Autor: Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani (Allahu e mëshiroftë)

Burimi: al-Athariyyah.com

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirëplotit

1. “Muaji i Ramadanit qëndron pezull midis qiellit dhe tokës dhe nuk ngrihet lart tek Allahu përveç se me Zekatin e Fitrit.”

Es-Sujuti në el-Xhamius-Sagir ia ka atribuar Ibn Shahinit në et-Tergijb dhe Dijaut nga Xheriri.

Da’if (i dobët) për shkak të transmetuesit Muhamed bi Ubejd el-Basri i cili është i panjohur – ed-Da’ife (n. 43).

2. “Agjëroni dhe do të jini mirë me shëndet.”

Transmetuar nga Taberani në el-Euset (2/225/1/8477) dhe Ebu Ne’imi në et-Tibb (Kaf, 24/1,2) nga Ebu Hurejra).

Da’if (i dobët) për shkak të transmetuesit Zuhejr bin Muhamed i cili është i dobët në transmetimet e tij nga njerëzit e Shamit – ed-Da’ife (n. 253).

3. “Vërtet Allahu nuk lë asnjë nga Muslimanët në mëngjesin e ditës së parë të muajit të Ramadanit, përveç se e fal atë.”

Transmetuar nga el-Khatib (5/91) dhe nga ai Ibnul-Xheuzi në el-Meudu’at (2/190) nga Enesi.

Meudu’ (i shpikur) për shkak të transmetuesit Selam et-Teuil i cili ishte i akuzuar për gënjeshtër dhe shpifje dhe nga shejkhu i tij Zijad bin Mejmun i cili ishte e kishte pranuar vetë se shpikte hadithe – ed-Da’ife (n. 296).

4. “Kur është nata e parë e muajit të Ramadanit, Allahu Azze ue Xhel shikon krijesat e Tij. Dhe kur Allahu Azze ue Xhel shikon robin e Tij, Ai kurrë nuk do ta dënojë atë. Dhe Allahu Azze ue Xhel liron njëmilion (njerëz) nga zjarri çdo natë.”

Transmetuar nga Ibn Fenxheuejh në Mexhlis minel-Amali fij Fadli Ramadan dhe është hadithi i fundit në të, Ebul-Kasim el-Asbahani në et-Tergijb (Kaf, 1/180), ed-Dija el-Makdisi në el-Mukhtara (1/100/10) dhe Ibnul-Xheuzi në el-Meudu’at (2/190) nga Ebu Hurejra.

Meudu’ (i shpikur) për shkak të ‘Uthman bin ‘Abdilah esh-Shami i cili ishte i akuzuar për shpifje (të haditheve) – ed-Da’ife(n. 299).

5. “Ai që agjëron kur është në udhëtim është njësoj si ai që e prish agjërimin duke qenë në vendin e tij.”

Transmetuar nga Ibn Maxheh (1/511) el-Hejthem bin Kelb në el-Musned (2/22) dhe ed-Dija në el-Mukhtara (1/305) nga ‘Abdur-Rrahman bin ‘Auf.

Munker (hadith i dobët që bie në kundërshtim me hadithet e tjerë të saktë). Zinxhiri i transmetimit ka dy probleme të fshehta. Së pari, ka një shkëputje në zinxhir për shkak se transmetuesi Ebu Seleme nuk ka dëgjuar nga babai i tij (‘Abdur-Rrahman bin ‘Auf) siç qëndron në el-Fet’h. së dytë, transmetuesi Usame bin Zejd ka dobësi në kujtesën e tij dhe ai kundërshton një transmetues të besueshëm (që ka transmetuar diçka të kundërt me këtë) – ed-Da’ife (n. 498).

6. “Personi që agjëron është në (gjendje) ibadeti edhe nëse është i shtrirë në shtratin e tij.”

Transmetuar nga Temam (18/ 172-173) nga Selman bin Amir ed-Dabi.

Da’if (i dobët) për shkak se Shejkhul-Albani nuk gjeti asnjë (nga dijetarët) të ketë përmendur transmetuesit Jahja ez-Zuxhaxh dhe Muhamed bin Harun – ed-Da’ife, 653.

7. “Ramadani në Medine është më i mirë sesa njëmijë Ramadanë në vendet e tjera dhe Xhumaja në Medine është më e mirë sesa njëmijë të Xhuma në vendet e tjera.”

Transmetuar nga et-Taberani (1/111/2) dhe Ibn Asakir (8/510/2) nga Bilal bin Harith.

Batil (i pavërtetë) për shkak të transmetuesit Abdullah bin Kethir i cili është konsideruar i dobët – ed-Da’ife (n. 831).

