Autor: Shejkh Muhamed el-Emin bin Muhamed el-Mukhtar esh-Shenkiti (1325-1393 H, 1905 – 1973 G)

Burimi: Aduaul-Bejan fi Idahil Kurani bil Kuran, (2/261).

 

 

“...në lidhje me atë që pretendojnë ata, të cilët nuk kanë dituri rreth Librit të Allahut të Lartësuar, se Fjala e Tij – të Madhëruarit e të Lartësuarit –:

 

﴿يَا مَعْشَرَ الْجِنِّ وَالْإِنسِ إِنِ اسْتَطَعْتُمْ أَن تَنفُذُوا مِنْ أَقْطَارِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ فَانفُذُوا لَا تَنفُذُونَ إِلَّا بِسُلْطَانٍ﴾

“O turmë e xhinëve dhe njerëzve, nëse keni mundësi të kaloni përtej kufijve të qiellit dhe tokës, atëherë kaloni! Por ju kurrë nuk mund t’i kaloni ato vetëm se me një fuqi (sultaan).” Er-Rahman, 33

 

Sipas tyre ky ajet tregon dhe aludon për ngjitjen në qiell, me pretendimin se qëllimi me fjalën sultan – fuqi në ajet është kjo shkencë moderne, rezultat i së cilës janë raketat dhe satelitët artificial.

Pra, ajeti me të cilin argumentohen ata se me këto dituri shkencore do t’i kalojnë caqet e qiellit dhe tokës, është i refuzuar nga disa këndvështrime:

 

 

Këndvështrimi i parë:

Domethënia e këtij ajeti fisnik është lajmërim nga Allahu – i Madhëruar e i Lartësuar – për krijesat e tij, se ata nuk kanë për të shpëtuar e as për të ikur nga kada-ja (përcaktimi dhe gjykimi) e Tij dhe se ata nuk mund të dalin jashtë Vullnetit (meshieh) të Tij; dhe se kjo do të ndodhë kur ata do të rrethohen nga rreshtat e melaikeve Ditën e Gjykimit. Sa herë që ata përpiqen të ikin në një drejtim, do të gjejnë përpara tyre rreshtimin e melaikeve. Në atë kohë, do t’u thuhet “o turmë e xhinëve dhe njerëzve...”

 

Fjala “sultan” është thënë se është për qëllim argumenti (el-huxh-xheh) dhe fakti i qartë (el-bejjineh). Po ashtu, është thënë se do të thotë el-mulk (sundim, mbretëri) dhe es-saltaneh (pushtet).

 

Të gjitha këto gjëra, njerëzit nuk do t’i posedojnë Ditën e Gjykimit. Andaj, nuk ka shpëtim për ta, siç ka thënë i Lartësuari:

 

﴿وَجَاءَ رَبُّكَ وَالْمَلَكُ صَفًّا صَفًّا﴾

“Dhe kur të vijë Zoti yt dhe melaiket të rreshtohen radhë pas radhe (përreth njerëzve).” El-Fexhr, 22

 

Dhe ka thënë:

 

﴿إِنِّي أَخَافُ عَلَيْكُمْ يَوْمَ التَّنَادِ ﴿٣٢ يَوْمَ تُوَلُّونَ مُدْبِرِينَ مَا لَكُم مِّنَ اللَّـهِ مِنْ عَاصِمٍ﴾

“...me të vërtetë, unë kam frikë për ju Ditën (e Gjykimit) kur do të ketë një thirrje të ndërsjellë (midis banorëve të Xhehenemit dhe banorëve të Xhenetit). Ditën kur do ta ktheni shpinën dhe do të ikni, e nuk ka kush t’u mbrojë nga dënimi i Allahut...” El-Gafir, 32-33

 

 

Këndvështrimi i dytë:

Allahu u ka dhënë Xhinëve fuqi për të fluturuar dhe për t’u ngjitur në caqet e qiellit dhe tokës; Xhinët dëgjonin fshehurazi në qiell – siç ka treguar qartazi për ta i Lartësuari në Fjalën e Tij:

 

﴿وَأَنَّا كُنَّا نَقْعُدُ مِنْهَا مَقَاعِدَ لِلسَّمْعِ ﴾

“Dhe ne (më parë) uleshim atje nëpër vendqëndrime për të dëgjuar...” El-Xhin, 9

 

Këta (shejtanë) u ndaluan nga dëgjimi i këtyre kur u dërgua ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – siç ka thënë i Lartësuari:

 

﴿فَمَن يَسْتَمِعِ الْآنَ يَجِدْ لَهُ شِهَابًا رَّصَدًا﴾

“...por ai që dëgjon tani, do të hasë në shkëndija të zjarrta që janë në pritje.” El-Xhin, 9

 

Pra, Xhinët kishin fuqi të ngjiteshin drejt qiellit pa pasur nevojën e raketës dhe sateliti artificial. Kështu që, sikur të ishte domethënia e ajetit kjo që pretendojnë këta, të cilët nuk kanë dije për Librin e Allahut, Allahu – i Madhëruar dhe i Lartësuar – nuk do të thoshte O turmë e Xhinëve,” sepse ata ngjiteshin drejt qiellit para shpikjes së fuqisë (raketës) që ata e pandehin.

 

 

Këndvështrimi i tretë:

Kjo shkencë (teknologji) për të cilën flitet dhe e cila nuk kalon përtej një prodhimi të punuar me dorë, është më e pavlerë tek Allahu që të quhet me emrin “fuqi – sultan” sepse ajo nuk kalon përtej synimeve të jetës së kësaj dynjaje dhe as që ka mundësi të parashikojë se çfarë ka pas vdekjes, sepse e gjithë dynjaja nuk peshon tek Allahu as sa krahu i një mushkonje.

 

Përktheu: Jeton Shasivari