Autor: Shejkh Abdul-Muhsin el-Abbad

Burimi: Sherh Sunen Ebi Daud (554)

 

 

Ebu Daudi – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – thotë: Na ka treguar Ahmed bin Salih, i cili thotë: i kam lexuar Abdu-Llah bin Nafit, i cili ka thënë: më ka treguar Ibn Ebi Dhib nga ibn Ekhij Xhabir bin AbduLlah, nga Xhabir bin AbduLlah – radijAllahu anhuma –  i cili ka thënë: ka thënë i Dërguari Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:

 

المجالس بالأمانة إلّا ثلاثة مجالس: سفك دمٍ حرامٍ، أو فرج حرام، أو اقتطاع مالٍ بغير حق

“Mexhliset janë amanet, përveç tre mexhliseve: derdhja e gjakut të ndaluar, zinaja (imoraliteti) dhe marrja e pasurisë pa të drejtë.”

 

Pastaj Ebu Daudi e transmetoi hadithin e Xhabir bin AbduLlahit – radijAllahu anhuma – nga i Dërguari – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – i cili ka thënë:

 

Fjala “Mexhliset janë amanet” – domethënë se, në mexhliset ku diskutohet diçka mes njerëzve, njeriu e ka për detyrë që t’i ruajë këto biseda, mos t’i përhapë as mos t’i tregojë ato. Sidomos kur këto mexhlise janë të llojit ku kërkohet të mos bëhen publike, sikurse janë mexhliset private për çështje të caktuara ose mexhliset ku anëtarët e atij grupi apo personave të përfshirë në atë mexhlis, janë të caktuar në atë mexhlis, atëherë në këtë rast nuk ka dyshim se mexhliset janë amanet. Nuk i lejohet askujt nga pjesëmarrësit e këtyre mexhliseve që të përhapë sekretet që janë përmendur në atë mexhlis, sepse kjo shpie në përhapjen e çdo lajmi dhe çështjeje që është folur në ato mexhlise të cilat duhet të mbahen sekret.

Ndoshta këto mexhlise mund të jenë takime zyrtare të cilat kanë të bëjnë me shtetin ose që kanë të bëjnë me disa njerëz, etj. Në këto raste, është detyrë mbajtja e amanetit dhe mospërhapja e atyre sekreteve që janë thënë në atë mbledhje.

Përveç rasteve kur kërkohet të nxirren dhe të përhapen, atëherë kjo gjë nuk hyn te ndalesa e përhapjes së sekreteve.

 

Shejkhu ynë Shejkh Abdul-Aziz bin Baz – Allahu e mëshiroftë – kur mblidheshim në sallën e Universitetit Islamik të Medines dhe studionim disa çështje që duhej të mbeteshin sekret dhe mos të përhapeshin, ai e përsëriste këtë hadith duke thënë: “Mexhliset janë amanet” – domethënë se, ato gjëra që u diskutuan në mexhlis, duhet të mbeten sekret dhe mos të përhapen; u kërkua që ato biseda të mbeteshin të fshehta, dhe çdo anëtar dhe çdo person që ishte pjesëmarrës në atë mexhlis, nuk duhet të flasë për temën që u diskutua në atë mexhlis, temë e cila duhet të mbahet sekret dhe nuk duhet të nxirret.

 

Ebu Daudi përcolli hadithin e Xhabirit: “Mexhliset janë amanet, përveç tre mexhliseve: derdhja e gjakut të ndaluar, zinaja (imoraliteti) dhe marrja e pasurisë pa të drejtë”

 

Që do të thotë se, nëse ndodh që dikush të thotë në mexhlis se do të bëjë një vepër të shëmtuar dhe se ai planifikon të bëjë ndonjë vepër të tillë, atëherë nuk ka dyshim se gjëra të këtilla mund të përhapen, në mënyrë që të pengohet nga ajo që ai dëshiron dhe synon. Ta zëmë se ndonjëri do që të vrasë një njeri ose do që të bëjë zina me filanen, si dhe harame të tjera, atëherë nuk ka dyshim se kjo përhapet, sidomos kur ai e shfaq këtë. Po ashtu, përpara kësaj ai këshillohet dhe paralajmërohet. Megjithatë, ky haber duhet t’i tregohet atij që i intereson kjo çështje, ose t’i tregohet personit të cilin e ka kërcënuar me diçka, ose gruas me të cilën mendon dhe synon të bëjë diçka me të, në mënyrë që të ruhen prej tij dhe të jenë vigjilent ndaj asaj që po ndodh.

 

Me një fjalë, mexhliset janë amanet, porse prej kësaj përjashtohen ato mexhlise prej të cilave mendohet se do të ndodhë diçka e rrezikshme dhe e keqe, në raste të tilla, nuk mund të heshtet e as nuk duhet të heshtet, sepse kjo heshtje sjell dëme të mëdha. Kështu që, në këtë rast, lajme të tilla nuk duhen të fshihen. Sepse ai që e ka shfaqur të keqen, e ka shfaqur vendosmërinë e tij për të bërë keq, nuk ka problem që të lajmërohet ai që i intereson kjo çështje dhe që ka lidhje me këtë temë; pa marrë parasysh a bëhet fjalë për vrasje apo për zina, etj. Pra, ai për të cilin kihet frikë, duhet të lajmërohet për qëllimet e këtij njeriu, në mënyre që ky i cili shfaqi sherrin, të mos e realizojë atë.

 

Këtë hadith e ka dobësuar Albani në “Sunen Ebu Daud” porse ai e ka përcjell këtë në “El-Xhamiu es-Sagijr” dhe e ka bërë hasen, por pa këtë shtesën. Dobësimi i hadithit ka ardhur për shkak të këtij burrit të pa përcaktuar (mubhem) i cili është djali i vëllait të Xhabirit, porse Albani e bëri hasen këtë hadith sepse ka ardhur nga një rrugë tjetër mursel nga Aliu – radijAllahu anhu. Kështu që, murseli e përforcon këtë hadith.

 

Përktheu: Muhamed Kallashi