Autor: Shejkh Muhamed Nasiruddin el-Albanij (1419 h – 1999 g)

Burimi: Sahihu Meuaridi edh-Dhemaan ila Zauaidi ibni Hibban, vëll. 2, fq.200, nr. i hadithit (1509).

 

 

Transmetohet nga Ebu Umameh el-Behalij, se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut – sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem – duke thënë:

“Ndërkohë që isha në gjumë, erdhën tek unë dy burra. Më kapën për krahësh dhe më dërguan rrëzë një kodre të vështirë për t’u ngjitur sipër saj.

Më thanë: “Ngjitu!”

Kur unë arrita në majë të kodrës, befas dëgjoj zëra të lartë dhe të frikshëm. Kështu, i pyeta ata: “Çfarë janë këto zëra?!”

Njëri nga ata dy më tha: “Këto janë ulërimat e banorëve të Zjarrit.”

 

Pastaj, ata u nisën me mua dhe kur papritur shoh disa njerëz që ishin të varur për thembrave të tyre; gojët i kishin të çara dhe u rridhnin gjak.

Unë pyeta: “Kush janë këta?!”

Njëri nga ata më tha: “Këta janë ata të cilët kur agjërojnë, bëjnë iftar para se të hyjë koha.” [1]

 

Pastaj, ata u nisën bashkë me mua, dhe kur papritur shoh njerëz që ishin shumë të fryrë, mbanin erë shumë të qelbur dhe kishin pamje shumë të shëmtuar.

Unë pyeta: “Kush janë këta?!”

Më tha: “Këta janë të vrarët e kufarëve.”

 

Pastaj u nisëm dhe kur papritur shoh disa njerëz të fryrë, që mbanin erën më të qelbur, sikur të ishte erë e nevojtoreve.

Unë pyeta: “Kush janë këta?!

Njëri nga ata më tha: “Këta janë zinaqarët dhe zinaqaret.”

 

Pastaj u nisëm dhe kur pa pritur shoh gra që ua thithnin gjinjtë gjarpërinjtë.

Unë pyeta: “Ç’është puna e këtyre?”

Ai më tha: “Këto janë gratë që i privojnë fëmijët e tyre nga qumështi i gjinjve të tyre.” [2]

 

Pastaj u nisëm dhe ndërkohë shoh fëmijë që loznin midis dy lumenjve.

Unë pyeta: “Kush janë këta?”

Dikush më tha: “Këta janë fëmijët e besimtarëve.”

 

Pastaj, ata dy më ngritën shumë lartë dhe papritmas u gjenda në mesin e tre personave të cilët pinin nga pija që kishin me vete.

Unë pyeta: “Kush janë këta?”

Më thanë: “Këta janë: Ibrahimi, Musa dhe Isa. Këta po të presin ty.”

 

Ky hadith është sahih (i vërtetë) dhe gjendet në “et-T’alik er-Ragib” (2/74) dhe në “Silsiletu Sahihah” (3951).

 

 

(Komentet e Shejkh Albanit):

 

[1] Unë them: Ky është dënimi i atij që agjëron pastaj e prish agjërimin qëllimisht para se të hyjë koha e iftarit. E si i bëhet halli me atë që nuk agjëron fare?! I kërkojmë Allahut shpëtim dhe mirëqenie në dunja dhe ahiret.

Dije se koha e iftarit është pasi që të ketë perënduar dielli, siç ka ardhur në hadithin e vërtetë: “Nëse vjen nata këndej dhe vjen dita andej si dhe ka perënduar dielli, atëherë agjëruesi bën iftar.” Muttefekun ‘alejhi.

Kurse ezani është njoftim për hyrjen e kohës. Muezini mund të gabojë dhe kështu ta thërrasë ezanin para kohe siç i ndodhi Bilalit – Allahu qoftë i kënaqur me të – ngase e kishte zënë gjumi dhe ashtu siç ndodh sot në shumë vende Islame, madje edhe në vende tjera, duke u mashtruar nga kalendari astronomik dhe duke e lënë pas dore Fjalën e Tij, të Lartësuarit:

 

وَكُلُوا وَاشْرَبُوا حَتَّىٰ يَتَبَيَّنَ لَكُمُ الْخَيْطُ الْأَبْيَضُ مِنَ الْخَيْطِ الْأَسْوَدِ مِنَ الْفَجْرِ

“...dhe hani e pini derisa t’ju bëhet e qartë drita e agimit dhe nga errësira e natës.” El-Bekare, 187

 

Po ashtu, duke e lënë pas dore edhe hadithin që u përmend, saqë muezinët – lëre më të tjerët – nuk e dinë hyrjen e kohëve të namazit vetëm se përmes këtyre takvimeve (kalendarëve), duke pasur parasysh se kohët e namazeve dallojnë nga vendi në vend brenda një shteti të vetëm, gjë që është ende më e arsyeshme të ketë dallim midis shteteve, gjë e cila është njohur dhe shihet me sy. Atëherë, a ka ndonjë që merr mësim?!

 

 

[2] Në këtë hadith, ka paralajmërim të fuqishëm për një vepër të ndaluar që e bëjnë disa gra duke i ushqyer foshnjat e tyre me qumësht artificial. Këtë e bëjnë që të parandalojnë rënien e gjoksit, duke u përngjasuar grave pabesimtare ose atyre të degjeneruarave.

 

Përktheu: Jeton Shasivari