[Kapitulli i Pastrimit]
Me shpjegimin e Shejkh ‘Abdullah Ibn ‘Abdur-Rrahman Ali-Bassam
Burimi: “Tejsirul-‘Alam Sherh Umdetul-Ahkam”
Mësimi i Dytë:
Pastrimi për Namazin është i Domosdoshëm
Hadithi n. 2:
Hammam Ibn Munebbih, i cili është vëllai i Uehb Ibn Munebbih, ka thënë: “Kjo është ajo çfarë na është transmetuar nga Ebu Hurejra, nga Muhamedi, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
“Allahu nuk e pranon namazin e askujt prej jush nëse ka dalë nga gjendja e pastërtisë, derisa ai ta pastrojë veten e tij sërish (duke marrë abdes apo gusl).” [el-Bukhari (1/101, n. 137) dhe Muslimi (1/149, n. 435)]
Çështje të rëndësishme që nxirren nga Hadithi:
1 – Namazi i atij që ka dalë nga gjendja e pastërtisë nuk pranohet derisa ai ta pastrojë veten sërish nga gjendja e papastërtisë së madhe apo të vogël.
2 – Papastërtitë (el-hadeth: gazrat, urina, etj.) e prishin abdesin si dhe e prishin namazin e robit nëse këto papastërti ndodhin gjatë namazit.
3 – Kuptimi i pjesës së hadithit “Allahu nuk e pranon namazin” është që namazi nuk është i saktë (sahijh) dhe as nuk merr shpërblim (ixhza’) për kryerjen e tij.
4 – Hadithi tregon se pastrimi (et-tahera) është një kusht i domosdoshëm për saktësinë (sihah) e namazit.
Larja e këmbëve sipas mënyrës së duhur është një pjesë përbërëse e abdesit
Hadithi n. 3:
‘Abdullah Ibn ‘Amr ka transmetuar: U kthyem nga Mekka për në Medine me të Dërguarin e Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe gjatë rrugës gjetëm ujë. Disa nga njerëzit nxituan për të kapur në kohë namazin e ikindisë dhe kështu morën abdes shpejt e shpejt. Kur mbërritëm ne, thembrat e tyre ishin të thata, e uji nuk i kishte prekur ato aspak. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:
“Mjerë thembrat (e thata) nga Zjarri i Xhehenemit. [Merreni abdesin të plotë].” [Bukhari (1/114, n. 164, 165) dhe Muslimi (1/154, n. 468, 473)]
Çështje të rëndësishme që nxirren nga Hadithi:
1 – Obligimi për t’u treguar i vëmendshëm në larjen e pjesëve të trupit për abdes dhe të mos qënurit mospërfillës ndaj tyre. Hadithi ka treguar në mënyrë të qartë për kujdesin në larjen e këmbëve, kurse pjesët e tjera të trupit të lara për abdes përfshihen nga Kijasi (analogjia) dhe bazohen në tekstet e haditheve të tjera të cilat përmendin secilën nga këto pjesë.
2 – Kërcënimi i rëndë për atë që tregohet mospërfillës gjatë marrjes së abdesit.
3 – Obligimi për sa i përket të dyja këmbëve – gjatë marrjes së abdesit – është që ato të lahen. Kjo është konfirmuar në një numër të madh të haditheve të sakta (sahih) si dhe në ‘ixhmanë (mendimin e përbashkët) të Umetit Musliman, në kundërshtim me qëndrimin e çuditshëm e të devijuar të Shijave, të cilët kundërshtuan të gjithë Umetin. Ata i kanë refuzuar hadithet e konfirmuara e të sakta, të cilat përcjellin veprimin e Pejgamberit si dhe mësimet e udhëzimet që ai u dha Sahabëve.
