Autor: Shejkh Zejd el-Medkhalij
Shkëputur nga libri: ‘Aun el-Ehad es-Samed sherh el-edeb el-mufrad, vëll.2/fq.249-250
Është transmetuar nga Xhabir Ibën ‘AbdUllah – radijAllahu ‘anhuma – se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – u ngrit në minber, por kur u ngrit në shkallën e parë ai tha “Amin!”. Kur u ngrit në shkallën e dytë tha “Amin!” E kur u ngrit në shkallën e tretë tha prapë “Amin!”. I thanë atij: “O i Dërguari i Allahut, të dëgjuam që the “Amin!” tre herë?” Kurse ai tha:
مَّا رقيت الدرجة الأولى جاءني جبريل - صلىالله عليه وسلم - فقال: شَقِي عبدٌ أدرك رمضان فانسَلَخ منه ولم يُغفَر له، فقلت: آمين، ثم قال: شَقِي عبدٌ أدرك والدَيْه أو أحدَهما فلم يُدخِلاه الجنة، فقلت: آمين، ثم قال: شَقِي عبدٌ ذُكرتَ عنده ولم يصلِّ عليك، فقلت: آمين.
“Kur u ngrita në shkallën e parë më erdhi Xhibrili – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe tha: “Qoftë i mjeruar robi që e arrin Ramadanin dhe del nga ai pa iu falur gjynahet.” Unë thashë: “Amin!” Pastaj tha: “Qoftë i mjeruar robi që arrin të dy prindërit e tij ose njërin prej tyre por megjithatë ata nuk e fusin atë në Xhenet.” Unë thashë: “Amin!” Pastaj tha: “Qoftë i mjeruar robi që kur dëgjon të përmendem unë në prezencën e tij, ai nuk çon salavate për mua.” Unë thashë: “Amin!””[1]
Shpjegimi:
Te ky hadith ka argument për ligjshmërinë e pyetjes së dijetarëve rreth diturive sheriatike dhe se ata e kanë detyrë që të përgjigjen pa i kaluar kufijtë e dijes së tyre.
Gjithashtu, ka argument për paralajmërimin kundër humbjes së agjërimit të Ramadanit dhe neglizhimit në të, sepse kjo është prej shkaqeve të mjerimit. E përkrah paralajmërimit kundër humbjes dhe neglizhimit, është edhe obligimi i njeriut që të përkujdeset për agjërimin e tij dhe nxitja për të falur namazin e natës në të, sepse kush e agjëron Ramadanin dhe falet në netët e tij, duke e bërë këtë me iman e duke shpresuar shpërblimin tek Allahu, atij do t’i falen gjynahet e kaluara, siç ka ardhur në hadithin që ka transmetuar Ebu Hurejra – radijAllahu ‘anhu –, se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
مَنْ صامَ رمَضانَ إيْمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ له ما تَقَدَّم مِن ذَنْبِه
“Kush e agjëron Ramadanin me iman e duke shpresuar shpërblim, atij do t’i falen gjynahet e kaluara.” [2]
Gjithashtu, në të ka argument për obligueshmërinë e bamirësisë me prindërit kur ata janë të gjallë, vazhdimisht, dhe se nuk duhet të harrojmë nxitjen për të bërë bamirësi për prindërit mbas vdekjes së tyre, duke dhënë sadaka për ta, duke kërkuar falje për ta, e duke i ruajtur lidhjet me gjakun e tyre. Për këtë urdhër kanë ardhur një numër tekstesh në Kur’an dhe në Sunet. Prej tyre është Fjala e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –:
وَاعْبُدُوا اللَّهَ وَلا تُشْرِكُوا بِهِ شَيْئًا وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًا
“Adhuroni Allahun e mos i shoqëroni Atij asgjë në adhurim, e me të dy prindërit silluni më së miri.” [en-Nisaa`, 36]
Prej tyre është edhe Fjala e Allahut – ‘Azze She’nuHu –:
وَوَصَّيْنَا الإنْسَانَ بِوَالِدَيْهِ إِحْسَانًا
“Ne e kemi porositur njeriun që me të dy prindërit e tij të sillet më së miri.” [el-Ahkaf, 15]
Kurse në Sunet ka ardhur se një burrë e pyeti Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
أيُّ عملٍ أفْضل؟ قال: الصلاة على وقتها، وقال: قلت: ثم أي؟ قال: بر الوالدين، قلت: ثم أي؟ قال: الجهاد في سبيل الله
“Cilat janë veprat më të mira?” Ai tha: “Namazi në kohën e tij, bamirësia me prindërit, pastaj xhihadi në Rrugë të Allahut.” [3]
جاء رجل إلى رسول الله صلى الله عليه وسلم فقال: يا رسول الله، من أحقُّ الناس بحسن صحابتي؟ قال: أمُك. قال: ثم من؟ قال: أمُك. قال: ثم من؟ أمُك. قال: ثم من؟ قال: أبوك
Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, cili njeri ka më shumë hak tek unë që të jem i mirë me të?”