8. “Kushdo që e kap Ramadanin në Mekke dhe agjëron dhe falet në të aq sa ka mundësi, Allahu do t’i shkruajë shpërblimin e njëmijë Ramadanëve në vendet e tjera (përveç Mekkes). Dhe për çdo ditë (që agjëron) Allahu do t’i shkruajë atij (shpërblimin e) lirimit të një robi dhe për çdo natë (që fal namaz) do t’i shkruajë (shpërblimin e) lirimit të një robi. Dhe çdo ditë (do të ketë shpërblimin e atij që mban) një kalë që është i ngarkuar në rrugë të Allahut. Dhe në çdo ditë (do të shkruhet për të) një vepër e mirë për të dhe në çdo natë do të jetë një vepër e mirë (që shkruhet) për të.”

Transmetuar nga Ibn Maxheh (n. 3117) nga Ibn ‘Abbasi.

Meudu’ (i shpikur) për shkak të transmetuesit ‘Abdur-Rrahim bin Zejd el-‘Amij i cili ishte gënjeshtar dhe i refuzuar në transmetimet e tij – ed-Da’ife (n. 832).

9. “Kushdo që e mbërrin Ramadanin dhe i ka mbetur diçka (nga agjërimi) që nuk e ka plotësuar, ai (Ramadani) nuk ka për t’iu pranuar. Dhe kushdo që agjëron agjërim nafile dhe i ka mbetur diçka nga Ramadani pa e plotësuar, atëherë vërtet atij nuk ka për t’iu pranuar derisa ta agjërojë atë (që i ka mbetur).”

Transmetuar nga Ahmedi (2/352) dhe pjesa e parë është transmetuar nga et-Taberani në el-Euset (2/99) nga Ebu Hurejra.

Da’if (i dobët) për shkak të transmetuesit Ibn Lahi’ah i cili kishte kujtesë të keqe dhe ngatërrohej në zinxhirin dhe tekstin e tij – ed-Da’ife (n. 838).

10. “Atij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i pëlqente ta çelte agjërimin me tri hurma ose me diçka që nuk e kishte prekur zjarri.”

Transmetuar nga el-Ukajli në ed-Du’afa (fq. 251), Ebu Ja’la në Musnedin e tij (n. 1/163) dhe teksti është i tij; dhe ed-Dija në el-Mukhtara (1/49) nga Enesi.

Da’if Xhiden (tej mase i dobët) për shkak të transmetuesit ‘Abdul-Uahid bin Thabit i cili u konsiderua i dobët dhe nga el-Bukhari (që e konsideroi) si një njeri që ishte i akuzuar (se gënjente) – ed-Da’ife (n. 996).

11. “Kushdo që bën tauaf për dhjetë ditët e fundit në Ramadan është sikur (të ketë bërë) dy haxhe dhe dy umre.”

Transmetuar nga el-Bejhaki në esh-Shu’ab nga Husejn bin Ali.

Meudu’ (i shpikur) për shkak të transmetuesve Muhamed bin Zadan i cili ishte i braktisur dhe ‘Anbeseh bin Abdir-Rrahman i cili shpikte hadithe – ed-Da’ife (n. 518).

12. “Vërtet Xheneti zbukurohet për Ramadan në fillim të vitit deri në vitin (tjetër).Dhe kur është nata e parë e Ramadanit fryn një erë nga poshtë Arshit (të Allahut) dhe gjethet e Xhenetit godasin hyritë e Xhenetit dhe ato thonë: “O Zot na vendos nga robërit e tu bashkëshortë me të cilët të na freskohen sytë dhe atyre t’u freskohen sytë me ne.”

Transmetuar nga et-Taberani në el-Muxhemul-Euset (n. 6943), Temam në el-Feua’id (vëll. 1, n. 34) dhe Ibn ‘Asakir në Fadlu Ramadan (Kaf, 171-2) nga Ibn ‘Umeri.

Munker (hadith i dobët) për shkak të transmetuesit el-Uelid bin Uelid i cili ishte i braktisur – ed-Da’ife (n. 1325).

13. “Kushdo që agjëron një ditë e cila nuk e mundon atë, dhjetë vepra të mira do të shkruhen për të.”

Transmetuar nga et-Taberani në el-Euset (n. 7653 me numërimin e Shejkhul-Albanit) nga el-Bera bin ‘Azib.

Da’if (i dobët) për shkak të transmetuesit e Ebu Xhenab el-Kelbi Jahja bin Ebi Hajje i cili ishte i dobët dhe mudelis – ed-Da’ife (n. 1327).

14. “Kushdo që ka agjëruar një ditë duke kërkuar Fytyrën e Allahut të Lartësuar, Allahu Azze ue Xhel do ta mbajë atë larg prej Zjarrit të Xhehenemit, sikurse distanca e sorrës që fluturon ndërsa është zog i vogël e derisa ngordh në moshë të madhe.”

Transmetuar nga Ahmedi (2/526) nga Ebu Hurejra.

Da’if (i dobët) ngaqë shejkhu i Ebu Abdilah Lahi’a nuk është përmendur (d.m.th. është i panjohur) – ed-Da’ife (n. 1330).

