojë shumë gjëra për jetën e grave. Ai që di t’i komentojë ëndrrat, e di rrezikun e kësaj, sepse ka mundësi që njëri prej atyre dyve të mos ketë devotshmëri dhe kështu të përfundojnë në vepra të shëmtuara. [2]

🌹 Zgjidhja për këtë problem

Problematika e dobësisë dhe moskomunikimit midis bashkëshortëve mund të zgjidhet përmes këtyre dy gjërave:

💠 E para: Caktimi i një kohe ku bashkëshortët të bisedojnë për gjërat e rëndësishme duke i kushtuar vëmendje njëri-tjetrit dhe të flasin për gjëra që mbjellin rehati dhe qetësi në zemër, dhe të mos flasin gjatë këtyre bisedave për problemet e jashtme që kanë në punë dhe ankesat e shumta.

Kuptimi i duhur për këtë problem është që bashkëshortët të caktojnë një kohë në të cilën do të ulen dhe do të bisedojnë për çështjet që kanë, ku çdonjëri do të ndjejë peshën dhe rëndësinë ndaj tjetrit dhe do të flasin për gjëra të cilat u sjellin qetësi dhe rehati shpirtërore. Nga ana tjetër, nuk duhet që këtë kohë, ta shfrytëzojnë për ankesa dhe për të futur në shtëpi telashet e punës që kanë jashtë. Nuk përbën problem nëse ata flasin pjesërisht për ato telashe që kanë në punë, por jo që të mbushin atë kohë duke folur vetëm për ato telashe.

Gjithashtu, duhet anashkaluar çdo gjë që e largon përkushtimin e vëmendjes ndaj njëri-tjetrit, siç është mbyllja e telefonave apo gjëra të ngjashme si kjo. Ata duhet ta dëgjojnë njëri-tjetrin me shumë vëmendje kur bisedojnë, sepse kjo i mënjanon problemet dhe i afron zemrat.

💠 E dyta: Sociologët kanë thënë se ajo që është e dobishme në këtë drejtim dhe që e zgjidh këtë problem, është që bashkëshortët të caktojnë një kohë brenda javës apo muajit që të dalin bashkë diku dhe kjo është ajo që e forcon lidhjen e tyre, e largon mërzinë dhe e ripërtërin lidhjen bashkëshortore.

🛑 Problemi i dytë: Mungesa apo zbehja e besimit midis bashkëshortëve

Problem tjetër shoqëror që ndikon negativisht në jetën bashkëshortore dhe që sjell ankth dhe shqetësim është ajo që sociologët e quajnë “Mungesa e besimit apo zbehja e besimit midis bashkëshortëve.”

Shkaqet e kësaj mund të jenë të ndryshme:

1. Pakujdesia e njërës palë ndaj çështjeve që duhet patur kujdes, siç janë: Të folurit e burrit me gratë e huaja apo  të folurit e gruas me ndonjë burrë të huaj, etj.

2. Mungesa e besimit mund të jetë për shkak se ndonjëri nga bashkëshortët pështjellon dhe nuk ka qartësi.

3. Mungesa e besimit mund të vijë si pasojë e gënjeshtrave të vazhdueshme nga ana e ndonjërit prej bashkëshortëve.

4. Mungesa e besimit mund të jetë si rrjedhojë e xhelozisë së panevojshme e cila shpie në gjurmime të tepruara dhe dyshime të shumta, qoftë nga ana e gruas apo burrit. Xhelozia e qortuar është ajo që mbjell dyshime aty ku s’ka nevojë për dyshime. Pra, gruaja ka xhelozi të tepruar për burrin e saj dhe kështu ajo fillon të dyshojë shumë tek ai dhe e tepron duke e vëzhguar apo duke e gjurmuar burrin, prandaj kjo sjellje nga ana e gruas sjell shumë probleme.

🌹 Kurimi i këtij problemi, siç e përmendën sociologët, bëhet përmes këtyre dy gjërave:

💠 E para: Përpjekja e të dy bashkëshortëve për shmangien e gjërave që sjellin dyshime. Që do të thotë, se burri duhet të largohet nga çdo gjë që i ngjall dyshime për gruan e tij; gjithashtu edhe gruaja duhet të largohet nga çdo gjë që i ngjall dyshime për burrin e saj. Që të formohet një familje e shëndoshë dhe stabile, duhet patjetër që të realizohet kjo që thamë tani.

Të dy bashkëshortët, nuk duhet të tregohen të pakujdesshëm për gjërat që vërtet kërkohet kujdes dhe ata duhet të përpiqen vazhdimisht që të jenë të qartë në jetën e tyre bashkëshortore. Gjithashtu, ata duhet të heqin dorë nga gënjeshtra, përveç në raste të domosdoshme apo në raste shumë delikate dhe të veçanta që nuk ndërlidhen me të drejtat e tyre. Lejohet që bashkëshortët të gënjejnë njëri-tjetrin në raste të domosdoshme, por teprimi në këtë drejtim e shkatërron jetën bashkëshortore.