Ai tha: “Nëna jote.”
Ai i tha: “Pastaj kush?”
Ai tha: Nëna jote.”
Ai i tha: “Pastaj kush?”
Ai i tha: “Nëna jote.”
Ai i tha: “Pastaj kush?”
Ai i tha: “Babai yt.” [4]
E përkrah urdhrit për t’u sjellë sa më mirë me prindërit, është detyrë gjithashtu që të ruhemi nga mosbindja karshi prindërve dhe nga sjellja e keqe me fjalë a me vepra karshi tyre, sepse kjo është prej shkaqeve të mjerimit, është prej shkaqeve që sjellin dënime që vijnë shpejt apo vonë. Kanë ardhur disa tekste në Kur’an dhe në Sunet, të cilat sqarojnë rrezikun e mosbindjes karshi prindërve dhe dëmin që bie mbi ata të cilët janë të pabindur me prindërit e tyre. Prej tyre:
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
فَلا تَقُلْ لَهُمَا أُفٍّ وَلا تَنْهَرْهُمَا وَقُلْ لَهُمَا قَوْلا كَرِيمًا
“Mos u thuaj prindërve as “uf!” dhe as mos u sill me ta në mënyrë të pahijshme, porse folu atyre me fjalë të larta.” [el-Israa`, 23]
Kurse në Sunet, ka ardhur në një hadith se:
رضا اللهِ في رضا الوالدين و سخط الله في سخط الوالدين
“Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e të dy prindërve, e Zemërimi i Allahut është në zemërimin e të dy prindërve.” [5]
Thotë gjithashtu Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
ألا أنبئكم بأكبر الكبائر؟ قلنا: بلا يا رسول الله! قال: الإشراك بالله و عقوق الوالدين
“A t’ju njoftoj për gjynahet më të mëdha?”
Sahabët i thanë: “Qysh jo o i Dërguari i Allahut!”
Ai tha: “T’i bësh shirk Allahut dhe mosbindja ndaj prindërve.” Vazhdon më tej hadithi. [6]
Gjithashtu te hadithi ka argument për paralajmërimin kundër neglizhimit të salavateve kur përmendet Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, sepse neglizhimi i salavatit dhe selamit kur përmendet Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është prej shkaqeve të mjerimit, prandaj e ka detyrë çdo Musliman e Muslimane që t’i shmangë ato shkaqe.
O Allah dërgo salavate (lavdërime) dhe selam (paqe) mbi të, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.
Fundnotat:
[1] Transmetuar nga Imam Bukhari në librin e tij “el-Edeb el-Mufrad” me numër 644, dhe Shejkh el-Albanij e ka shpallur këtë hadith sahih për shkak të transmetimeve të tjera që e përforcojnë saktësinë e tij.
[2] E ka transmetuar Bukhari (n.38) dhe Muslimi (n.760).
[3] E ka transmetuar Bukhari (n.7534).
[4] E ka transmetuar Bukhari (n.5971) dhe Muslimi (n.2548).
[5] E ka transmetuar Tirmidhiu (n.1899), Ibën Hibani (n.429), Hakimi (n.7249), Bezari (n.2394), Bejhakiu në “Shu’ab el-Iman” (7447 dhe 7445) dhe teksti është i tij. Tha Hakimi: “Ky hadith është sahih, sipas kushtit të Muslimit.” U pajtua me të edhe Dhehebiu.
[6] E ka transmetuar Bukhari (n.5976) dhe Muslimi (n.87).
Përktheu: Alban Malaj