Autor: Shejkh Salih el-Uthejmin

Burimi: Fet’hu dhil-Xhelali uel-Ikram bi sherh Bulugil-Meram, vëllimi i parë, shtëpia botuese: el-Mektebetu el-Islamijeh, faqe: 61.

 

 

Pyetje: Nëse dikush thotë: çfarë thoni për atë gjallesë të peshqve që u përngjason egërsirave të tokës, a është hallall apo haram ngrënia e tij?

 

Përgjigje: Origjina është se ajo është hallall. Ka gjallesa peshqish dhe balena në det, që e sulmojnë njeriun dhe e hanë atë, ashtu sikurse sulmojnë egërsirat e tokës dhe e hanë njeriun. A është haram ngrënia e tyre? Përgjigja është: jo. Madje, edhe nëse ka pamjen e gjarprit, apo të njeriut, apo të qenit, ato janë të lejuara për shkak të argumenteve të përgjithshme.

Nëse dikush thotë: a ka në Kur’an argument që tregon për lejueshmërinë e ngrënies së gjallesave të ngordhura të detit?

Ne themi: po. Ajo është Fjala e Allahut të Lartësuar:

أُحِلَّ لَكُمْ صَيْدُ الْبَحْرِ وَطَعَامُهُ مَتَاعًا لَّكُمْ

“Juve ju është lejuar gjuetia e gjallesave të detit, ndërsa ushqimi i tij (detit) është kënaqësi për ju.” El-Maideh, 96

 

Ka thënë Ibën Abbasi – Allahu qoftë i kënaqur me të – në komentimin e Fjalës së Allahut “ushqimi i tij” se: “Ato janë gjallesat që kapen të ngordhura.”

 

 

Përktheu: Altin Dallashi