Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/5166

 

Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira, hirësia juaj. Ky pyetës thotë: “Cili është gjykimi për ato që i quajnë “mrekullitë shkencore në Kuran” apo “mrekullitë numerike në Kuran”, dhe a ka bazë kjo gjë?

Përgjigje: Mrekullitë shkencore për të cilat po flasin në këtë kohë, janë komentime të Kuranit pa dituri sheriatike, pa parimet e njohura të komentimit të Kuranit, e të cilat janë:

[1] Komentimi i Kuranit me Kuran

[2] Komentimi i Kuranit me Sunet

[3] Komentimi i Kuranit me fjalët e Sahabëve

[4] Komentimi i Kuranit me fjalët e Tabi’inëve

[5] Komentimi i Kuranit sipas rregullave të gjuhës Arabe me të cilat ka zbritur.

Kurse komentimi i Kuranit me mrekullitë shkencore është diçka shtesë që e kanë shtuar tani në këtë kohë. Me fjalën “mrekullitë shkencore” kanë për qëlllim teoritë shkencore, teoritë në mjekësi, astronomi, si dhe teoritë të tjera. Këto teoritë janë supozime dhe hamendësime, që ndodh të jenë të vërteta apo të gabuara. Kështu që, këto nuk merren për komentim të Kuranit dhe të thuhet se Allahu, i Madhëruar e i Lartësuar, ka për qëllim këtë teori. Pastaj më vonë thonë: “Jo! Kjo teori nuk ishte e saktë.” Kështu bëhet lojë dhe tallje me Fjalën e Allahut, të Plotfuqishmit e të Lartësuarit.

Jo kështu! Teoritë shkencore nuk merren për komentim të Kuranit. Nuk merren kurrë për komentim të Kuranit. Kjo është që të flasësh për Allahun pa dituri dhe këto teori shkencore lënë hapsirë për kritika dhe pavërtetësi. Prandaj, i sheh ata se e pohojnë një gjë sot dhe e mohojnë atë të nesërmen. Atyre u bëhet e qartë e kundërta e atyre teorive, sepse këto teori janë njerëzore.

 

Përktheu: Jeton Shasivari