Ata nuk duhet të shpeshtojnë gënjeshtrat, por në parim ata duhet të thonë të vërtetën dhe të jenë besnikë. Pra, burri dhe gruaja nuk duhet të përdorin gënjeshtrat përveçse në raste shumë të veçanta dhe të domosdoshme.

Kështu që, shmangia e gjërave që sjellin dyshime, e ruan besueshmërinë midis bashkëshortëve.

💠 E dyta: Shmangia e xhelozisë së qortueshme. Kriteri që definon xhelozinë e qortuar është ajo xhelozi që sjell dyshime, akuza dhe gjurmime të tepërta, kurse xhelozia e lavdëruar është ajo që tregon për kujdes, mbrojtje, dashuri, interesim dhe të ndalon nga gjërat që nuk duhen bërë. Xhelozia e lavdëruar nuk të shtyn të dyshosh dhe nuk të sjellë shqetësime në jetë, por është xhelozi në natyrshmërinë e njeriut. Në përgjithësi, gratë janë më xheloze se burrat dhe xhelozia e lavdëruar është e dobishme në jetën bashkëshortore.

🛑 Problemi i tretë: Mosmirënjohja dhe mosfalënderimi nga njëra palë apo nga të dyja palët

Një ndër problemet sociale që ndikon në mënyrë shumë negative në jetën bashkëshortore, është mosmirënjohja dhe mosfalënderimi i njërit prej bashkëshortëve ndaj tjetrit apo i të dyve. Ky është një shkak shumë i madh për shumë probleme dhe është një prej mëkateve të mëdha.

Transmeton Muslimi nga Xhabir bin Abdullah, radijAllahu anhu, se ka thënë: “Njëherë, e fala namazin e Bajramit bashkë me të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. Ai e filloi namazin para hutbes dhe nuk u thirr as ezan dhe as ikamet (për të mbajtur hutben). Pastaj, mbaroi namazin dhe u çua në këmbë duke u mbajtur paksa te Bilali. Pastaj filloi me hutben duke i urdhëruar njerëzit që të kenë frikë Allahun, i nxiti njerëzit që t’i binden Allahut, i këshilloi dhe i përkujtoi ata. Pastaj lëvizi dhe u afrua te gratë (që ishin në xhami) dhe i këshilloi dhe i përkujtoi ato duke u thënë: “Jepni lëmoshë, sepse shumica prej jush jeni lëndë djegëse e Xhehenemit!” Një grua që i kishte mollëzat e faqeve të zeza, u ngrit në këmbë dhe tha: “Pse është kështu o i Dërguari i Allahut?” (Pse shumica e grave janë lëndë djegëse e Xhehenemit?). Ai tha: “Sepse ju ankoheni shpesh dhe jeni mosmirënjohëse ndaj burrave.” Kështu, gratë filluan t’i jepnin si lëmoshë florinjtë nga vathët dhe unazat që kishin me vete dhe i hidhnin ato në rrobën e Bilalit. [3]

Transmetojnë Bukhariu dhe Muslimi nga Ibën Abbasi, radijAllahu anhuma, se Profeti, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “M’u shfaq Zjarri dhe pashë se shumica e banorëve të tij ishin gratë, sepse ato mohojnë.” Dikush e pyeti atë duke i thënë: “A e mohojnë ato Allahun?” Ai tha: “Ato janë mosmirënjohëse ndaj burrave dhe i mohojnë të mirat që u kanë bërë ata. Nëse ndonjërës prej tyre i bën mirë tërë jetën dhe ajo sheh vetëm një të keqe prej teje, thotë: ‘Asnjëherë nuk kam parë ndonjë të mirë prej teje.’” [4]

Sipas fesë tonë, nuk lejohet që të jesh mosmirënjohës në jetën bashkëshortore dhe të mos jesh falënderues ndaj të mirave. Mosmirënjohja dhe mosfalënderimi ka një ndikim shumë negativ në jetën bashkëshortore.

🌹Zgjidhja e kësaj problematike bëhet përmes këtyre dy gjërave:

💠 E para: Të dy bashkëshortët duhet të kalitin shpirtin e tyre për t’u bërë falënderues ndaj të mirave që ia bëjnë njëri-tjetrit. Falënderimi me gjuhë duhet bërë duke e lavdëruar bashkëshortin apo bashkëshorten për të mirën e bërë. Falënderimi me vepra duhet të bëhet në atë mënyrë që burri të shoh gjurmët pozitive nga ana e gruas së tij, gjithashtu edhe gruaja të shoh gjurmët pozitive nga ana e burrit. Të mbyllet njëri sy para lëshimeve të vogla dhe që nuk merren parasysh. E nëse është ndonjë lëshim dhe mangësi që duhet të merret parasysh dhe t’i kushtohet vëmendje, atëherë duhet këshilluar tjetri në mënyrën më të mirë.