Gjatë larjes së hundës dhe përdorimit të guralecëve në tualet, është i pëlqyeshëm numri tek
Hadithi n. 4:
Ka transmetuar Ebu Hurejra: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Nëse ndonjëri prej jush merr abdes, ai duhet të fusë ujë në hundën e tij e pastaj ta shfryjë atë jashtë; dhe kushdo që pastron organet e tij intime me gurë, duhet ta bëjë këtë me numra tek. Dhe kushdo që zgjohet nga gjumi duhet të lajë dorën përpara se ta fusë atë në ujë për të marrë abdes, sepse askush nuk e di se ku ka qenë dora e tij gjatë natës.” [Bukhari (1/114, n. 163) dhe Muslimi (1/166, n. 544)]
[Në transmetimin e Muslimit qëndron]:
Ebu Hurejra ka transmetuar: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Kur ndonjëri prej jush merr abdes, ai duhet ta lajë hundën e tij; dhe kur ndonjëri fshihet me guralecë (pasi që ka kryer nevojën), ai duhet ta bëjë atë disa herë me një numër tek.” [Muslimi, 1/153, n. 460; shiko gjithashtu: 458 - 463]
Ikhtilafi (kundërshtimet ndërmjet Dijetarëve):
Dijetarët janë kundërshtuar për sa i përket gjumit pas të cilit është detyrë të lahet dora.
1 – Imam Shafiu dhe Shumica e Dijetarëve kanë qenë të mendimit se është detyrë të lahet dora pas çdo lloj gjumi, qoftë gjatë natës apo gjatë ditës, për shkak të përgjithësimit që kanë fjalët e tij: “...Dhe kushdo që zgjohet nga gjumi...” [duke mos specifikuar gjumin gjatë natës apo gjatë ditës].
2 – Dy Imamët, Ahmedi dhe Dauud edh-Dhahiri e kanë specifikuar se është detyrë pas zgjimit nga gjumi i natës. Ata e përkrahën mendimin e tyre nga fakti se kuptimi i vërtetë i fjalës el-beituta është (që ka kaluar natën) dhe kështu që ky udhëzim ka të bëjë me gjumin e natës [siç u përmend në fund të hadithit: “...askush nuk e di se ku ka qenë dora e tij gjatë natës.” Ata përmendën gjithashtu transmetimin e Tirmidhiut dhe Ibn Maxhes: “Nëse ndonjë prej jush zgjohet nga nata.”
Mendimi më i fuqishëm është i dyti, pasi arsyeja e saktë e urdhërimit të larjes së duarve faktikisht nuk është e qartë. Ajo që ka më shumë të ngjarë është se ai është një vepër e pastër ibadeti (adhurimi). Atëherë, aty nuk ka vend për të bërë Kijas (krahasim, analaogji) ndërmjet ditës dhe natës, qoftë edhe kur një njeri fle gjatë ditës për një kohë të gjatë (ashtu sikurse fle gjatë natës), ngase një rast i tillë nuk ndodh si zakonisht. Rregullat dhe ligjet janë të lidhura – në radhë të parë – në rastin e shumicës ose me atë që është e zakonshmja. Kuptimi i dukshëm i hadithit është specifikimi apo veçimi i gjumit të natës.
Gjithashtu, dijetarët kanë patur mospajtim nëse kjo larje e duarve pasi zgjohesh nga gjumi është uaxhib (obligim) apo mustehab (e këshillueshme apo e pëlqyeshme).
1 – Shumica e Dijetarëve ishin të mendimit se ajo është mustehab. Kanë ardhur transmetime se ky ishte mendimi i Ahmedit dhe zgjedhja e el-Kharkit, Muuafakut dhe Mexhdit.
2 – Mendimi më i famshëm në medh’hebin e Imam Ahmedit është se kjo larje është uaxhib dhe kjo tregohet nga fjalët e hadithit.
Çështje të rëndësishme që nxirren nga Hadithi:
1 – Obligimi i futjes së ujit në hundë (el-istinshak) dhe nxjerrja e tij jashtë (el-istinthar). Imam Neueui ka thënë: “Këtu tregohet qartë se el-istinthar ndryshon nga el-istinshak.
