Transmetohet nga Muadh bin Xhebeli, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Pasi që të mbushet Bejtul-Makdis, do të shkatërrohet Jethribi (Medineja); pasi që të shkatërrohet Jethribi, do të ndodhë beteja e përgjakshme; pasi që të ndodhë beteja e përgjakshme, do të bëhet çlirimi i Konstantinopolit dhe pasi që të ndodhë çlirimi i Konstantinopolit, do të dalë Dexhalli. Pastaj i Dërguari i mëshoi kofshës së atij që ia tregoi këtë apo i mëshoi shpatullës së tij, pastaj tha: “Kjo është një e vërtetë që s’ka dyshim në të ashtu siç qëndron ti këtu” apo i tha “ashtu siç qëndron ulur ti këtu”. Pra, e kishte fjalën për Muadh bin Xhebelin.” [1]

عُمرانُ بَيتِ المَقدِسِ: خرابُ يَثْربَ، وخرابُ يَثْربَ: خُروجُ المَلْحَمةِ، وخروجُ المَلْحَمةِ: فتحُ قُسْطنطينيَّةَ، وفتحُ القُسْطنطينيَّةِ: خروجُ الدَّجَّالِ، ثمَّ ضرَب بيدِهِ على فخِذِ الَّذي حَدَّث أو مَنْكِبِهِ، ثمَّ قال: إنَّ هذا لحَقٌّ كما أنَّكَ هنا، أو كما أنَّكَ قاعِدٌ. يعني: مُعاذَ بنَ جَبَلٍ

________________________

Mulla Alij el-Kaarij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Mbushja e Bejtul-Makdisit, do të thotë se do të mbushet me shumë njerëz, do të ketë ndërtime dhe do të ketë pasuri.”  [2]

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk është për qëllim në hadith se Medineja do të shkatërrohet plotësisht përpara se të dalë Dexhalli, por ky shkatërrim do të ndodhë kur të bëhet Kijameti. Ajo që është për qëllim me mbushjen e Bejtul-Makdisit është se do të jetë shkak për shkatërrimin e Medines Profetike... është vërtetuar në hadithe të sakta se Dexhalli nuk mund të hyjë në Medine, ngase e pengojnë atë melaiket në dyert e Medines, të cilat mbajnë në duar shpata të nxjerra nga këllëfi.” [3]  

Shejkh Abdul-Muhsin el-Abbad, Allahu e ruajttë, thotë: “Pasi që të ketë ndodhur ky ndërtim në Bejtul-Makdis, kjo do të jetë shenjë se do të shkatërrohet Medineja në fund të kohës para ndodhisë së Kijametit.

Fjala që thotë: “...pasi që të shkatërrohet Jethribi, do të ndodhë beteja e përgjakshme”, do të thotë se shkatërrimi i Jethribit është shenjë se do të ndodhë beteja e përgjakshme, e që është lufta që do të ndodhë midis Muslimanëve dhe pabesimtarëve.

Fjala e tij “...pasi që të ndodhë beteja e përgjakshme, do të bëhet çlirimi i Konstantinopolit dhe pasi që të ndodhë çlirimi i Konstantinopolit, do të dalë Dexhalli” do të thotë: çdo shenjë që shfaqet është shenjë për atë që do të dalë më vonë. Pra, mbushja e Bejtul-Makdisit është shenjë për shkatërrimin e Medines; shkatërrimi i Medines është shenjë për betejën e përgjakshme; beteja e përgjakshme është shenjë për çlirimin e Konstantinopolit; çlirimi i Konstantinopolit është shenjë për daljen e Dexhallit. Është transmetuar në disa hadithe se kur Muslimanët të kenë çliruar Konstantinopolin dhe pastaj t’i kenë varur shpatat në pemët e ullinjve, do të vijë dikush e do t’u thotë: “Dexhalli ka dalë dhe është mbrapa jush te familjet tuaja!” Ata do të kthehen te familjet e tyre dhe do të shohin se kjo ka qenë gënjeshtër. Pastaj do t’ju vijë një lajm tjetër dhe do të jetë i vërtetë për daljen e Dexhallit.” [4]

 

[1] Sahih Sunen Ebu Daud, 4294

[2] Mirkatul-Mefatih, 10/60

[3] el-Bidaje ue en-Nihaje, 1/59

[4]  Sherhu Sunen Ebi Daud, 483, “Babun fi Emaraat el-Melahim”.

 

Përktheu: Jeton Shasivari