💠 E dyta: Dijetarët kanë thënë se ajo që e largon këtë problem, është edhe dhënia e lëmoshës sa më shpesh. [5] Lëmosha është ajo që e largon këtë fatkeqësi midis bashkëshortëve, prandaj edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Jepni lëmoshë!” Sepse lëmosha i shlyen mëkatet, sjellë mirësi, largon të keqen dhe është shkak që robi të shpëtojë nga Zjarri. Për këtë arsye, disa dijetarë kanë thënë se ajo që e kuron problemin e mosfalënderimit midis burrit dhe gruas është dhënia më e shpeshtë e lëmoshës.

🛑 Problemi katërt: Shndërrimi i bashkëshortëve nga ortakë në rivalë

Ky është njëri ndër problemet më të mëdha që kërcënon stabilitetin e jetesës bashkëshortore. Kjo ndodh për disa arsye, kurse më kryesorja është: Dallimi në ambicie dhe pasione.

Ta zëmë se njëri nga bashkëshortët është i dedikuar pas nxënies së diturisë dhe ka ambicie të larta për këtë, kurse tjetri nuk e ka këtë ambicie, qoftë burri apo gruaja. Ndoshta gruaja ka ambicie të larta për të mësuar dituri dhe ka interesim, kurse burri nuk ka interesim në këtë drejtim; ose burri mund të ketë ambicie dhe interesim për dituri, kurse gruaja nuk ka as ambicie as interesim në këtë drejtim. Kështu, ai që nuk e ka këtë ambicie, mundohet që ta pengojë tjetrin në përkushtimin e tij.

Burri sheh se gruaja ka zell të madh për të nxënë dituri, për të dëgjuar mësimet e dijetarëve të besueshëm, por burri mundohet që ta largojë atë nga kjo duke i folur me të keq asaj, apo duke e angazhuar gruan me gjëra të panevojshme, sepse ai nuk ka ambicie për këtë gjë; apo mund të jetë edhe e kundërta, që gruaja ta largojë burrin nga dituria. E njëjta gjë vlen edhe për shumë gjëra të tjera.

Kurimi për këtë problem është: Që të kuptohet se dallimet që kanë njerëzit në ambicie dhe pasione, janë gjëra të natyrshmërisë njerëzore. Kur njëri nga bashkëshortët mundohet që ta inkurajojë tjetrin për dedikimin që ai ka për gjëra të caktuara, kjo do të mundësojë një jetë të lumtur bashkëshortore.

Pra, nëse burri sheh se gruaja e tij ka një ambicie për një gjë të dobishme, atëherë ai duhet që ta motivojë atë duke i thënë asaj se kjo është e dobishme. Nëse gruaja e tepron disi në atë ambicie që ka, atëherë burri duhet ta këshillojë atë duke zgjedhur metodën e duhur; burri duhet ta shfaq gëzimin për ambicien që ka ajo dhe ta motivojë atë, sepse kështu ata do të kenë jetë të lumtur bashkë. Të dy bashkëshortët duhet të jenë krahë për njëri-tjetrin duke bashkëpunuar në gjërat që sjellin dobi.

______________________

📖 [1] Shfrytëzoj rastin këtu që t’u bëj thirrje nxënësve të dijes dhe autoriteteve përkatëse që trajtojnë problemet sociale në shoqëri, që të kenë frikë Allahun dhe të mos i zgjasin muhabetet me gratë duke folur për gjëra të panevojshme. Të mjaftohen duke folur vetëm aq sa është detyrë dhe që është e domosdoshme. Njeriu duhet të ketë kujdes në këto çështje. Ne po dëgjojmë shumë pyetje që tregojnë se këto çështje janë tejet të rrezikshme.

📖 [2] Këtë e kam thënë kur kam folur për këtë problematikë dhe se këto telashe vijnë si pasojë e këtij komunikimi të grave (me komentuesit e ëndrrave) për të cilën bëjmë thirrje se është e rrezikshme dhe se duhet patur kujdes.

📖 [3] Transmeton Muslimi (885).

📖 [4] Transmeton Bukhariu (29) dhe Muslimi (907).

📖 [5] Shiko në “Fet’hul-Barij” të Ibën Haxherit, 1/406.

 

Përktheu: Jeton Shasivari