2 – Fakti që hunda konsiderohet si pjesë e fytyrës gjatë marrjes së abdesit. Kjo është nxjerrë nga teksti i këtij hadithi dhe ajeti i Kur'anit: “...dhe lani fytyrat tuaja.”
3 – Ligjshmëria e përdorimit të guralecëve në numër tek (edhe nëse kalon numrin tre) kur pastron organet pas kryerjes së nevojës. El-Mexhd (gjyshi i Ibn Tejmijes) thotë në librin e tij el-Munteka: “Kjo ligjshmëri e kufizimit në një numër tek kur nevojiten më tepër se tre kuptohet që është Sunet.”
4 – Ibn Haxher ka thënë: “Disa (nga Dijetarët) kanë nxjerrë nga ky hadith se vendi që pastrohet (organet intime) është specifikuar këtu me lejimin e veçantë [për t’i pastruar ato më shumë se tri herë] kur ka mbetur akoma papastërti.”
5 – Ligjshmëria e larjes së duarve kur dikush zgjohet nga gjumi i natës. [Këtu duhet patur parasysh mospajtimi në mendime se ky udhëzim a është specifik për gjumin e natës apo edhe atëherë kur zgjohesh nga gjumi i ditës; dhe mendimet e ndryshme se a është ky udhëzim për larjen e duarve pasi zgjohesh nga gjumi obligim (uaxhib) apo i pëlqyeshëm (mustehab)].
6 – Obligimi i marrjes së abdesit pasi zgjohesh nga gjumi.
7 – Ndalimi i futjes së dorës në enën me ujë derisa të lahet dora. Ky ndalim ose është absolut (tahrim) ose është diçka e urryer (mekruh), duke u bazuar në mendimet e ndryshme se a është obligim (uaxhib) apo e pëlqyeshme (mustehab) larja e dorës përpara se ta futësh atë në ujë.
8 – Arsyeja e dukshme e ligjshmërisë së kësaj larjeje është pastërtia (en-nedhafeh). Megjithatë, gjykimi përcaktohet nga rrethanat e shumicës. Kështu që, larja e dorës është e ligjshme edhe nëse dikush është i sigurt se dora e tij është e pastër (për shembull ajo ishte e mbështjellë me ndonjë gjë).
Mësimi i Tretë:
Urinimi në ujin e pa rrjedhshëm
Hadithi n. 5:
Ka transmetuar Ebu Hurejra: I Dërguari i Allahut ka thënë:
“Ne (Muslimanët) jemi të fundit (si popull që do të vijmë në dunja) por (do të jemi) të parët (në Ditën e Ringjalljes).”
I njëjti transmetues ka thënë se Pejgamberi ka thënë:
“Ju s’duhet të urinoni në ujin e pa rrjedhshëm dhe pastaj të laheni në të.” [Bukhari, 1/150, n. 239]
Në një transmetim nga Muslimi:
“Asnjëri nga ju s’duhet të lahet në ujin e palëvizshëm (që nuk rrjedh) kur është Xhunub.”
Ikhtilafi (kundërshtimet ndërmjet Dijetarëve):
Dijetarët kanë rënë në kundërshtim nëse kjo ndalesë këtu [e urinimit apo larjes në ujin e pa rrjedhshëm] tregon et-Tahrim (ndalesë e prerë) apo el-Kirahije (diçka që është e urryer.
1 – Dijetarët Maliki ishin të mendimit se kjo është Mekruh (e urryer).
2 – Hanbelitë dhe Dhahiritë ishin të mendimit se kjo tregon et-Tahrim (ndalesë e prerë).
3 – Disa dijetarë të tjerë ishin të mendimit se kjo është Muharram (e ndaluar) nëse sasia e ujit është e vogël; dhe është Mekruh (e urryer) nëse sasia e ujit është e madhe.
Ndalesa që duket qartë këtu është et-Tahrim (ndalesa e prerë), qoftë sasia e ujit e vogël apo e madhe [pra mendimi i dytë]...