15. “A e di O Bilal se kockat e personit që agjëron e madhërojnë Allahun dhe melekët luten për faljen e tij për shkak të asaj që haet pranë tij (nga njerëzit e tjerë kur agjëron ai).”

Transmetuar nga Ibn Maxheh (n. 1749), el-Bejhaki në Shu’abul-Iman dhe nëpërmjet tij Ibn Asakir në Tarikh Dimeshk (3/323/2 dhe 10/330 - Ta) nga Burajde.

Meudu’ (i shpikur) për shkak të transmetuesit Muhamed bin Abdir-Rrahman el-Kushejri i cili ishte gënjeshtar dhe shpikte hadithe – ed-Da’ife (n. 1331).

16. “Vërtet, nëse personi që agjëron ka pranë tij diçka që haet, melekët luten për të derisa ata (njerëzit) të mbarojnë (së ngrëni).” Dhe ndoshta ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “...derisa ata (njerëzit) ta mbarojnë ushqimin e tyre.”

Transmetuar nga Tirmidhiu (1/150), Nesaiu në es-Sunenul-Kubra (Kaf, 2/62), ed-Darimi (2/17), Ibn Khuzejme në Sahihun e tij (2138-2140), Ibn Maxheh (1148) dhe shumë të tjerë nga Umm ‘Ammara bint Ka’b.

Da’if (i dobët) për shkak se transmetuesi Lejla, robi i liruar i Habib bin Zejd el-Ensarit është i panjohur – ed-Da’ife (n. 1332).

17. “Kushdo që çel agjërimin e një personi që agjëron (duke i dhënë atij ushqim) në Ramadan nga ato që janë fituar me hallall, Melekët luten për të gjatë gjithë netëve të Ramadanit dhe Xhibrili shtrëngon duart me të. dhe kushdo që shtrëngon duart me Xhibrilin, zemra e tij do të zbutet dhe lotën e tij do të jenë të shumtë.” Një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, po sikur ai të mos ketë me vete (ushqim për t’i dhënë atij)?” Ai tha: “Qoftë edhe për një dorë ushqim.” Ai tha: “Çfarë mendon për atë nuk e ka atë (sasi ushqimi)?” Ai tha: “Atëherë qoftë edhe një copë bukë.” Ai tha: “Çfarë mendon për atë që nuk e ka atë (copë bukë)?” Ai tha: “Atëherë (qoftë) edhe një gllënjkë qumështi të përzier me ujë.” Ai (burri) tha: “Çfarë mendon për atë që nuk e ka atë?” Ai tha: “Atëherë (qoftë) edhe një gllënjkë ujë.”

Transmetuar nga Ibn Adij në el-Kamil (Kaf, 2/69) nga Selman el-Farisi.

Da’if (i dobët) për shkak se transmetuesve Ali bin Zejd – dhe ai është Ibn Xhed’ani – i cili ishte i dobët për arsye të kujtesës së tij të dobët; dhe Hakim bin Khidam i cili ishte i braktisur në hadith dhe është konsideruar nga Bukhari si dikush që ishte akuzuar (se gënjente.) – ed-Da’ife (n. 1333).

18. “Pjesa e parë e muajit të Ramadanit është mëshirë, mesi i tij është falje kurse fundi i tij është lirim nga Zjarri.”

Transmetuar nga el-Ukajli në ed-Du’afa (172), Ibn ‘Adij (1/165), el-Khatib në Muwedih (2/77), ed-Dejlemi (1/1/10-11) dhe Ibn ‘Asakir (8/506/1) nga Ebu Hurejra.

Munker (i dobët...) për shkak të transmetuesve Selam bin Sulejman bin Siuar i cili ishte i dobët dhe Meslemeh bin es-Salt i cili ishte i braktisur në hadith – ed-Da’ife (n. 1569).

19. “Pesë gjëra e prishin agjërimin e atij që agjëron dhe e bëjnë të pavlerë abdesin: gënjeshtra, përgojimi, thashethemet, shikimi me epsh dhe betimi i rremë.”

Transmetuar nga Ebul-Kasim el-Kharaki në Eshar Mexhalis minel-Amali (2/224) nga Enesi.

Meudu’ (i shpikur) për shkak të transmetuesit Muhamed bin el-Haxhaxh el-Himsi i cili e ka sajuar atë dhe hadithet e atij nuk janë shkruajtur nga dijetarët – ed-Da’ife (n. 1708).

20. “Personi që agjëron është në gjendje adhurimi për aq kohë që nuk përgojon.”

Transmetuar nga Ibn ‘Adij (1/302) nga Ebu Hurejra.

Munker (i dobët...) për shkak të transmetuesit Abdur-Rrahim bin Harun i cili ishte shumë i dobët dhe ishte akuzuar nga Ibn Khuzejme se gënjente – ed-Da’ife (n. 1829).

Përktheu: Alban Malaj