Autor: Shejkhul-Islam Ahmed Ibën Tejmijeh

Burimi: es-Safedijeh, 1/220

 

 

Gjithashtu, prej gjërave me të cilat Allahu e ka dalluar Ka’ben, Shtëpinë e Shenjtë, qëkur e ndërtoi Ibrahimi e deri në kohën e sotme, është madhërimi, nderimi dhe tërheqja e zemrave për të.

Dihet që mbretërit dhe njerëz të tjerë ndërtojnë kështjella, qytete dhe pallate me mjete madhështore dhe struktura precize, por pastaj nuk kalon shumë kohë dhe ato prishen dhe rrënohen.

Kurse Ka’beja është një shtëpi e ndërtuar me gurë të zi, në një luginë ku nuk mbin asgjë, nuk ka atje asgjë që të tërheqë njerëzit, as kopshte, as ujëra e asgjë tjetër. Madje as nuk ka atje ushtri që ta mbrojë nga armiqtë, dhe as nuk ka në rrugën që të çon drejt saj gjëra që ndezin dëshirat e njerëzve. Përkundrazi, shumicën e rasteve në rrugën e saj has aq frikë, lodhje, etje e uri, sa vetëm Allahu i di.

Pavarësisht të gjitha këtyre, Allahu ka bërë zemrat e aq shumë njerëzve që ta duan atë, sa vetëm Allahu i di.

 

Allahu i ka dhënë Shtëpisë së Shenjtë aq lavdi, nder dhe madhështi, saqë ua uli kokat të gjithë njerëzve në tokë dhe i bëri mbretërit, presidentët dhe diktatorët e mëdhenj që të shkojnë atje të përulur dhe të gjorë, njësoj si të gjithë njerëzit e tjerë. Dhe dihet domosdo që kjo ndodh jashtë fuqisë njerëzore dhe forcës së shpirtrave dhe trupave të tyre. Ndërsa ai që e ka ndërtuar atë ka vdekur që përpara mijëra vjetësh.

 

 

Përktheu: Alban Malaj