Ikhtilafi (kundërshtimet ndërmjet Dijetarëve):
Gjithashtu dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me ujin ku është urinuar në të: a e ruan ai gjendjen e pastërtisë (Tahera) apo bëhet i ndotur/i fëlliqur?
1 – Nëse ai ka ndryshuar [shijen, ngjyrën apo erën] nga pisllëku (Nexhese) – kaIxhma’ (mendim të përbashkët tek të gjithë dijetarët) se ai është i papastër, qoftë sasia e ujit e vogël apo e madhe.
2 – Nëse ai nuk ka ndryshuar [shijen, ngjyrën apo erën] – dhe është në sasi të mëdha – ka ‘Ixhma (mendim të përbashkët tek të gjithë dijetarët) se ai e ruan gjendjen e pastërtisë.
3 – Nëse ai nuk ka ndryshuar [shijen, ngjyrën apo erën] – dhe është në sasi të vogël – ka dy mendime:
a) – Se ai e ruan gjendjen e tij të pastërtisë, i cili është qëndrimi i: Ebu Hurejrës, Ibn ‘Abbasit, Hasen el-Basri, Ibnul-Musejjib, eth-Theuri, Dauudi, Maliku dhe Bukhari. Bukhari ka bërë një listë me një numër hadithesh ku refuzohen ata që mendojnë se uji bëhet i pistë (Nexhes).
b) – Ibn ‘Umeri, Muxhahidi dhe medh`hebet Hanefi, Shafi’i dhe Hanbeli janë të mendimit se uji bëhet i pistë (Nexhes) thjesht nëpërmjet kontaktit të tij me substanca të pista – edhe nëse ai nuk pëson ndonjë ndryshim [në shije, ngjyrë apo erë], për sa kohë që ai është në sasi të vogël. Ata përmendin një numër argumentesh, përfshi këtu edhe hadithin që është në diskutim. Çdo argument i tyre mund të refuzohet.
Grupi i parë (A) u mbështetën në shumë argumente duke përfshirë edhe hadithin e transmetuar nga Ebu Dauudi dhe Tirmidhiu që e shpalli atë hadith hasen: “Uji është i pastër dhe asgjë nuk e bën atë që të jetë i ndotur.” Përgjigja e tyre për hadithin në këtë pjesë [Hadithi n. 5] është se ndalesa e përmendur në të ka për qëllim që të tregojë se është e urryer përdorimi i këtij uji për t’u pirë e jo që ky ujë bëhet i pistë (Nexhes).
Qëndrimi i grupit të parë (A) [se uji mbetet i pastër edhe nëse është në sasi të vogël, për sa kohë që nuk pëson ndonjë ndryshim] është qëndrimi i saktë. Kjo për arsye se baza për ta deklaruar ujin të pistë është kur ai pëson ndryshime [në shije, ngjyrë apo erë] si rezultat i substancave të pista (që përzihen me të) – pa marrë parasysh nëse sasia e tij është e vogël apo e madhe. Ky është mendimi që ka zgjedhur Shejkhul-Islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë.
Dimë gjithashtu nga kjo se mendimi më i fortë lidhur me ujin në të cilin dikush lahet (i tëri) nga Xhunubllëku është gjithashtu i pastër – megjithëse është në sasi të vogël. Kjo është e kundërt me qëndrimin e famshëm të Medh’hebit tonë (Hanbeli) si dhe qëndrimi i Medh’hebit Shafi’i që mendojnë se larja në ujë e eliminon apo e shfuqizon karakteristikën (e gjendjes) së pastërtisë, sepse është vetëm një sasi e vogël uji.
Çështje të rëndësishme që nxirren nga Hadithi:
1 – Ndalimi i urinimit në ujërat jo-rrjedhës dhe kjo gjë është Haram.
2 – Ndalimi i larjes (gusl) në ujin e palëvizshëm (që nuk rrjedh) duke zhytur trupin në atë ujë, veçanërisht personi që është i pistë (nga urina, nevoja, marrëdhëniet seksuale) – edhe nëse ai nuk urinon në të. Ajo çfarë lejohet këtu është marrja e ujit me grushte ...
