Autor: Abdul-Aziz bin Abdullah er-Raxhihi

Burimi: Ligjëratë me titull “Innes-salate tenha ‘anil-fahshai uel-munker”

 

Pyetje: Shohim shumë njerëz që falen dhe namazi nuk i ndalon nga mëkatet dhe punët e këqija, kurse Allahu, Ai i Cili është më i Vërteti në fjalë, na ka lajmëruar se namazi ndalon nga mëkatet dhe punët e këqija. Si është e mundur kjo?

Përgjigje: Atë që e nuk e ndalon namazi nga mëkatet dhe punët e këqija, nuk e ka falur namazin ashtu siç duhet. Nëse do ta kishte falur namazin ashtu siç duhet, ai do ta ndalonte atë nga mëkatet dhe punët e këqija. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَأَقِمِ الصَّلاةَ إِنَّ الصَّلاةَ تَنْهَى عَنِ الْفَحْشَاءِ وَالْمُنْكَرِ

“Fale namazin (ashtu siç duhet), vërtet namazi ndalon nga mëkatet dhe punët e këqija.” el-Ankebut, 45

Pra, ikametu salat (falja e namazit ashtu siç duhet) nuk është si fiëlu salat (falja e namazit duke i bërë lëvizjet dhe lutjet).

Ikametu salat do të thotë: ta falësh atë siç duhet nga ana e jashtme trupore dhe nga ana e brendshme shpirtërore.    

Nga ana e jashtme do të thotë: që t’i kryesh kushtet, shtyllat, obligimet dhe format e ndryshme në namaz.

Nga ana e brendshme do të thotë: që ta falësh atë me sinqeritet duke synuar me këtë namaz Fytyrën e Allahut dhe botën tjetër; duke qenë i përqendruar me gjithë zemër dhe të mendosh thellë gjatë leximit të Kuranit dhe të meditosh gjatë lutjeve që i thua në namaz.

Po ashtu, pjesë e plotësimit të faljes së namazit ashtu siç duhet është edhe bërja e dhikrit pas namazeve dhe falja e suneteve të rregullta. Të gjitha këto janë prej gjërave që e plotësojnë namazin, sepse njeriu gabon dhe harron.

 

Përktheu: Jeton Shasivari