3 – Lejimi i asaj që u përmend në pikën 2 në ujërat rrjedhës, megjithëse është më mirë që kjo gjë të mënjanohet.
4 – Ndalimi i çdo gjëje që është e dëmshme apo shkelje ndaj të tjerëve.
Nëse qeni pi në enën e ndonjërit prej jush, atëherë duhet patjetër që ajo të lahet shtatë herë.
Hadithi n. 6:
Ka transmetuar Ebu Hurejra: I Dërguari i Allahut ka thënë:
“Nëse një qen pi në enën e ndonjërit prej jush, duhet patjetër që ajo të lahet shtatë herë.” [Bukhari 1/120, n. 173]
Në transmetimin e Muslimit:
“... larja e parë duhet të bëhet me dhè (Turab).”
Çështje të rëndësishme që nxirren nga Hadithi:
1 – Papastërtia e rëndë që përmban qeni për shkak të pisllëkut të tij.
2 – Lëpirja e një qeni në enë – dhe gjithashtu ngrënia e tij në një enë – e bën enën të pistë, si dhe atë çfarë përmban ena.
3 – Obligimi për të larë shtatë herë çdo gjë që ka lëpirë qeni.
4 – Obligimi për të përdorur dhè (Turab) njëherë dhe është mirë që kjo të jetë herë e parë, në mënyrë që të vijojë uji.
5 – Çdo gjë që është përdorur në vend të dhèut merr të njëjtin gjykim si ai, pasi ajo që është për qëllim është pastrimi. Ky është medh’hebi i Ahmedit dhe një nga thëniet e Shafiut. Por thënia më e famshme e Shafiut është se duhet të përdoret dhèu. Ibn Dakijk el-‘Ijd e mbështeti këtë qëndrim duke thënë se ai është përmendur në tekstin e hadithit dhe ai (dhèu) është një nga dy burimet kryesore të pastrimit. Përveç kësaj, nëse një kuptim i nxjerrë bie në kundërshtim me tekstin e drejtpërdrejtë [nga i cili është nxjerrë] atëherë kuptimi i nxjerrë është i refuzuar. Imam Neueui ka thënë se sapuni apo substanca të ngjashme me të nuk e zëvendësojnë dhèun sipas mendimit më të saktë. Unë [autori] them: Kërkimet e fundit shkencore kanë treguar se eliminimi i këtyre papastërtive që arrihet nga përdorimi i dhèut nuk mund të arrihet nga substanca të tjera (sh.p. si sapuni, detergjentët etj.) ...
6 – Madhështia e Sheriatit të Kulluar, dhe se ai është padyshim shpallje nga Më i Urti, i Gjithëdijshmi, dhe ai që e solli atë (d.m.th. Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk flet nga tekat apo epshet e tij. Disa dijetarë kanë diskutuar urtësinë që është në qëndrimin e ashpër (të Ligjit Sheriatik) lidhur me papastërtinë, duke marrë në konsideratë ekzistencën e substancave të tjera të ngjashme që janë të neveritshme, të cilat nuk kërkojnë të njëjtat përpjekje për t’u pastruar prej tyre.
Një grup dijetarësh shkuan deri në atë pikë sa thanë: “Kjo mënyrë pastrimi nga jargët e qenit është te’abbudi (një formë e pastër ibadeti) urtësia e të cilës nuk mund të kuptohet. Mjekësia moderne erdhi bashkë me zbulimet e saj shkencore dhe mikroskopët duke konfirmuar ekzistencën e mikrobeve dhe sëmundjeve infektuese në jargët e qenit, të cilat nuk mund të eliminohen vetëm me ujë...”
I Lartësuar është Allahu, i Gjithëdituri, i Mirëinformuari. Përgëzime për ata që kanë Jekin (bindje të thellë në Shpalljen e Allahut) dhe mjerë për mohuesit!
Përktheu: Alban Malaj